Dënimet për krime lufte në Kosovë

Dënimet për krime lufte në Kosovë

Foto ilustruese

Nga seriali i DW-s një vështrim mbi krimet e luftës dhe dënimet: UNMIK, EULEX e institucionet e Kosovës kanë paraqitur dhjetëra raste për krime lufte, por dënime ka pasur shumë pak. Pse?

Kush përjeton një luftë, atij i ndryshon përgjithmonë jeta. Më shumë se 21 vjet kanë kaluar nga lufta e Kosovës, por pasojat ende janë prezente. Në jetët e njerëzve, dhimbjen që la ajo për familjarët, por edhe shkatërrimin  e kudogjendur. Ende ka shumë pyetje të hapura për kohën e luftës në Kosovë. Një serial i Deutsche Welle-s u kushtohet pikërisht këtyre pyetjeve të hapura për të gjetur një përgjigje nga ekspertët e studimet mbi krimet e luftës, dënimet e deritanishme, dhunimet seksuale, varrezat masive e shkatërrimin e pronës. Bekim Shehu vazhdon me një përmbledhje mbi dënimet për krime lufte në Kosovë.

"Amnistia e Krimeve të Luftës në Kosovë", titullohet një hulumtim, në të cilin shpalosen detaje rreth proceseve dhe gjykimeve të krimeve të luftës në Kosovë. Hulumtimi i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) pëfshin tre periudha, atë të pasluftës kur Kosova administrohej në tërësi nga misoni i OKB-së (UNMIK) deri në vitin 2008, periudhën e misionit të BE-së (EULEX), kur kompetencat në drejtësi i kishte tërësisht ky mision si dhe periudha pas marrjes së kompetencave nga institucionet e Kosovës.

"Prej tetorit të vitit 1999 deri në qershor 2020 janë dënuar nga gjyqtarë të UNMIK-ut, EULEX-it dhe ata vendorë, me aktgjykime të formës së prerë gjithsej 40 persona. Prej tyre 35 janë shqiptarë dhe katër serbë”, thuhet në këtë hulumtim. Drejtori ekzekutiv i institutit IKD, Ehat Miftaraj, shpjegon për Deutsche Wellen rrjedhën e këtyre proceseve.

"Prej vitit 2000 deri në vitin 2008, UNIMK-u ka qenë autoriteti, i cili ka trajtuar çështjet e krimeve të luftës. Ky mision ka ngritur aktakuza ndaj 3 serbëve, 19 shqiptarëve dhe një malazezi". Por për të gjitha këto raste misioni i UNMIK-ut ka dënuar vetëm një person për krime lufte, një të akuzuar shqiptar. Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut, përgjegjësitë në këtë fushë janë kaluar tek misioni i Bashkimit Evropian (EULEX), i cili ka funksionuar prej vitit 2009 deri në vitin 2018. Por ky mision ka pasur kompetenca ekzekutive deri në vitin 2014.

EULEX-i gjatë kësaj periudhe ka ngritur aktakuza për krime lufte kundër 11 serbëve, 39 shqiptarëve, një malazezi dhe një personi nga komuniteti RAE. Ndërsa pas kalimit të kompetencave tek autoritetet e Kosovës, në vitin 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur deri në qershor të vitit 2020 aktakuza për krime lufte kundër 39 personave. Por asnjë person deri më sot nuk është dënuar me vendim të prerë. "Nëse i shikojmë këto statistika, del se 70% e personave të akuzuar dhe gjykuar për krime lufte janë shqiptarë të Kosovës, 20% janë serbë dhe 10% të grupeve të tjera etnike", shpjegon Ehat Miftaraj.

Amnistia e kriminelëve

Në hulumtimin "Amnistia e Krimeve të luftës në Kosovë”, konstatohet se të dy misionet ndërkombëtare nuk i kanë ushtruar sa duhet përgjegjësitë e tyre në ndjekjen e personave të dyshuar për krime lufte. Ehat Miftaraj thotë, se këto misione duket se "kanë dashur të ruajnë status-quonë", që e ka dëmtuar drejtësinë.

