Finlanda ka publikuar një video të forcave detare teksa kanë ndaluar në ujërat finlandeze një anije ruse të flotës hije, që disa ditë më parë kishin dëmtuar një kabllo telekomunikacioni nënujor kritik që lidhet me Estoninë. Kjo anije mallrash me flamur të Shën Vincentit dhe Grenadineve, kishte hedhur spirancën në ujërat e Finlandës ndërsa dëmtimi ishte shkaktuar në territorin e Estonisë.

Komisioneri i Policisë Kombëtare Finlandeze, Ilkka Koskimäki, tha në një konferencë për shtyp të mbajur disa ditë më parë se të gjithë 14 anëtarët e ekuipazhit të anijes janë ndaluar, duke shtuar se ekuipazhi është shtetas i Rusisë, Gjeorgjisë, Kazakistanit dhe Azerbajxhanit.

Incidente të tilla janë bërë më të shpeshta vitet e fundit, duke ngritur dyshime se ato janë rezultat i sabotimit dhe duke e shtyrë NATO-n të nisë një projekt në fillim të këtij viti që synon posaçërisht forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike nënujore.

Sipas MarineTraffic, e cila gjurmon lëvizjet e anijeve, anija Fitburg u nis nga porti rus i Shën Petersburgut të martën dhe po shkonte drejt Haifa-s në Izrael. Pasi u raportua dëmi, autoritetet finlandeze i dhanë udhëzime anijes të ndalonte dhe të ngrinte spirancën, dhe më pas morën kontrollin e saj, tha policia. Mediat finlandeze raportuan se anija u sekuestrua nga forcat speciale të policisë dhe roja bregdetare nga helikopterët.

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha se qeveria po e monitoronte nga afër situatën dhe se Finlanda ishte “e përgatitur për sfida sigurie të llojeve të ndryshme”. Policia tha se po e hetonte incidentin si dëm të rënduar kriminal, tentativë për dëm të rëndë kriminal dhe në telekomunikacion.

Kabllo i dëmtuar kalon midis kryeqytetit finlandez Helsinki dhe kryeqytetit estonez Talin. Ndërsa shkalla e dëmit nuk u bë menjëherë e qartë, incidenti ishte mjaft serioz për të shkaktuar defekte që u zbuluan nga ofruesi finlandez i telekomunikacionit Elisa, i cili operon lidhjen.

Modeli i përçarjes

Të paktën 10 kabllo nënujore janë prerë ose dëmtuar në Detin Baltik që nga viti 2023. Disa zyrtarë nga Skandinavia, shtetet baltike dhe Bashkimi Evropian e kanë drejtuar gishtin nga Rusia. Ata thonë se incidentet duket se janë pjesë e asaj që ekspertët e quajnë luftë hibride e Kremlinit kundër Perëndimit.

Rusia ka mohuar vazhdimisht përfshirjen, por disa nga anijet që kanë shkaktuar dëme në infrastrukturën nënujore në të kaluarën u zbulua se kishin lidhje me Rusinë. Vitin e kaluar, një kabllo energjie në Detin Baltik dhe disa kabllo të dhënash u dëmtuan pasi një anije e regjistruar në Ishujt Kuk tërhoqi spirancën e saj nëpër shtratin e detit për më shumë se 50 milje.

Zyrtarët finlandezë dhe evropianë thanë se anija, Eagle-S, ishte pjesë e flotës në hije të cisternave të karburantit të Rusisë, dhe Finlanda më vonë ngriti akuza ndaj anëtarëve të ekuipazhit të saj. Megjithatë, një gjykatë në Helsinki e rrëzoi çështjen në tetor, duke thënë se Finlanda nuk kishte juridiksion mbi këtë çështje.