Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka denoncuar një skandal sipas tij pasi prej 9 vjetësh rruga Korçë- Ersekë është e papërfunduar.

Duke rikujtuar një deklarate të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, sipas cilës në Dhjetor të vitit të kaluar deklaroi se kishin përfunduar 91% e punimeve dhe tha se vetëm për pjesën e mbetur janë akorduar 17 milionë euro shtesë për 9% të punimeve.

“Rruga e cila është tenderuar në vitin 2013 Korçë- Ersekë prej 9 vitesh vazhdon të jetë e papërfunduar. Jo vetëm të jetë e papërfunduar, por nëse tenderimi për rrugën ka shkuar dhe ka qenë për lotin e dytë 19 milionë euro, në dhjetor ministrja ka thënë që 91% e punimeve ka përfunduar, ndërkohë që tani jepen 17 milionë euro në mënyrë abuzive për një segment të vogël rrugor dhe kështu po bëhet për çdo punë publike në këtë vend”, deklaroi Salianji.

Një tender i ri i Autoritetit Rrugor Shqiptar shpalli të enjten fitues kompaninë ANK për ndërtimin e një segmenti rrugor 6.5 metra të gjerë me gjatësi afro 12 kilometra për të lidhur Korçën me Ersekën. Rezultati i tenderit tregon se katër kompani pjesëmarrëse hodhën oferta fare pranë fondit limit.

Në garë morën pjesë katër kompani: ANK, 4 A-M, Gener dhe Gjoka. Të katërta hodhën oferta financiare që variuan nga 0.01 deri në 0.04% më të ulëta se sa fondi limit i caktuar nga ARRSH. Por tre nga katër ofertat u skualifikuan pasi kompanitë konkurruese nuk kishin dorëzuar një ose disa nga dokumentet e kërkuara nga ARRSH, gjë që e la ANK-në konkurrent të vetëm dhe fitues me një ofertë prej vëtëm 632 mijë lekësh më të ulët se sa fondi limit prej gati 2.2 miliardë lekësh.