Gjatë negociata mes qeverisë amerikane dhe qeverisë shqiptare, kjo e fundi kishte vënë dy kushte.

KUSHTI I PARE
SHBA do të pastronte edhe 31 zonat e helmuara


Një ndër kërkesat bërë amerikanëve nga qeveria shqiptare ka qenë që, pasi të përfundonin procesin e demontimit, ekspertët e SHBA të “hiqnin qafe” njëherë e mirë të gjitha pikat e nxehta të mbetjeve të rrezikshme në vend. Fjala është për 31 zona ku prej vitesh janë grumbulluar lëndë të rrezikshme, por asnjë qeveri nuk ka gjetur mjetet e duhura monetare për t’i asgjësuar. Ky kusht duhet të jetë pranuar nga amerikanët pa probleme.
 
KUSHTI I DYTE
Misteri, cili do ishte vendi i dytë për asgjësimin

Një pengesë, që duket se ka dalë gjatë procesit të nëgociatave të administratës amerikane me partnerët shqiptarë, ka qenë edhe mosgjetja e një vendi tjetër, për të ofruar të njëjtin shërbim si Shqipëria. Në fillim, amerikanët kanë premtuar se Shqipëria nuk do të ishte i vetmi vend që do të ofrohej për të demontuar armët kimike siriane. Pra, SHBA i tha palës shqiptare se ishte në kontakt edhe me dy vende të tjera, nga të cilët të paktën njeri do të kishte pranuar të kryhej në territorin e vet demontimi.

Kjo do të kishte lehtësuar pozicionin e qeverisë shqiptare përballë qytetarëve të saj, por deri në fund asnjë vend duket se nuk ka pranuar të kryejë shërbimin, e kërkuar në gjithë botën nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte edhe një nga arsyet që Rama u detyrua të thotë “Jo” përballë protestës së gjerë popullore.
 
Shkrimi u publikua sot (17.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(ac/shqiptarja.com)