Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, është shprehur në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, se vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë për dënimin me 81 vite burg të 4 ish-krerëve të UÇK-së, është një vendim me ngarkesa të mëdha politike.
Bimo tha se gjatë gjykimit nuk u morën parasysh dëshmitë e 4 emisarëve amerikanë, të cilët thanë se zinxhiri komandues i UÇK-së nuk kishte lidhje me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Pyetja e parë që shtrohet është se kush është raporti mes politikës dhe drejtësisë në dënimin që është dhënë. Në rastin konkret ne kemi realisht viktima në Kosovë për periudhën për të cilën bëhet fjalë. Mars 1998-prill 1999. Ato viktima kënë një autor. Ajo që e bën qesharake këtë proces, është që disa njerëz pa asnjë lloj lidhje në zinxhirin e komandës, siç kanë vërtetuar të 4 dëshmitarët nga SHBA, që këta njerëz nuk kishin asnjë lidhje me zinxhirin komandues më poshtë.
Sepse UÇK sipas vlerësimit të tyre, nuk kishte një organizim të mirëfilltë dhe zinxhiri i komandës nuk kishte lidhje me këta të katërt. Hashim Thaçi ishte një figurë politike. Padyshim që ata kanë bërë një vepër heroike, që i dolën përballë një makine agresive ushtarake si ushtria serbe. Ajo që e diskrediton fajësimin e këtyre të katërtve është mosmarrja parasysh e dëshmive të 4 emisarëve amerikanë. Është një dënim me ngarkesa të jashtëzakonshme politike”, tha mes të tjerash Bimo.
Lajmi kryesor:
Dënimi me 81 vite burg i 4 ish-krerëve të UÇK, Hajdari: Çështja nisi me një përrallë për transplant organesh, provat në Hagë të servirura nga agjencitë serbe








