Demokratët e Shkodrës janë mbledhur për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 Prillit, për të analizuar rezultatin e dalë, ku pavarësisht se në rang qarku fituan 5 mandate, pretendimet ishin për 7 të tillë.
Në selinë e PD në Shkodër u mblodhën sot të gjithë anëtarët e kryesisë si dhe kandidatët e listës së zgjedhjeve të 25 prillit që kanë përfaqësuar Shkodrën, ndërkohë që i pranishëm ishte edhe drejtuesi politik i PD në Shkodër Helidon Bushati.
Burime për Report Tv thanë se kreu i PD Shkodër, Xhevdet Amuli e konsideroi të suksesshëm rezultatin, por tha se në rang qarku pritshmëritë nuk u arritën në Malësi të Madhe, Pukë dhe Vaun e Dejës.
Por nuk kanë munguar edhe replikat. Të njëjtat burime konfirmojnë se anëtarët e kryesisë së degës Shkodër janë shprehur të pakënaqur me rezultatin e njëjtë si në 2017, e të tjerë janë shprehur se akuzat për shitblerjen e votës duhet të ishin denoncuar më herët dhe jo pas zgjedhjeve, kur rezultati është në kutitë e votimit.
Partia Demokratike e Shqipërisë tashmë ka nisur procesin e analizave të rezultatit të zgjedhjeve në të gjithë qarqet e vendit ndërkohë ka ankimuar në KQZ rezultatin e 9 qarqeve mes të cilëve edhe të Shkodrës.