"Këto dy misione e kanë pasur si duket primare idenë që të ruhet status quo-ja, edhe përmes mos-veprimit apo mos-hetimit të krimeve të luftës në Kosovë, në njëfarë mënyrë, të arrihet një pajtim ndërmjet palës serbe dhe shqiptare. Kur i shtohet kësaj edhe fakti që në luftën e fundit kemi pasur së paku 13 mijë viktima shqiptare dhe të tjera, krime lufte që janë ndërlidhur me spastrim etnik dhe vepra të tjera penale, e në fund rezulton që kemi vetëm një person të dënuar për krime lufte, atëherë mund të themi lirisht se këto dy misione kanë ofruar amnisti të plotë ndaj atyre që kanë bërë krime lufte”, thotë Miftaraj.

Po këtë logjikë thuhet se kanë ndjekur edhe institucionet e Kosovës, pas marrjes së përgjegjësive nga misionet ndërkombëtare. "Asnjë qeveri dhe asnjë institucion nuk e ka pasur në agjendë trajtimin e krimeve të luftës”, pohon Miftaraj.

Përvojat e shteteve të tjera

"Edhe shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë janë ballafaquar me të njëjtat probleme: Serbia, Kroacia dhe Bosnje- Hercegovina. Por ato kanë hartuar dhe miratuar strategji në nivel qeverish apo kuvendesh dhe kanë ndarë mjete financiare për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar të akuzuarit për krime lufte në territoret e tyre. Në anën tjetër Kosova  e ka neglizhuar këtë çështje tërësisht”, thotë Ehat Miftaraj. Ai merr si shembull Kroacinë, e cila pas luftës, brenda tre vitesh, ka hetuar, ndjekur dhe dënuar afërsisht 1000 persona që kanë kryer krime lufte.

Një hulumtim të ngjashëm "Pasqyrë e Gjykimeve për Krimet e Luftës në Kosovë në Periudhën 1999-2018”, nga monitorimi i pothuajse të gjitha gjykimeve për krime lufte në Kosovë, e ka bërë edhe organizata Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH). Koordinatorja e projektit Anka Kurteshi Hajdari, thotë se "problemi kryesor për një numër kaq të vogël të aktvendimeve janë dëshmitarët, të cilët ose kanë harruar se çfarë ka ndodhur, ose nuk duan të dëshmojnë. Por problem i madh është edhe mungesa e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë si dhe mungesa e prokurorëve që merren me këto lëndë”.

Mungesat e sistemit të drejtësisë

"Edhe tash e kemi një situatë kur vetëm një ose dy prokurorë merren me krime lufte, që nuk mjafton. Arsyeja është për shkak se dëshmitarët po zvogëlohen. Njerëzit po vdesin, ndërsa hetimet po vështirësohen me kalimin e kohës”, thotë Hajdari. Kosova ende nuk ka rregulla ligjore për gjykime në mungesë për krime lufte. Kjo paraqet një vështirësi shtesë në ndjekjen e të dyshuarve për krime lufte, të cilët ndodhen jashtë Kosovës. Kohë më parë, shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, pati thënë se "një ndryshim i këtij ligji do të ishte i mirëseardhur”.

