TIRANE -  Detaje të reja e tronditëse vijnë në lidhje me vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi gjatë protestave të opozitës kundër qeverisë më 21 Janarin e dy viteve më parë, ku mbetën të vrarë gjithashtu edhe 3 protestues të tjerë. Motra e të ndjerit Veizi, Trëndafile Muhameti (në foto) denoncon në televizionin A1 REPORT! manipulimin e kryer gjatë ekspertizës me rrobat e vëllait të saj. Sipas saj këmisha e kuqe me me vija të bardha që tregohet në videon e aktekspertizës nuk i përket Ziver Veizit. E revoltuar ndaj drejtësisë, ajo tregon se atë ditë Ziveri mbante veshur një triko dhe poshtë saj një këmishë fanellatë me kuadrata, pasi ishte ajo që përkujdesej për të ndjerin, meqë ai ishte divorcuar prej kohësh nga e shoqja.

Sipas saj, video e akteskpertizës e cila u transmetua ekskluzivisht dje në televizionin informativ A1 REPORT! është një dëshmi e gjallë e manipulimeve të provave, ndërsa eksperti Ndoc Çardaku, i cili shfaqet i filmuar duke kryer ekspertizën mbi këmishë, sipas saj duhet të arrestohet. Ajo është shprehur mjaft e zhgënjyer nga drejtësia shqiptare, ndërsa kërkon që të hidhet sa më parë dritë mbi të vërtetën e kësaj çështje.

Ndërkohë le të shikojmë sa i saktë është konstatimi i motrës së Ziver Veizit, duke bërë një krahasim me pamjet që tregojnë Ziverin të shtrirë para derës së kryeministrisë. Siç shihet me sy të lirë në trupin e Veizit spikat vetëm ngjyra e gri e trikos, e zezë e xhupit të tij dhe e bardha në jakën e këmishës, ashtu siç e përshkruan e motra. Pra në momentin që Ziveri ka rënë i pajetë para Kryeministrisë nuk shihet asnjë ngjyrë e kuqe në veshjen e tij, siç pretendon ekspertiza përmes kësaj këmishe.

ziver veizi me logo
(Foto, Ziver Veizi i shtrirë i pajetë para Kryeministrisë, dhe nuk duket asnje këmishë e kuqe. Djathtas: këmisha e kuqe në ekspertizë)

Sekuencat e shkëputura nga filmimet e protestave të 21 Janarit, tregojnë qartë se ngjyra e kuqe bie në sy në rrjetat Brenda ambienteve të kryeministrisë, e kuqja në pjesën e postbllokut sërish në Kryeministri, si dhe një qeskë në dorën e një prej protestuesve pranë viktimës sërish bie në sy nga ngjyra e kuqe, por në veshjen e Ziver Veizit nuk duket aspak kjo ngjyre që ekspertiza pretendon përmes këmishës.

kryeministria kue 21 janar
(Foto, e kuqja që duket me sy të lirë në ambientet e Kryeministrisë dhe jashtë saj)

Po ashtu për të vërtetuar këtë fakt, le të shohim edhe një pamje nga turma, ku e kuqja bie në sy sado larg të jetë ajo. Me pak fjalë, motra e Ziverit ka të drejtë dhe na ka bindur se këmisha e kuqe me viza të bardha nuk i përket atij.

turma 21 janar
(Foto, e kuqja e dukshme me sy të lirë në turmën e protestuesve)

Përreth dy vjet çështja e 21 Janarit, protestave të opozitës kundër qeverisë ku mbetën të vrarë 4 demonstrues para Kryeministrisë ka ngjallur polemika të shumta e pakënaqësi jo vetëm tek familjarët e tyre por edhe në radhët e politikës si dhe ndërkombëtarëve, të nxitura së fundmi nga vendimi i Gjykatës e cila i dha pafajësi ish-komandantit të gardës Ndrea Prendi dhe ish-gardistit Agim Llupo, të akuzuarit e drejëpërdrejtë për vrasjen e protestuesve.

CARDAKU: PROVAT ERDHEN ME VULEN E PROKURORISE
Vetë eksperti Ndoc Çardaku i cili akuzohet drejtpërdrejtë nga Prokuria se ka manipuluar provat duke vendosur një ashkël druri në këmishën e Ziver Veizit, në një prononcim në media deklaroi sot se provat materiale kanë ardhur të mbyllura në 3 thasë me vulë të Prokurorisë. Duke treguar se si vijnë provat në Institutin e Policisë Shkencore, aty ku edhe ekzaminohen, Cardaku thekson se nuk pranon asnjë provë që nuk vjen konform ligjit. Cardaku thotë më tej se filmimi i procesit të ekspertizës mbi këmishën e Ziver Veizit është bërë në prezencë të dy prokurorëve. Eksperti përshkruan edhe veshjen që i ndjeri kishte veshur: Triko e punuar me shtiza, pallto e zezë dhe këmisha e ekspertizës. Përshkrimi që ai i bën rrobave të ekzaminuara është i njëjtë me veshjen e Ziverit, përveç ngjyrës së këmishës.

