Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, i ka paraqitur ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Raportin e Zgjerimit për Shqipërinë për vitin 2026. Ajo theksoi se Shqipëria ka ruajtur përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ndërsa kërkoi që qytetarët të informohen më mirë për ndikimin e reformave në jetën e tyre.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ambasadorja bëri të ditur se e ka nisur javën duke vendosur në krye të agjendës rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“E nis javën duke vendosur në krye të agjendës sime rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Sot i paraqita ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Raportin e Zgjerimit 2026 për Shqipërinë. Shqipëria ka ruajtur përputhjen e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke treguar gjithashtu angazhim të fortë për integrimin evropian në këto fusha”, shkruan de Sousa.
Ambasadorja theksoi gjithashtu nevojën që qytetarët të kuptojnë përfitimet konkrete të reformave që ndërmerren në kuadër të procesit të integrimit.
“Shfrytëzova gjithashtu rastin për të ritheksuar se tani, më shumë se kurrë, qytetarët duhet të dinë se si reformat e ndërmarra në kuadër të integrimit në BE ndikojnë pozitivisht në jetën e tyre”, përfundoi ambasadorja.
Ministri Hoxha e cilësoi këtë raportor si vlerësimin vjetor më gjithëpërfshirës, të detajuar dhe të gjerë mbi progresin e vendit dhe nivelin e përgjithshëm të përgatitjes së tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Raporti duhet lexuar si një i tërë. Duhet të mirëpresim progresin thelbësor dhe domethënës të arritur, i cili konfirmon se jemi në rrugën e duhur dhe se Shqipëria është e aftë jo vetëm të marrë angazhime, por edhe t’i përmbushë ato. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm, realistë dhe të vendosur përballë sfidave që mbeten, duke i adresuar ato përmes proceseve gjithëpërfshirëse, angazhimit konstruktiv dhe dialogut të mirëfilltë”, shkroi Ministri Hoxha në rrjetin social X pas takimit.
Sipas tij, udhërrëfyesi i Komisionit drejt vitit 2027 na jep një drejtim të qartë, pasi për herë të parë, objektivi ynë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 është pasqyruar në një dokument të BE-së si një objektiv ambicioz, por i arritshëm.
“Arritja e tij do të kërkojë përpjekje të vazhdueshme, reforma cilësore dhe, mbi të gjitha, zbatim efektiv dhe të qëndrueshëm”, theksoi Ministri.

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, e ka cilësuar progresraportin e BE-së për vitin 2026 si vlerësimin më gjithëpërfshirës të përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit. Pas marrjes së raportit nga ambasadorja Sofia Moreira de Sousa, Hoxha theksoi se vendi ka bërë progres të rëndësishëm, por duhet të përballet edhe me sfidat që mbeten.
“Shqipëria është e aftë jo vetëm të marrë angazhime, por edhe t’i përmbushë ato”, shkroi ai në rrjetin X.
Hoxha veçoi faktin se objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 është pasqyruar për herë të parë në një dokument të BE-së si “ambicioz, por i arritshëm”, duke theksuar se realizimi i tij kërkon reforma cilësore dhe zbatim të qëndrueshëm.








Komente
Komento