Vetëm nga ecja e tij e lehtë dhe hiri elegant, kur hyn në një kafene në bulevardet e mëdha pariziene, mund të imagjinohet pa vështirësi e kaluara e tij si balerin. Koreografitë e tij kanë bërë xhiron e botës dhe edhe ata që nuk i njohin baletet e tij kanë parë një ditë atë puthje të mrekullueshme që ai krijoi për një duo që rrotullohet mbi muzikën e Moxartit, në pjesën “Le Parc”, ku balerina duket sikur fluturon e varur në qafën e partnerit të saj. Ajo që dihet më pak është historia e jashtëzakonshme e këtij burri të hijshëm 69-vjeçar, biri i shqiptarëve që u arratisën nga diktatura komuniste në fund të viteve 1950. Dhe papritur kupton se si mërgimi mund të ushqejë imagjinatën më të hollë…
Për gazetën Le Monde, Angjelin Preljocaj ka rrëfyer historinë e jetës duke e nisur nga sakrifica e prindërve të tij për t’u larguar nga Shqipëria e diktaturës komuniste:
“Nuk do të kisha arritur këtu nëse prindërit e mi nuk do të kishin lënë Shqipërinë komuniste në vitin 1956. Fillimisht, ata donin të arratiseshin drejt Shteteve të Bashkuara, por u ndalën në Francë dhe aty u vendosën. Babai im ishte marangoz dhe kishte jetuar deri atëherë në malet e veriut të Shqipërisë. Ishte koha e diktatorit Enver Hoxha, por babai im donte të jetonte i lirë dhe të shpëtonte nga varfëria. Një natë, ai u arratis me vëllain dhe babanë e tij, duke lënë pas nënën, e cila u arrestua dhe u burgos për disa muaj si ndëshkim. Ai kaloi fillimisht në Mal të Zi, përmes të njëjtit varg malor që lidhte vendin me Shqipërinë. Aty jetonte nëna ime, e cila ishte bareshë, në pjesën shqipfolëse të këtij cepi të Jugosllavisë. Shqiptarët njiheshin të gjithë mes tyre dhe bashkimi i tyre ishte një martesë me shkuesi. Ata vazhduan rrugën dhe u nisën drejt Francës, ku unë linda”, rrëfen Preljocaj.
-Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare ka shkruar se ju i detyroheni thirrjes suaj si balerin kësaj arratisjeje të prindërve tuaj, në majë të gishtave dhe duke kapërcyer hendeqe për t’u shpëtuar rojeve të armatosura…
Angjelin Prejlojcaj: Është një përkthim i bukur letrar i një lëvizjeje që ma ka treguar nëna ime… Ky udhëtim në barkun e saj filloi kur prindërit e mi u bashkuan në kampin e refugjatëve të Gerovos, në Kroaci, pastaj përshkuan Europën deri në Bruksel dhe më pas në Paris, ku dorëzuan një kërkesë për vizë për Shtetet e Bashkuara. Viza nuk erdhi dhe ata gjetën punë të vogla. Babai im punonte si druvar, ndërsa nëna ime bënte punë shtëpie. Flisnin shumë pak frëngjisht. Në atë kohë, Franca ishte e mbushur me refugjatë, por organizata La Cimade u gjeti strehë në një krah gjysmë të rrënuar të kështjellës së Sucy-en-Brie (Val-de-Marne), e cila strehonte një shumëllojshmëri migrantësh. Pikërisht në këtë kështjellë të zymtë linda unë. Më pas u transferuan në një banesë në Champigny-sur-Marne.
-Një qytet që ishte bastion i Partisë Komuniste Franceze – çfarë ironie!
Angjelin Prejlojcaj: Mendoj se prindërit e mi as që e kuptonin se ishte një qytet komunist. Ata gjetën një banesë dhe filluan të krijonin jetën e tyre aty. Kur më në fund erdhi viza për në SHBA, vendosën të qëndronin në Francë. Në Champigny shkoja në shkollë, jetoja mes dy botëve dhe dy gjuhëve. Në shtëpi flitej shqip, gatuhej shqip, dhe mobilimi ishte shumë shqiptar, me jastëkë dhe qilima shumëngjyrësh. Nuk kishte libra, as Schubert apo Moxart, por muzikë shqiptare. Sapo ikja për në shkollë, ndryshoja gjuhën dhe hapej një univers tjetër. Kishte edhe diçka tjetër, misterioze, prekëse dhe intriguese: shumë refugjatë vazhdonin të vinin nga Shqipëria, disa me një adresë të vogël në xhep, atë të prindërve të mi. Zakonisht ishin njerëz shumë të varfër; qëndronin disa ditë tek ne, derisa gjenin punë ose miq të tjerë. Në sytë e mi, ata formonin një kortezh personazhesh disi fantazmagorikë, diçka që i ngjante botës së Kafkës.
