TIRANE - Denis Alimadhi, djaloshi 11-vjeçar i cili humbi jetën gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në sy pasditen e së mërkurës ka reaguar keq ndaj anestezisë duke kaluar në hipetermi malinje (rritje e temperaturës së trupit gjatë operacionit) me temperaturë mbi 42 gradë, duke shkaktuar kështu tre arreste kardiake të cilat i morën jetën vogëlushit.

Mjekët iralandezë, të cilët asistuan në këtë ndërhyrje, reaguan sot nëpërmjet një konference, duke u shprehur se ishin njohur me rastin e Denisit që prej vitit 2006. Ata sqarojnë gjithashtu se e kanë operuar fillimisht në vitin 2007, ndërsa në 2008 kishin filluar procedurat për operacionin e dy ditëve më parë, i cili i mori jetën vogëlushit. Djaloshit i është dashur të presë 4 vjet për ndërhyrjen në sy, pasi mjeku specialist nga Irlanda, ishte shumë i zënë dhe vetëm këtë javë mundi të mbërrinte në Tiranë.

Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, vetë ministri, Vangjel Tavo por dhe zyrtarët e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza" reaguan sot në lidhje me vdekjen në sallën e operacionit të Denis Alimadhit. Ai do t'i nënshtrohej një operacioni estetik në sy për hapjen e qepallave, e njohur shkencërisht si "ptosis palpebral" .

MJEKU IRLANDEZ: E KEMI NDJEKUR RASTIN PER 4 VJET, KOMPLIKACIONI I PAPARASHIKUESHEM
Ekipi i mjekëve irlandezë ka reaguar në lidhje me vdekjen e 11-vjeçarit Denis Alimadhi. Jack McCann, kirurgu që kryeson ekipin vullnetar të mjekëve irlandezë shpreh ngushëllimet familjes Alimadhi për humbjen e jetës së birit të tyre. Sipas ekspertëve iralandezë, komplikacioni ishte i paparashikueshëm, ndërsa shprehen se e kishin operuar edhe më parë vogëlushin në vitin 2007. Kirurgu irlandez, shpjegon se mjeku që mori përsipër ndërhyrjen kirurgjikale në sy për Denisin ishte një mjek me shumë eksperiencë në vendin e tij.

“Do të doja t’i dërgoja ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së 11-vjeçarit, i cili vdiq dy ditë më parë. Dua të sqaroj të gjithë se kemi takuar për herë të parë djaloshin në vitin 2006 dhe e kemi operuar në 2007-ën dhe sërish e operuam këtë javë, ndërhyrje gjatë së cilës ai vdiq. Në 2008 unë kontaktova me kolegët e mi që ishin të specializuar dhe për të gjithë procedurën që do të ndiqej. Kështu, që vetëm këtë javë specialisti mund të vinte në Tiranë duke qenë se ishte edhe shumë i zënë, pasi 11-vjeçari kishte pritur për katër vjet me radhë për të bërë këtë ndërhyrje. Komplikacioni ishte i paparashikueshëm dhe ndoqëm gjithë protokollin e duhur mjekësor.”Kështu ka deklaruar mjeku irlandez I cili mori pjesë në konferencën e parë të kirurgjisë maxilo-faciale.

SHEHU: MENDOHET SE SHKAK I VDEKJES ESHTE HIPERTERMIA MALINJE

Tritan Shehu doli sot para medias si profesor i anestezisë dhe reanimacionit, për të sqaruar paraprakisht shkakun e vdekjes së 11 vjeçarit. Ndërkohë që shkaqet e sakta do të dalin nga rezultati i autopsisë. “Kemi të bëjmë me një ndërlikim shumë të rëndë, i rrallë në procedurat e anestezisë, që quhet hipertermi malinje. Ndërlikimi qe shumë i madh dhe mund të parashikohet shumë pak. Ndodh në pacientë që megjithëse kanë jetë normale gjatë anestezisë mund të paraqesin këtë ndërlikim.” - sqaron Shehu. Në një konferencë për shtyp nga ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë ai tha se hipertermia u paraqit me një agresivitet shumë të lartë, dhe megjithëse u bënë të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar nuk u arrit. “ Sipas Shehut ekipi mjekësor që po kryente operacionin ishte i specializuar dhe “ Nuk ka ndonjë antidot të veçantë special, por ka një numër medikamentesh specifike, dhe disa nga ata janë përdorur por efekti i tyre është i dyshimtë nëse mund të shpëtojë jetën.”

