TIRANE- Gjykata e Tiranës ka dënuar 2.4 vite burg dy ish-inspektorët e drejtorisë së Arsimit që shisnin diploma kundrejt shumës 1 milion lekë. Baki Egra dhe Ervin Bregu, janë dënuar së bashku me nga 1.2 vite burg për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Po ditën e djeshmë në gjykatën e Tiranës është shpallur dhe vendimi për dënimin me 8 vjet burg shtetasin Fatos Lika, që ekzekutoi me armë shokun e tij Agim Visha. Shkak i kësaj vrasje ka qënë një konflikt për pronën, në fshatin Surrel. Pas vrasjes Lika është larguar në drejtim të paditur ndërkohë 5 muaj nga kryerja e krimit ai është vetëdorëzuar në policinë e Tiranës.

Dy inspektorët
Sipas dosjes së njësisë hetimore Task-Forcë ish-inspektorët Baki Egra dhe Ervin Bregu janë denoncuar nga shtetasja me inicialet M.A., e cila pretendon se të pandehurit i kanë kërkuar 1 milion e 100 mijë lekë në këmbim të një dëftese të shkollës së mesme. Në pretencën e saj prokuroria tha se të pandehurit kanë marrë 900 mijë lekë nga shuma e kërkuar, e cila është premtuar se do të paguhej ndaj drejtuesve të shkollës së mesme Yzberisht.

“Nga hetimet provohet se në periudhën shkurt-tetor 2012 shtetasit Baki Egra dhe Ervin Bregu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërkuar shumën prej 110 mijë lekësh dhe kanë marrë vlerën e 90 mijë lekëve nga shtetasja M.A. me qëllim ndikimin te funksionarë shtetërorë të shkollës së mesme në Yzberisht, për të mundësuar pajisjen e saj me dëftesë të shkollës së mesme”- thuhet në dosjen e prokurorisë. Pas analizimit të fakteve gjykata e Tiranës ka gjetur fajtor, dy të pandehur duke i dënuar ata në total me 2.4 vite burg.

Vrasja e Vishës
Gjatë ditës së djeshme gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor të pandehurin Fatos Lika, pasi ky i fundit në provat e administruara nga prokuroria ka rezultuar se ka vrarë shtetasin Agim Vizha. Sipas dosjes së prokurorisë së kryeqytetit ngjarja ndodhi në Surrel, në Dajt, pas një grindje për motive pronësie.  Autori I kësaj ngjarje,  ka qënë në kërkim prej 5 muajsh, ndërsa policia ka kryer edhe negociata për vetëdorëzimin e tij.

Ngjarja për të cilën ndodhi grindja mes tyre, e ka zanafillën në shitjen e një trualli në zonën e Linzës ku Visha ka qenë në rolin e sekserit të shitjes, dhe për të cilët ka patur pretendime dhe Lika. Sipas prokurorisë Visha është marrë me shitblerje trojesh dhe tokash duke kryer ndërmjetësim mes njerëzve të ndryshëm që kishin interesa të tilla, si dhe punonin për realizimin e dokumentacioneve ligjore të këtyre trojeve.

Shkrimi u publikua sot (21.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)