"Projekt-kodi i Procedures Penale”, në kuadër të të cilit është duke u trajtuar edhe çështja e gjykimit në mungesë, ende është në shqyrtim në Departamentin Ligjor të Ministrisë së Drejtësisë. Thuhet se është në fazën finale të shqyrtimit, por ende nuk është miratuar në Kuvend. Një nen që rregullon gjykimin në mungesë i është shtuar Kodit të Procedurës Penale në maj të vitit të shkuar, por ai nuk është zbatuar deri tani.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pohon se arsyeja është, "se nevojitet plotësimi i kushteve, të cilat në praktikë vështirë mund të realizohen ashtu siç janë përcaktuar, në rastet kur personi që kërkohet gjendet në Serbi”. Në qershor të vitit 2020, Komisioni i Venecias ka dhënë një Opinion, lidhur me ligjin e Kosovës për gjykime në mungesë, ku thuhet se "sipas standardeve dhe ligjit ndërkombëtar për të drejtën humanitare, gjykimi në mungesë në vetvete nuk konsiderohet i papajtueshëm me të drejtën për një gjykim të drejtë”. Por siç shpjegonte shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, "ky lloj gjykimi lejohet vetëm në rrethana të veçanta dhe me kusht që të ofrohen masa mbrojtëse efektive procedurale për të pandehurit”.

Mbrotja e dëshmitarëve

Një çështje tjetër problematike, që lidhet me krimet e luftës në Kosovë, është mbrojtja e dëshmitarëve. Pasiguria e dëshmitarëve thuhet se është arsyeja e vendosjes së selisë së Gjykatës Speciale në Hagë. Drejtori Ekzekutiv i IKD, Ehat Miftaraj, kritikon edhe misionet ndërkombëtare edhe institucionet vendore për këtë. "Kosova sot e ka programin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe komisionin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Por ky komision nuk e ka pasur në trajtim deri tani asnjë dëshmitar të mbrojtur, që dëshmon se Kosova ka problem sistematik dhe mungesë guximi për të hetuar profilin e lartë të të dyshuarve për krime. Dështimi i mbrojtjes së dëshmitarëve ka ekzistur edhe në kohën e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe ka vazhduar si duket edhe me Gjykatën Speciale, ndaj selia e saj është vendosur në Hagë”, thotë Miftaraj.

Fillimi i punës së Gjykatës Speciale

Dhomat e Specializuara kanë filluar ndërkohë proceset gjyqësore kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në Kosovë po zhvillohet një debat i brendshëm nëse Gjykata Speciale, me seli në Hagë, është "një-entike”, sepse ajo do të trajtojë vetëm pretendimet e Raportit të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori Dick Marty. Në këtë raport ai përmend vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Me këtë debat "nëse Gjykata Speciale është njëetnike”, nuk pajtohet drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj. Ai i tha DW: "Nuk e besoj se drejtësia duhet të trajtohet në atë mënyrë, që të thuhet se së pari duhet të gjykohen krimet që i kanë bërë serbët, e pastaj shqiptarët. Me rëndësi është që drejtësia të kryejë punën e vet dhe të gjykohen të gjithë që kanë bërë krime. Gjykata Speciale nuk i parandalon gjykatat e Kosovës edhe Serbisë që të vazhdojnë me gjykimet në kompetencat e tyre. Une mendoj se klasa politike dhe shoqëria civile është dashur që këtë energji që po e shpenzojnë në këtë debat, ta orientojnë drejt bashkëpunimit mes prokurorive të Kosovës dhe Serbisë dhe të ndiqen penalisht ata që kanë bërë krime lufte - qoftë nga pala serbe që sigurisht kanë bërë më shumë krime apo dhe nga pala shqiptare, nëse ka raste të personave që kanë bërë krime. Duhet të dënohen të gjithë ata që kanë bërë krime, atje ku ka prova”, thotë Blakaj.

Ngjashëm mendon edhe Ehat Miftaraj. "Gjykata Speciale, mund të jetë një-etnike dhe mund të gjykojë vetëm krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së. Por Republika e Kosovës ka mandat, ka kompetenca, ka përgjegjësi dhe obligim që t'i hetojë të gjitha krimet e luftës në Kosovë. Opinioni, politikanët edhe ata, të cilët sot janë në Hagë, duhet ta kuptojnë se Kosova duhet të ketë vullnetin që të hetojë, ndjekë dhe gjykojë ata që kanë bërë krime në Kosovë, pavarësisht se cilit grup etnik i takojnë”, thotë Miftaraj.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t'i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë