UASHINGTON – Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris takohet të dielën në rezidencën e saj me secilin nga tre kandidatët kryesorë për nënpresident: guvernatorin e Minesotas, Tim Walz, senatorin Mark Kelly nga Arizona, si dhe guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro, në procesin për të përzgjedhur njërin prej tyre.
Zonja Harris pritet ta njoftojë ndoshta që të hënën vendimin e saj, përpara se të bëjë paraqitjen e parë publike së bashku me kandidatin për nënpresident gjatë një aktiviteti elektoral që pritet të mbahet të martën në Filadelfia. Ekipi i saj elektoral po planifikon gjithashtu një njoftim nëpërmjet mediave sociale, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters zyrtarë në dijeni të çështjes.
Zonja Harris u takua të shtunën me grupin e punës që ka marrë në shqyrtim kandidaturat. Ndër anëtarët e grupit të punës është edhe ish-prokurori i përgjithshëm Eric Holder, firma ligjore e të cilit, “Covington & Burling LLP”, analizoi gjendjen financiare dhe historikun e kandidatëve. Zoti Holder dhe kolegët e tij paraqitën një përshkrim të detajuar të secilit prej kandidatëve, thanë persona në dijeni të procesit.
Zonja Harris bëri gjithashtu një takim 90-minutësh të premten me sekretarin e Transporteve, Pete Buttigieg. Kandidatët do të informohen ndoshta të hënën në mbrëmje, ose të martën në mëngjes nëse janë përzgjedhur.
Përzgjedhja e personit që do të kandidojë së bashku me të, është një ndër vendimet më të rëndësishme për karrierën politike të zonjës Harris, ndërsa po përpiqet të ngrejë me shpejtësi një fushatë elektorale për ta sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga kandidimi muajin e kaluar.
Kandidatët në listë janë të gjithë burra të bardhë, të cilët kanë tërhequr historikisht në zgjedhje votuesit në zonat rurale, të bardhët apo të pavarurit.
Vendimi që do të marrë zonja Harris do të ndikojë gjithashtu drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokrate, duke fuqizuar edhe për zgjedhjet e tjera në të ardhmen, kandidatin që do të përzgjidhet tani.
Zoti Shapiro, një ndër kandidatët kryesorë, është përballur me kritika të ashpra nga e majta, në veçanti nga grupet progresiste dhe aktivistët pro-palestinezë, për mbështetjen që i jep Izraelit dhe për mënyrën se si menaxhoi protestat që u bënë në universitete për shkak të luftës në Gazë.
“Duhet korrigjuar politika për Gazën dhe duhet një axhendë politikash në favor të klasës punëtore, përfshirë një axhendë pro afrikano-amerikanëve”, tha Nina Turner, e cila ka qenë bashkëkryetare e fushatës elektorale të Bernie Sandersit në vitin 2020 dhe është gjithashtu studiuese në Institutin për Racën, Pushtetin dhe Ekonominë Politike, një organizatë kërkimore progresive. “Përzgjedhja e guvernatorit Shapiro do ta hiqte këtë mundësi”.
Ka patur gjithashtu pikëpyetje rreth mënyrës se si ai pati menaxhuar një ankesë për ngacmim seksual ndaj një ndihmësi të tij të hershëm. Gjithashtu, sindikata e Punëtorëve të Bashkuar të Automobilëve (UAW), e cila dha rishtazi mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, e ka kritikuar zotin Shapiro për thirrjet për të zgjeruar programet që mundësojnë kanalizimin e më shumë parave të taksapaguesve drejt shkollave private.
Disa organizma të tjera sindikale e kanë akuzuar zotin Kelly se ka kundërshtuar projektligje që ata thonë se do të fuqizonin sindikatat.
Shawn Fain, president i sindikatës UAW, tha se megjithë mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, sindikata e tij me 370 mijë anëtarë nuk mbështet kandidaturat e zotërinjve Kelly dhe Shapiro.
Zoti Walz është bërë ndër të preferuarit e progresistëve dhe grupeve të të rinjve, të cilëve u pëlqejnë kritikat që ai bën ndaj ish-Presidentit Trump.
Në moshën 60-vjeçare, zoti Walz është vetëm një vit më i moshuar se zonja Harris, por kritikët thonë se ai duket shumë më i moshuar, një disavantazh i mundshëm për fushatën elektorale, që po përpiqet të tejkalojë tërheqjen nga gara të Presidentit Biden për shkak të shqetësimeve për moshën e tij të madhe.
Zoti Walz iu përgjigj këtyre kritikave në rrjetin X, duke thënë se pamja e tij është e atillë për shkak se ka qenë mësues në shkollën e mesme dhe se ka “mbikqyrur mencën për 20 vite. Nuk largohesh nga ajo punë me flokë në kokë. Besomëni”, shkruajti ai./ VOA