Demiri më '95, debati me
Qaton: Nano, jo në burg

Demiri më '95, debati me <br />Qaton: Nano, jo në burg
TIRANE- Më 21 korrik të vitit 1995, dy vjet pas arrestimit të bujshëm, në kryeqytet zhvillohej seanca në ngarkim të ish-kryetarit të PS-së Fatos Nano. Seanca ka nisur e tensionuar me prezantimin e trupit gjykues dhe është lexuar nga avokatët ankesa e liderit të opozitës Fatos Nano. Avokatët kërkuan nga gjykata riklasifikimin e veprës penale, përcaktimin e dënimeve të reja në raportet e dhëna nga tre gjykatat shqiptare, në bazë të të cilave Fatos Nano duhet të lirohej. Prokurori Skender Demiri, mbrojtës i akuzës, mbështeti avokatët dhe kërkesën e Fatos Nanos dhe kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së Tepelenës si i padrejtë. Ai tha se "në bazë të raporteve të përcaktuara nga tre gjykatat zoti Nano duhet të dënohet me shtatë vjet e gjashtë muaj. Meqë ai ka vuajtur dhe përfituar nga amnistitë e faljes 7 vjet e 11 muaj e 12 ditë, ai duhet të lirohet". Kjo ka qënë deklarata e bujshme e prokurorit të Apelit Skënder Demiri, e cila tronditi asokohe drejtësinë dhe ambjentin politik shqiptar. Kërkesa që bëri prokurori Demiri ngjalli habi tek trupi gjykues dhe sidomos në qarqet politike të kohës, të cilat nisën menjëherë reagimet. Gjykatësi Fatos Qato doli nga salla duke thënë se vendimin do ta jepte pas dhjetë minutash. Në fakt ai u dha pas 6 orësh. Një orë para se të jepej vendimi rrugët e unazës së kryeqytetit janë bllokuar nga efektivë të shumtë policie. Edhe Gjykata e Apelit u rrethua nga njerës me uniformë dhe civilë të shumtë. Në emër të trupit gjykues, rreth orës 16.15, të 21 korrikut 1995 Fatos Qato komunikoi vendimin e qendrimit në burg të zotit Fatos Nano. Pra, Demiri mbahet mend mjaft mirë që ishte i pari përfaqësues i akuzës që kërkoi lirimin e Fatos Nanos nga burgu dhe kjo është fiksuar në të gjitha kronikat e mediave vendase dhe të huaja të asaj kohe. Garancia e liderit të PS Fatos Nano që të lirohej shikohej dhe në letrat që i dërgonte bashkëshortes së asaj kohe, Rexuna Nano, ku i thoshte se "të përshendes nga shtëpia në qelinë 47 të burgut të Berishës, pasi ka të ngjarë të të largojnë nga ajo qeli, që për një vit u bë shtëpia jote. Me siguri që do të ndjesh edhe keqardhje, kur të ndahesh prej saj. Ndërkaq, paskëtaj, edhe mua do të më mungojë qelia me numurin 47". Por që për fat të keq, megjithë këmbënguljen e opozitës së atëhershme, me gjithë këmbënguljen e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Nano nuk do të lirohej. Lirinë ai e pa vetëm pas shpërthimit të burgjeve në marsin tragjik të vitit 1997 kur pas rënies së shtetit të gjithë dolën nga burgjet, ndërkohë që prokurori i Apelit do të mbahej mend gjatë për kurajon e tij qytetare dhe profesionale, që e kërkoi dy vite më parë lirimin e tij nga salla e gjyqit. Pas ardhjes së socialistëve në pushtet, Skënder Demiri bëhet kryetar i prokurorisë së Apelit deri në vitin 2005. Kur PS e integroi Demirin në politikë, duke e kandiduar për deputet në vendlindje, në rrethin e Matit, zgjedhje të cilat u fituan nga kandidati demokrat Idriz Xhomara. Por që solën njëkohësisht bashkë me humbjen e garës për deputet për Demirin, dhe largimin e tij përfundimtar nga organi i akuzës. Fjala e Nanos më 31 maj 2005 gjatë prezantimit të Demirit si kandidat për deputet, në mitingun e organizuar në qytetin e Burrelit në esencë ka qënë e thjeshtë. "Unë nderohem me djem matjanë si Qemal Minxhozi dhe Skënder Demiri. Gjithka kanë bërë ata për zhvillimin e Matit dhe kurimin e problemeve tuaja, nuk i kanë parë deri tani, si pjesë e ndonjë fushate elektorale, por i kanë parë si pjesë e jetës së vet dhe zhvillimit të vendit të origjinës", u shpreh ai.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Dy humbjet në miqësore, Kombëtarja humbet pozicione në FIFA! Rivalët e Euro 2024 në 'top 10'

Dy humbjet në miqësore, Kombëtarja humbet pozicione në FIFA! Rivalët e Euro 2024 në 'top 10'