Më 28 janar 1990, në orën 18:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u evidentua një grumbullim qytetarësh, i zhvilluar në qetësi, i cili në dokumentet e kohës interpretohet si veprim kundërshtues ndaj diktaturës.
Qysh ditë më parë, sipas materialeve arkivore, informacionet për organizimin e këtij grumbullimi kishin ngjallur shqetësim te autoritetet dhe kishin vënë në lëvizje strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga dokumentet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, pjesë e një dosjes agjenturiale me kodin “Pseudodemokrati”, paraqitet transkriptimi i raporteve operative që pasqyrojnë mënyrën e monitorimit dhe administrimit të kësaj ngjarjeje.
Sipas këtyre raporteve, në grumbullim u identifikuan 110 persona, kryesisht punëtorë. 16 persona iu referuan organeve të hetuesisë, 5 prej tyre u arrestuan, 16 të tjerë u demaskuan publikisht në strukturat partiake lokale, ndërsa 70 persona u mbajtën nën vëzhgim të lirë. Në përfundim, u proceduan dhe u dënuan vetëm 3 persona, çka dokumentet e kohës e pasqyrojnë si një ndërhyrje të kufizuar për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Dokumenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Parë, i datës 18.02.1990, me titull “Për zbulimin dhe parandalimin e një veprimtarie armiqësore të organizuar në qytetin e Tiranës”, evidenton se, pas ngjarjeve në Evropën Lindore, strukturat e rendit vlerësonin një intensifikim të veprimtarisë së cilësuar si armiqësore në Tiranë, e shfaqur fillimisht në nëntor 1989, e rritur gradualisht gjatë dhjetorit dhe e bërë më e theksuar në janar 1990; sipas dokumentit, kjo veprimtari përfshinte rritje të propagandës kundër pushtetit popullor përmes agjitacionit gojor, shkrimeve, parullave dhe fletushkave anonime, si edhe tendenca për akte diversioni, kryesisht ndaj busteve të Themeluesit të Partisë dhe të Stalinit, ndërsa si nxitës të kësaj veprimtarie përmendeshin edhe shtetas të huaj, të cilët, sipas vlerësimit të organeve të kohës, kishin ushtruar ndikim për kryerjen e veprimeve të ngjashme me ato të vendeve të Evropës Lindore.
“Gjatë 15-ditëshit të parë të muajit janar 1990 dolën të dhëna se disa elementë armiq dhe keqbërës ishin organizuar dhe synonin të realizonin një demonstratë në sheshin qendror të qytetit të Tiranës. Ata shpreheshin konkretisht:
“Është vendosur nga shumë persona që më datën 28.01.1990, në orën 18:00, të dalim në sheshin ‘Skënderbej’ në formë demonstrate për të kërkuar demokraci dhe për t’i treguar qeverisë se edhe ne dimë të organizohemi… Turma nuk do të qëndrojë vetëm në shesh, por do të shkojë në drejtim të ambasadave… Nuk jemi vetëm 60 veta, por shumë më tepër, të shtrirë në Kinostudio, Kombinat, Laprakë, Rrugën e Elbasanit etj., dhe prisnim urdhër për t’u bashkuar… Korrierët janë 10 veta, njoftimin e bëjmë në mënyrë zinxhiri…”
Nëpërmjet veprimeve të ndryshme operative u siguruan të dhëna të tjera që hidhnin dritë mbi shkallën e pjesëmarrjes, mjediset ku shtrihej veprimtaria dhe elementët konkretë të angazhuar në këtë aktivitet armiqësor.
Në vlerësim të situatës së krijuar u morën masa parandaluese. Mbi bazën e materialeve operative dhe legale të grumbulluara, u bë diferencimi i 110 personave të implikuar dhe, në përfundim, 16 prej tyre u arrestuan për 14 ditë. U pyetën edhe disa persona të tjerë rreth këtij problemi, të cilët konfirmuan plotësisht të dhënat e marra për organizimin e demonstratës. Sipas tyre, qëllimi kryesor ishte krijimi i incidenteve për të ndërhyrë policia dhe për të tërhequr vëmendjen e botës së jashtme, duke pretenduar se edhe në Shqipëri kishte filluar lëvizja si në vendet e Evropës Lindore.
