TIRANE- Ish-të përndjekurit politikë janë të pakënaqur nga mënyra se si po bëhet dëmshpërblimi i tyre për vitet e burgut. Në një deklaratë për mediat ata kanë kërkuar rishikimin të dosjeve për revoltën e Spaçit, si dhe nga fondi prej 18 milionë dollarësh të përfitojnë të gjithë ish të dënuarit politikë dhe jo vetëm ata që janë mbi 80 vjeç.

“Të trajtohen dosjet e vonuara, ridënimet për terror në dy revoltat, Spaç 73, Qaf Bari 84.
Të trajtohen të gjithë të burgosurit që janë gjallë. Fondi 18 milionë dollar i alokuar në buxhetin e shtetit, të fillojë menjëherë trajtimin financiar të 2100 të burgosurve politikë që janë të gjallë dhe të përfundojë brenda muajt qershor. Nëqoftëse ju prisni që të vdesin ata dhe ju t’ua jepni fëmijëve të tyre, na vjen keq do detyrohemi t’i kërkojmë të drejtat tona në mënyrë demokratike. Të burgosurit politikë janë të lutur që të vijnë ditën e hënë, me datën 12 në Institutin e të Përndjekurve për të ngritur zërin”, tha Skënder Tufa.
 
Ata u kanë deklaruar se ditën e hënë, më 12 maj, do të mblidhen para selisë së tyre, për të ngritur zërin që t’u merren në konsideratë kërkesat e tyre.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)