PROKURORIA: EKSPERTI CARDAKU KA VENDOSUR ASHKEL NE KEMISHEN E ZIVERIT
Reagimi i motrës së Ziver Veizit vjen një ditë pas publikimit të videos së akt-ekspertizës nga eksperti Ndoc Çardaku në rrobat e Ziver Veizit, të transmetuar ekskluzivisht nga televizioni informativ A1 REPORT ! Videoja u vu në dispozicion nga Ministria e Brendshme pas kërkesës që televizioni A1 REPORT! i bëri me shkrim këtij institucioni.

Është pikërisht ky moment i akt-ekspertimi që prokurorët akuzojnë ekspertin Ndoc Çardaku se me veprimet e tij ka vendosur vetë dy copëzat e ashklave të drunjta në këmishën e Ziverit, duke i nxjerrë më pas si prova materiale. Fillimisht pamjet tregojnë momentin kur eksperti Ndoc Çardaku ka identifikuar ku është ashkla dhe ka bërë lëvizjen e saj drejt vrimës dhe e lëviz me doreza për arsyen se ashkla e drurit është e vështirë për t’u lëvizur me gishtërinj. Më pas e eksperti kriminalist kërkon klemën në përfundim për të hequr ashklën nga këmisha e të ndjerit Ziver Veizi. Gjatë ekspertimit, video ka momente të turbullta të pamjeve filmike ndëra për disa momente me gishta të fiksuar në këmishën e Ziver Veizit, eksperti Ndoc Çardaku duket qartë se është në pritje për të gjetur diçka në një vrimë në këmishë, ku nuk duket asgjë. Pas kësaj, nga ndihmësi i tij eksperti kërkon një klemë me anë të së cilës nga brendësia e këmishës nxjerr dy ashkla të drunjta dhe i vendos si prova materiale mbi një letër duke i rrethuar si prova materiale e më pas filmimi ndërpritet. Eksperti dëgjohet të thotë: "Më jep një klemë i çikë.. edhe një letër"

21 janari ekspertiza kemisha ashkla ndoc cardaku
(Foto, këmisha e Ziverit para ekzaminimit dhe pas nisjes së ekspertizës nga Çardaku/ në rreth të kuq ashkla pas konstatimit nga eksperti)

TRENDAFILE MUHAMETI: TURP PER DREJTESINE E MUNGUAR

Ndërkohë dje, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Shqiptarja.com, Trëndafile Muhameti (në foto) bën fajtorë Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, komandimin e Gardës së Republikës dhe vetë gardistin që sipas saj ka qëlluar me armë ndaj Ziverit.

Turp! Kështu shprehet motra e të ndjerit për drejtësinë e munguar, siç e cilëson ajo vendimin e pafajësisë dhënë për komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo.

Në rrëfimin e saj prekës, Trëndafile Muhameti tregon se vëllai i saj erdhi nga emigracioni pa e ditur që do të “pushkatohej nga padrejtësia e Gjykatës”.

SHKRIMI I MOTRES SE ZIVER VEIZIT
Kush e vrau Ziverin?.Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Komandanti i Gardës, apo Gardisti?..TURP!..Drejtësia po zhytet e mbytet në llumin e kohës. "Xhungla" shqiptare kullon gjak e lot. Edhe kafshët e pyllit bashkëpunojnë e veprojnë me ligje të pashkruara. Këtu ekziston ligji, po kur thotë Maliqi. Për këtë u kthye Ziveri nga Greqia. U nis më 17 janar për t'u takuar me njerëzit e tij dhe u kthye më datë 20 janar për të marrë pjesë në protestë. Më 20 janar, ai nuk e dinte që do të vritej në bulevard para derës së kryeministrit. Por ai nuk e dinte që do pushkatohej edhe një herë tjetër nga padrejtësia e Gjykatës së urdhëruar, edhe pse i vdekur për qejf të pushtetit me histori të rrallë, edhe në arenën ndërkombëtare...Ne të gjallët, vëllezërit, motrat, fëmijët, fisi, protestuesit e 21 janarit, shokët e tij, nuk jemi të qetë...Zullumet e Zullumqarëve janë bërë det, e kështu nuk i lanë as lumë e as përrua. Shpresa dhe durimi kanë mbaruar. "Drejtësia" e di kush e vrau Ziverin, por nuk flet se i ka ikur zëri...Edhe ne e dimë!..E njohim....Thuhet këtej nga Labëria:" Borxh pa larë e hak pa marre, nuk ka! "

Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)