TIRANË – Fushat e vetme sportive, që i kanë mbetur Tiranës, do të shndërrohen në zona banimi shumëkatëse, tha sot Artan Lame, anëtar i grupit të punës për Programin e PS-së. Duke cituar në detaje, Planin e ri Rregullues të Tiranës, Lame kërkoi të dijë publikisht nga bashkia, sqarimin e çështjeve konkrete. Së pari, "për lulishten para Bibliotekës Kombëtare, caktuar për banim, shërbime publike dhe qëllime fetare me struktura deri 9 kate; së dyti, zonën e gjelbër tek SHQU dhe fusha e Zezë prapa hotel "Dajtit", caktuar për banim, shërbime publike, monument kulture dhe qëllime fetare; së treti, fushën e sportit prapa stadiumit "Qemal Stafa", caktuar për banim dhe shërbime publike".

"Me këto dy fusha",- tha Lame, -"zhduken të fundmet fusha sporti brenda qytetit, ato që rëndom i kemi quajtur "fusha të zeza". Për secilën nga zonat e mësipërme dhe për të gjitha ato që kemi denoncuar deri tani, ne thjesht kemi cituar Planin e sapomiratuar. Bashkia le të nxjerrë një hartë të vetme, një rresht të vetëm nga po ky Plan, ku thuhet se ato do të mbeten lulishte".

"Vazhdojmë të ftojmë këdo nga ekipi Basha-Malltezi", - përfundoi ai, -"të ulemi në një tryezë publike, në çfarëdo televizioni të duan, për të debatuar për të gjitha denoncimet e bëra me përgjegjësi të plotë prej nesh".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)