Masat e marra dhe veprimet e zhvilluara në sheshin “Skënderbej” bënë që më datën 28.01.1990, në orën 18:00, të grumbulloheshin persona të ndryshëm, kryesisht ish-të dënuar, prishës të rendit dhe vagabondë, por edhe mjaft elementë me përbërje dhe qëndrim të mirë politik. Megjithatë, nuk pati asnjë veprim konkret nga ana e tyre.
Numrin më të madh të këtij elementi e përbëjnë persona të moshës 20–35 vjeç, shumica punëtorë në sektorë të ndryshëm si industri, shërbime komunale, shëndetësi etj. Vihet re se mjaft prej tyre janë elementë të shthurur e të degjeneruar, ndërsa disa të tjerë kanë rënë viktimë e presionit të elementëve armiq të jashtëm dhe të brendshëm.
Ata kanë synuar të komprometojnë dhe të tërheqin në këtë veprimtari edhe punonjës nga institucione të rëndësishme të qytetit, si Universiteti dhe Kinostudioja.”
Në dokumentet evidentohet se X. R. H., 36 vjeç, i dënuar më parë për propagandë armiqësore dhe i punësuar në ndërmarrjen komunale, kishte deklaruar se kishte nxitur individë të veçantë që më 28.01.1990 veprimet e tyre të përshkallëzoheshin deri në përplasje me forcat e rendit, ndërsa Z. I. G., 35 vjeç, i papunë, dhe F. M. P., 39 vjeç, punëtor në Uzinën “Dajti”, kishin pranuar se, përveç propagandës në grup në mbështetje të ndryshimeve në vendet e Evropës Lindore, kishin diskutuar edhe mundësinë e rrëzimit të bustit të Stalinit para hotel “Dajti”; dokumenti shton se për 16 persona të tjerë të implikuar në shkallë më të vogël u kryen demaskime në qendrat e punës, se u zhvilluan veprime dhe kombinacione operative për thellimin e njohjes së situatës, se personat e ndaluar, pas lirimit, shfaqën qëndrime dënuese ndaj veprimeve të planifikuara, si dhe se u identifikuan katër autorë anonimë të letrave me përmbajtje armiqësore, mes të cilëve përmendet R. K., 77 vjeç, i cili më 31.01.1990 i dërgoi Ministrisë së Punëve të Brendshme një paralajmërim në emër të një të ashtuquajturi “Komiteti i Shpëtimit Kombëtar”, duke kërkuar lirimin e të ndaluarve, ndalimin e gjakderdhjes dhe duke kërcënuar për hakmarrje, ndërkohë që dokumentet referojnë edhe të dhëna për tentativa organizimi në Tiranë dhe Shkodër, me synim zgjerimin e radhëve dhe hartimin e programeve të koduara për “mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve”.
Një dokument tjetër, i klasifikuar “Kopje e vetme – Sekret”, me datë 28.01.1990, evidenton se rreth orës 17:15 në Drejtorinë e Punëve të Brendshme ishte paraqitur nxënësja F. B., e cila kishte denoncuar se një ditë më parë, më 27.01.1990, nxënësi A. M., i klasës së shtatë të shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, i kishte dhënë dy ftesa për një koncert të planifikuar për më 28.01.1990, ora 18:00, në Pallatin e Kulturës, nga këngëtari Gëzim Cela, duke i shpjeguar se ftesat i ishin dhënë për shpërndarje nga vetë këngëtari; sipas deklarimit, ftesa të ngjashme ishin shpërndarë edhe në emër të këngëtares Irma Libohova, për një shfaqje në të njëjtën ditë dhe orë, çka kishte ngjallur dyshime, ndërsa dokumenti shënon se F. B. ishte paraqitur së bashku me A. K., sekretar partie i pensionistëve të një lagjeje të Tiranës, dhe jep të dhëna identifikuese të anonimizuara për vendbanimin dhe aktivitetin arsimor të nxënësve të përmendur./ Marrë nga faqja zyrtare në Facebook
Komente