TAVO: KOMPLIKACIONI ISHTE I RRALLE E I VESHTIRE
Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo ka reaguar në lidhje me vdekjen në spitalin francez në QSUT të 11-vjeçarit Denis Alimadhi nga Bërzhita e Tiranës, gjatë kryerjes së një operacioni estetik në sy.
Tavo tha se rasti i komplikacionit të ndodhur gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të vogëlushit, njihet me emrin hipertermi malinje, rasti i rrallë dhe sipas tij, i vështirë për tu përballuar.
Ky lloj ndërlikimi ka të bëjë me rritjen e temepraturës trupore gjatë operacionit. Hipertermitë, janë pasojë e ngritjes së akordimit të qendrës së termorregullacionit në nivel më të lartë se ethet, ose pasojë e çrregullimit te raportit mes prodhimit dhe lirimit të nxehtësisë nga organizmi.
Ministri i Shëndetësisë tha gjithashtu se në operacionin estetik për hapjen e qepallave të syrit, asistuan mjekë të QSUT-së dhe disa mjekë vullnetarë të specializuar, ndërsa shtoi se do të merren masa.
“Mjekët kanë qenë shumë të specializuar. Ministria e Shëndetësisë do të marrë masa, gjithçka është aksidentale. Komplikacioni njihet si hepertermi malinje. Komplikacion i rrallë dhe i vështirë për tu përballuar.”, u shpreh Tavo.
Ai shtoi se ministria ka ngritur një grup pune që do verifikojë vdekjen e Denisit. Këto deklarata Ministri i Shëndetësisë i bëri nga qyteti i Shkodrës, ku shoqëronte Ambasadorin Amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu në inagurimin e një qendre telemjekësie.

NENDREJTORI I QSUT: DENISI PESOI VDEKJE KLINIKE

Edhe nëndrejtori i Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës Besim Boçi reagoi sot paradite për vdekjen e Denisit. Sipas tij fëmijës i ishin bërë analizat para operacionit, Sipas Bocit, por temperatura e lartë i kishte shpërthyer në mes të operacionit. Nëndrejtori i QSUT-së thotë se fëmija pësoi vdekje klinike. “Fëmijës iu bënë analizat para operacionit por në mes të operacionit paraqiti temperaturë të lartë. Fëmija u operua nga mjekë irlandez e shqiptarë dhe në operacion temperatura i shkoi 43 gradë”- sqaroi Boçi duke shtuar se “Pas problemeve në operacion 11 vjeçari ishte dërguar edhe në reaminacion por nuk mbijetoi. Ai pësoi vdekje klinike” Nëndrejtori thotë se familjarët kishin ngelur të kënaqur nga 2 ndërhyrjet e para dhe kishin firmosur për futjen në operacion të fëmijës. Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune për tëverifikuar ndarjen nga jeta të 11 vjeçarit.

MJEKET: VDEKJA E DENISIT NGA HIPERTEMI MALINJE
Shkaku kryesor i humbjes së jetës të Denis Alimadhit nga  Bërzhita e Tiranës zbulohet sot nga gazeta Shqiptarja.com (print).
Burime pranë QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë shpjegojnë se njihen rastet kur "shumë rrallë dhe në mënyrë të paparashikuar, në pacientët e predispozuar gjenetikisht, anestezia e përgjithshme mund të shkaktojë hipertermi malinje që kërkon procedurë reanimimi dhe trajtim specifik, pasi në mjaft raste është edhe fatale për jetën e pacientit" - shpjegojnë ata. Duket se e njëjta gjë ka ndodhur me 11-vjeçarit.

