VLORË- 47-vjeçari Adrian Baçaj nga Vlora po ndërtonte një rrugë kalimi dytësore, në fshatin Mifol me dalje në autostradën Levan-Vlorë. Deri këtu, kjo histori nuk ka asgjë për t'u çuditur, përkundrazi vlonjari meriton përgëzime për nismën që ka marrë, për të çuar rrugë në fshatin e tij.

Mirëpo në tentativën e tij për të bërë mirë, Baçaj ka shkelur ligjin, me apo pa qëllim,  pasi ka dëmtuar barrierat mbrojtëse të autostradës, duke u bërë burim aksidenti për përdoruesit e rrugës.

Për këtë arsye, sot atij i janë vënë prangat. Ndaj tij, rëndojnë akuza për 2 vepra penale, atë të "Ndërtimit të Paligjshëm" dhe "Shkatërrimit të rrugëve".

"Në vijim të punës për kontrollin e territorit, për evidentimin dhe  goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë, kanë bërë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i rrugëve” të shtetasit Adrian Baçaj, 47 vjeç, banues në Vlorë. 

Ky shtetas në fshatin Mifol, duke ndërtuar  pa leje një rrugëkalimi (dytësore), me dalje në autostradën Levan-Vlorë, ka dëmtuar edhe barrierat mbrojtëse të autostrdës duke u bërë burim aksidenti për përdoruesit e rrugës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.