Rruga që lidh qytetin e Kukësit me fshatrat e njësisë administrative Zapod është dëmtuar rëndë si pasojë e reshjeve intensive dhe prurjeve të lumit Luma në Grykën e Vanave, duke e bërë atë të pakalueshme.

Në terren kanë zbritur edhe prefekti i qarkut Kukës, Dritan Baji, i cili më herët deklaroi se situata më problematike paraqitet në bashkitë Kukës dhe Has.

Ekipi i Emergjencave Civile dhe Rrugëve Rurale të Bashkisë Kukës, me mjete teknike, ka nisur punën për hapjen e rrugës, me qëllim lidhjen e fshatrave të Njësisë Administrative Zapod me rrugën nacionale Kukës–Shishtavec.

Burime për Report TV bëjnë me dije se ky aks është bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe gurëve, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit.

Drejtori i Rrugëve Rurale, Bilbil Shahu, duke folur për situatën e rrugëve në fshatrat e Bashkisë Kukës, theksoi se të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore janë angazhuar për hapjen e disa akseve rrugore rurale dhe për normalizimin e qarkullimit.

“Ne aktualisht ndodhemi këtu, pasi për shkak të reshjeve të dendura kemi pasur shumë problematika në disa njësi administrative. Mbrëmë kemi punuar deri në orët e vona në Kolasian. Kemi qenë edhe te rruga ‘Pavarësia’, ku kemi punuar deri vonë nga rrëshqitjet e dheut. Në këtë moment kemi edhe njësinë administrative Malzi, që në orët e vona sapo të mbarojmë këtu, do vërsulemi për andej. Njësia Zapod në përgjithësi ka pasur probleme. Nga sot deri nesër ne ditë natë do të punojmë me fadromën dhe makineritë që kemi. Do marrim edhe gurë që t’i hedhim te këmba e urës se po na ikën”, tha mes të tjerash Shahu.

Ndërkohë, banorët e fshatrave Çërnalevë dhe Oreshkë bëjnë të ditur se gjatë periudhave me reshje të dendura shiu dhe bore përballen me vështirësi të mëdha, duke mbetur shpesh të izoluar deri në ndërhyrjen e ekipeve të emergjencave civile.

“Jam pensionist, i kam rënë në këmbë sepse nuk ka xhade kurrëkund. Kam ardhur vetëm për ilaçe. Nëse sëmuret ndonjë, vetëm me helikopter po të vish, por edhe helikopteri nuk ka ku zbret atje. Dy fshatrave ktej shteti nuk i vjen hiç në ndihmë”, tha njëri prej banorëve të zonës.

“Jam Kujtim Serani, jam shofer që bëj linjën nga Oreshka për në Kukës. Edhe dje u nisëm edhe kemi ngelur atje sipër ku është bllokuar rruga. Makina ime është lartë aktualisht. Fëmijët e shkollës kanë ngelur në Kukës. Bashkia po punon, shumë faleminderit. Janë rreth 100 banorë që mblidhen”, tha një tjetër banor.

Aktualisht, situata e motit në Bashkinë Kukës paraqitet e qetë, ndërkohë që sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten reshje bore, çka mund të sjellë problematika të tjera në akset malore dhe rrugët rurale.

R.Xh/A.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si po e menaxhon qeveria situatën e përmbytjeve?