-A kishin prindërit tuaj lajme nga familja e mbetur në Shqipëri, sidomos nga gjyshja juaj e burgosur?
Angjelin Prejlojcaj: Jo, pothuajse nuk kishim asnjë lajm. Babai dërgonte letra pa e ditur nëse mbërrinin. Prindërit e mi gjithmonë kishin një lloj ndrojtjeje për të folur për atë të kaluar, dhe babai ndiente një faj të madh që largimi i tij kishte sjellë arrestimin e nënës. Ata e kishin “mbyllur” këtë kujtim shumë të dhimbshëm, dhe unë vetë duhej ta rindërtoja me copa këtë të kaluar të fragmentuar.
-Në këto kushte, si lindi talenti juaj për kërcimin?
Angjelin Prejlojcaj: Ju përshkrova ishullin tradicional shqiptar që ishte jeta ime në shtëpi, por sapo dilja, hapej një kontinent kulturor: Franca e Iluminizmit. Vallëzimi erdhi përmes librave që ekzistonin tek të tjerët, sidomos përmes një libri që ma dha një shoqe klase, ku ishte një fotografi magjepsëse e Rudolf Nurejevit. Ai ishte i ngrirë në një kërcim, me fytyrën që ndriçonte nga brenda, me një emocion absolut dhe një hir mbinjerëzor që transformonte bukurinë e trupit të tij.
-A e dinit se Nurejevi ishte arratisur edhe ai nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1961?
Angjelin Prejlojcaj: Nuk dija asgjë për këtë. Isha 12 vjeç dhe merresha me xhudo… Por ajo fotografi dhe mbishkrimi i saj hapën diçka brenda meje. Shoqja që ma kishte dhënë librin më ftoi në një kurs vallëzimi. Nuk kishte asnjë djalë, nuk kisha as veshje të përshtatshme, kërceja me pantallonat e kimonos së xhudos dhe një bluzë. Prindërit më lanë të bëja si të doja… Derisa një ditë nëna ime preu me gërshërë një palë geta që më kishin dhënë. Të gjitha këto pengesa më dhanë një energji të jashtëzakonshme për të vazhduar.
-Çfarë ndjenit kur kërcenit?
Angjelin Prejlojcaj: Kishte një lumturi të madhe në lëvizje, në përpjekjen për të arritur hijeshinë, në mënyrë të lirë. Ishte kënaqësi të zhvilloja këtë aftësi të trupit për të mbushur hapësirën. Më pas, gjithçka u përshpejtua: mësime, zbulime, takime… Derisa u bëra pjesë e botës së vallëzimit bashkëkohor dhe fillova të krijoja vetë koreografi.
-A i qetësoi ky sukses prindërit tuaj?
Angjelin Prejlojcaj: Ata erdhën vonë të shihnin shfaqjet e mia. Nuk jam i sigurt nëse i kuptonin plotësisht, por ishin të lumtur që kisha sukses. Ata kishin imagjinuar për mua një rrugë më klasike – mjek, avokat… Por unë e fitova rrugën time me shumë përpjekje.
-Dhe përfundimisht takuat Nurejevin…
Angjelin Prejlojcaj: Po. Ai kishte ardhur në një nga shfaqjet e mia dhe më ftoi për drekë. Më tha se i kishte pëlqyer shumë puna ime dhe donte gjak të ri për Operën e Parisit. Nuk folëm për mërgimin, ajo që na lidhte ishte arti.
-Kur shkuat për herë të parë në Shqipëri?
Angjelin Prejlojcaj: Pas rënies së regjimit komunist, në vitin 1991. Shkova me trupën time në Operën e Tiranës dhe mora edhe prindërit me vete. Për ta ishte një moment i jashtëzakonshëm. Të nesërmen duhej të udhëtonin për në Vermosh, por presidenti vuri në dispozicion një helikopter që t’i shoqëroja. Ishte një helikopter i vjetër ushtarak dhe pata frikë se do të rrëzoheshim… Madje u ulëm në mes të malit për të pyetur për rrugën! Ndoshta ishte pikërisht në atë moment, kur të gjithë i përgëzonin dhe i pyesnin, që prindërit e mi e kuptuan më në fund se çfarë kisha arritur.
Komente











