Banesa të dëmtuara, në të cilat jeta nuk mund të vijojë, rruga e vështirë, toka që ka rrëshqitur, pasiguri për të vijuar jetën aty ku i lanë të parët, por edhe mungesë shprese për të ardhmen. Kjo është situata në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë.
Rrëshqitja e dherave gjatë shirave të rrëmbyeshëm të këtij fillimviti la pas pasoja të konsiderueshme në këtë fshat. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, askush nuk ka një përgjigje për banorët e prekur.
Floresha Islamaj dhe Sulçe Tahiri jetojnë prej dy muajsh te të afërmit. Banesat e tyre janë shpallur të pabanueshme. Përkundër kësaj, ende për ta nuk është ofruar një zgjidhje.
“Po bën 2 muaj, por s’përgjigjet njeri fare. Jemi pa shtëpi, rri te kunati. S‘kam ç’të bëj, ku do të shkoj?”, thotë Floresha Islamaj.
“Këto kanë marrë të gjitha krisje shtëpitë, tej përtej. Sesi do të shkojë puna, s’e di. Jam vetë i gjashtë brenda”, thotë Sulçe Tahiri.
Lidhur me situatën shqetësuese në fshatin Vajzë, duket se edhe Bashkia e Selenicës ende nuk është në gjendje të sqarojë se cila do të jetë një zgjidhje, teksa banorët jetojnë mes frikës dhe pasigurisë për të ardhmen.
Komente