"Sapo i është bërë anestezia, 11 vjeçari ka kaluar hipertermi, pra temperaturë të lartë, deri në 42 gradë. Dhe pavarësisht tentativave të mjekëve për t'ia ulur, kjo ka qenë e pamundur. Pas hipertermisë, i mituri ka bërë tre herë rresht arrest kardiak dhe si pasojë ka humbur edhe jetën", - shpjegojnë burime zyrtare pranë QSUT-së. Gjithashtu ata thonë se mjekët irlandezë kanë kërkuar edhe një medikament special gjatë kohës kur ka ndodhur komplikacioni, por ai është një lloj medikamenti, i cili nuk është fare i regjistruar në vendin tonë dhe si pasojë nuk mund të gjendet.

PIPERO: EKIPI DUHEJ TE KISHTE MARRE MASA
Pëllumb Pipero, drejtor i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë shprehet se ky lloj komplikacikoni nga anestezia njihet në mjekësi, por është përgjegjësi e ekipit mjekësor që e ka marrë përsipër të bëjë ndërhyrjen kirurgjikale, pa pasur medikamentin në fjalë. "Komplikacionet nga anestezia ndodhin dhe njihen në fushën e mjekësisë. Sa i përket medikamentit në fjalë, që mjekët irlandezë e kanë kërkuar në momentin që ka ndodh komplikacioni, kjo gjë duhej të ishte marrë në konsideratë më parë dhe jo në momentin që ka ndodhur problemi. Është përgjegjësi e ekipit mjekësor që kanë marrë përsipër këtë ndërhyrje, pa siguruar më parë edhe këtë ilaç që mund ta shpëtonte. Sigurisht që rreziku për të ndodhur një reagim negativ ndaj anestezisë është 1 në 15 mijë raste, por mjekët duhet të jenë të përgatitur për gjithçka", - shpjegon më tej Pipero.

DESHMIA E NENES: S’NA PARALAJMERUAN PER RREZIKUN
Në një intervistë dhënë për televizionin A1Report, nëna e 11-vjeçarit, Shehe Alimadhi thotë: “E vizitoi ky doktori irlandez. Isha unë me burrin brenda dhe na tha që do tja operojmë të dy sytë dhe do t’i marrim fije dhe tja vendosim që t’i hapet kapaku. Analizat ja bëmë tek Amerikani, ato që na thanë. Dhe tha pa problem, bëri shtrimin, ne 1 e 10 hyri në operacion. Neve nuk na kanë njoftu asnjë, as doktori as anestezisti. Dhe na thotë që Denisi është shumë rëndë, i ka pushu zemra dy herë dhe e kemi kthy në jetë duke na e shpjeguar me duar se nuk po e kuptonim. I them a ka rrezik për jetën dhe tha po. I thashë po pse e morët përsipër, për një operacion plastik ma çuat çunin në këtë gjendje. Doktori tha është një rast i rrallë ky, ose e ka trashëgu ose e ka të lindur . I thashë që ky ka bërë edhe operacion tjetër me irlandez. Domethënë është përmend që djali do ia hapi sytë tamam dhe kur të flerë gjumë do i mbesin pak hap por, do i jepnim një ilaç dhe me kalimin e kohës do ishte normal. Rreziku për vdekje nuk është përmend . Padinë kurrë nuk do e tërheqi, mua djali nuk më vjen më, por të paktën të rri e qetë.”

PER DENISIN KY ISHTE OPERACIONI I DYTE
I mituri nuk ishte hera e parë që i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale. Ai ka bërë edhe një tjetër ndërhyrje kirurgjikale para disa vitesh në shërbimin e maxillo-faciale në QSUT, për shkak se kishte lindur me gojë ujku, ndërsa gjatë muajit tetor kishte bërë një lidhje me anë të telemjekësisë me mjekët irlandezë, të cilët pasi e kishin parë pacientin, e kanë marrë përsipër ndërhyrjen, duke e konsideruar një rast fare të thjeshtë.

DANTROLENE ILACI I MUNGUAR

Burime konfidenciale spitalore, thonë se hipertermia malinje mund të parandalohet me një ilaç të veçantë të quajtur “dantrolene” i cili ka ulur ndjeshëm rastet e vdekjeve të shkaktuara nga hipertermia malinje gjatë anestezisë.

Shkrimi u botua fillimisht në orën 08:22 dhe u përditësua në vazhdim

Redaksia online
(Gre.M/ek/sg/Shqiptarja.com)