Denaj premtoi garanci të tretë/ Fasonët: Na ndihmon, por shteti duhet të dalë garant 100%! Interes të jetë deri në 2%

TIRANË- "Ne po bëhemi gati për një garanci të tretë sovrane, e cila do të jetë më e targetuar”, tha Denaj një ditë më parë në Report TV.

Kjo masë e paralajmëruar nga Ministrja e Financave Anila Denaj një ditë më parë në Report TV, është mirëpritur nga biznesi fason, i cili pritet të përfitojë nga ky vendim, duke qenë se garancia e tretë do të fokusohet tek ndërmarrjet eksportuese. Florian Zekja nga shoqata ProEksport Albania thotë se kredia duhet të jetë e ngjashme me garancinë e parë. 

“Ne na intereson që kjo paketë të jetë e ngjashme me të parën nga e cila përfituan shumë biznese, sidomos ato të biznesit fason dhe kishte kushte të favorshme për biznesin në përgjithësi. Ishte një kredi që funksionoi dhe zgjidhi problemet në atë moment, ndërsa kredia e dytë sovrane ishte e ngjashme me një kredi normale, e cila nuk ishte e leverdishme për biznesin në përgjithësi sepse nuk aplikojë”, u shpreh Zekja. 

Kjo mbështetje e tretë buxhetore e cila ende nuk ka marrë formë përfundimtare sa iu takon kushteve dhe kritereve, por biznesi fason jep disa sugjerime, sipas tyre shteti duhet të dalë 100% garant për huanë dhe jo pjesërisht, pasi krijohen pengesa.

“Ne kërkojmë që të jetë me normë interesi më të ulët se 5%, normalisht nga 0-2% normë, të ketë një mbulim kolatererali nga ana e qeverisë 100%, sepse edhe nga kredia e parë po ashtu edhe e dyta kolaterali nuk u shfrytëzua 100%. E treta që duhet të përdoret jo vetëm për paga dhe për sigurime por edhe për investime, blerje të lëndës së parë apo rinovimin e teknologjisë që do e ndihmonte shumë biznesin fason dhe do e përshtaste me ofertat për veshjet sanitare por edhe për kontratat e reja që mund të kemi kohët e fundit”, deklaron anëtari i ProEksport Albania, Florian Zekja. 

Kujdes i veçantë sipas Zekjas duhet të tregohet edhe në analizat e riskut që bëjnë bankat në momentin e aplikimit për kredi, pasi shumë biznese nuk e kalojnë këtë fazë. 

“E rëndësishme do të ishte që analiza e riskut të ishte favorizuese për biznesin fason, pasi shumë biznese kanë mbetur tek analiza e riskut që bankat aplikojnë për dhënien e kredive”, tha Zekja. 

Sakaq pandemia vijon të mbajë në gjendje kritike eksportet e sektorit fason. Në 9 muaj këto ndërmarrje kanë eksportuar 15.1 miliardë lekë më pak se një vit më parë, dhe rënia më e madhe e tregtisë është regjistruar me Italinë. 

Intervista e plotë me anëtarin e ProExport Albania Florian Zekja 
Zoti Zekja një ditë më parë ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi në Report TV se do të ketë një garanci të tretë sovrane të targetuar tek eksportuesit. Cili është komenti juaj duke qenë se fasoneria është sektori më i goditur?
Edhe ne kemi këtë kemi arritur të perceptojmë edhe kur kemi zhvilluar takime online me ministren dhe kemi për perceptuar këtë mundësi që do të ketë një garanci të tretë sovrane, por detaje nuk na kanë dhënë pasi nuk është e definuar në qeveri. Ne na intereson që kjo paketë të jetë e ngjashme me të parën nga e cila përfituan shumë biznese, sidomos ato të biznesit fason dhe kishte kushte të favorshme për biznesin në përgjithësi. Kushtet ishin heqja e interesit dhe kolaterali i garantuar nga shteti. Ishte një kredi që funksionoi dhe zgjidhi problemet në atë moment, ndërsa kredia e dytë sovrane ishte e ngjashme me një kredi normale, e cila nuk ishte e leverdishme për biznesin në përgjithësi sepse nuk aplikojë. 

Me çfarë kushtesh e doni ju këtë garanci tjetër, përveçse të jetë e ngjashme me atë të parën? Me çfarë norme interesi pak a shumë që mund ta përballojë sektori juaj?
Ne kërkojmë që të jetë me normë interesi më të ulët se 5%, normalisht nga 0-2% normë, të ketë një mbulim kolatererali nga ana e qeverisë 100%, sepse edhe nga kredia e parë po ashtu edhe e dyta kolaterali nuk u shfrytëzua 100%. E treta që duhet të përdoret jo vetëm për paga dhe për sigurime por edhe për investime, blerje të lëndës së parë apo rinovimin e teknologjisë që do e ndihmonte shumë biznesin fason dhe do e përshtaste me ofertat për veshjet sanitare por edhe për kontratat e reja që mund të kemi kohët e fundit. 

Në fakt ende nuk ka detaje të ditura, por deri në çfarë tavani do të sugjeronit që të ishte kredia. Ajo e dytë ju jepte mundësinë bizneseve të merrnin kredi deri në 300 milionë lekë për investime dhe garancia e tretë do të jetë po për investime, me çfarë tavani propozoni ju?
Unë them që ky tavan do të ishte i mjaftueshëm për biznesin fason sepse nuk i duhet për të blerë ndërtesa, por i shërben për likuiditet, për blerjen e lëndës së parë dhe për teknologjinë. E rëndësishme do të ishte që analiza e riskut të ishte favorizuese për biznesin fason, pasi shumë biznese kanë mbetur tek analiza e riskut që bankat aplikojnë për dhënien e kredive. 

Meqenëse garancia është e mirëpritur për sektorin tuaj dhe do t’ju japë një ndihmë nëse është me këto kushte që thoni, por në çfarë gjendje ndodhet sektori juaj në këto momente?
Biznesi fason ndodhet në një situatë që ne e kishim parashikuar edhe më parë. Kemi parasysh që sektori i modës në Itali do të ketë një rënie me 45%, Gjermania në recesion 8-9%, Spanja po ashtu dhe Franca, kështu që do të jetë një pasqyrim i politikave që kanë vendet perëndimore aty ku janë edhe klientët tanë më të mirë. E rëndësishme është që në këtë periudhë është të përthithim ato pak oferta për pajisje sanitare që më parë prodhoheshin në Kinë dhe vendet aziatike të tjera. Nëse ne do të arrijmë ti përthithim këto dhe me pak mbështetje nga qeveria do të mund të shohim një dritë jeshile për sektorin fason, pasi kjo krizë do të vazhdojë edhe për dy vite të tjera, dhe nëse ne lëvizim shpejt dhe me efikasitet do të mund të shpëtojmë shumë vende pune.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha 'garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës', shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive

Kushtetuesja tha 'garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës', shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive