TIRANE - Asnjë prej institucioneve shtetërore nuk u ka kthyer përgjigje. Ka qenë vetëm Avokati i Popullit, i cili e ka marrë në shqyrtim peticionin e firmosur nga 37 punonjësit, që nga 1 marsi do të jenë pa punë.

Ndërsa drejtuesit e tyre, të cilët kanë vulosur shkarkimin, si dhe formosur listën e emrave që do të pushohen, nuk i kanë pritur për t’ju dhënë asnjë sqarim. Megjithëse punonjësit i kanë “zënë pritë” Imamit, por edhe zëvendësministrit, në aktivitete të ndryshme që kanë pasur, si e vetmja mënyrë për t’i takuar, nuk kanë marrë asnjë përgjigje, edhe pse u është premtuar se do të urdhëronin drejtorin e tyre Engjëll Matraxhiu.

Megjithatë, kjo ende s’ka ndodhur e pak ditë e ndajnë ditën e tyre të largimit nga puna, kohë kur nuk lejohet të kalojnë postblloqet apo portat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pranvera Hallvaxhiu, me detyrë Teknike Printimi pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, ka treguar për “Shqiptarja.com” mënyrën, se si e morën vesh lajmin për largimin nga puna. Ndërkohë, thekson, se askush nuk i ka pritur për një takim.

Zj.Pranvera, pasi morët vesh që do të largoheshit nga puna në fund të shkurtit 2013, keni kërkuar takim me ministrin?
Në i kemi bërë një kërkesë për takim, Ministrit të Mbrojtjes, Kryeministrit, si dhe Presidentit, ku prisnim të thonim se çfarë na kishte ndodhur dhe të na ndihmonin. Por, asnjë nga këta nuk na ka kthyer asnjë përgjigje.

Ju kur jeni pushuar nga puna?

Më daten 26 nëntor të 2012, kemi marë paraljamërimin, se data 28 shkurt 2013 është dita e fundit e punës për ne.

Keni kontrata pune?

Kontratë pune nuk kemi aktualisht, por quhen të mirëqena ato të para dy viteve.

Sa vite keni ju që punoni në këtë institucion?
Unë kam mbi 30 vite punë në këtë institucion, konkretisht që në vitin 1984.

Cila është arsyeja që ju kanë dhënë për pushimin nga puna?
Nuk na kanë dhënë asnjë arsye, thjesht na kanë nxjerrë listën e të pushuarve te muri i institutit dhe prandaj ne i jemi drejtuar mediave. Sepse, presim që zotëria që është drejtor, të bëjë takimi me punonjësit dhe t’u thotë pse e ka bërë këtë.

Në njoftimin që kanë nxjerrë te muri, thotë që ju në strukturën e re, nuk do jeni. Ata kanë pushuar 37 veta dhe që të gjithë janë inxhinierë dhe teknikë me përvojë e ndërkohë që nuk jepet asnjë lloj shpjegimi.

Ne e kemi kapur ministrin një ditë në një konferencë, i kemi dalë përpara. Ai tha, që do jap urdhër që drejtori të takohet me ju, por deri tani ne nuk kemi bërë ndonjë takim me të, sepse ai nuk pranon. Kemi kapur edhe zëvendësministrin, por po e njëjta gjë. Na tha do ju kthej unë përgjigje dhe deri tani asnjë nuk ka kthyer përgjigje.

INXHINIERI, ERJON QOSJA: NA LARGUAN NJË MUAJ PAS EMËRIMIT

Erjon Qosja, me detyrë inxhinjer mekanik pranë Institutit të Studimeve e Projektimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, emri i të cilit gjendet mes 37 të pushuarve nga puna, tregon për “Shqiptarja.com”, se ata janë emëruar në muajin tetor, ndërsa në nëntor është mësuar për pushimin. “U njoftuam për largimin nga puna më 26 nëntor 2012. Vunë disa shpallje, megjithëse ne jemi me kontrata.

Ndërkohë që nuk na kanë dhënë asnjë arsye për këto largime”, thotë Qosja, sipas të cilit, “punëtorët kanë kërkuar takim me drejtorin, po ai nuk i ka pritur”. Më tej, ai thotë se, 37 të pushuarit nga detyrat e tyre, i kanë dërguar edhe një peticion ministrit Arben Imami, Kryeminstrit të vendit, Presidentit edhe Avokatit të Popullit, por vetëm nga Avokati i Popullit kemi marrë një përgjigje, nga të tjerët jo.

Megjithëse në njoftime flitet për një reformë të thellë, Instituti i Studimeve dhe Projektimeve nuk do shkrihet, por nga 54 veta, do të mbahen në punë vetëm 17 dhe të tjerët do nga pushohen. Inxhinjeri tregon se asnjë lajmërim më parë nuk i është bërë stafit. Madje, ai shpreh habinë, pasi, “më 1 tetor të 2012 u emëruan në punë, ndërsa më 26 nëntor të 2012 nxorrën listat që me datën 28 shkurt 2013 do të jemi të pushuar nga puna”.

AVOKATI I POPULLIT: SHKONI NË GJYKATË

Pas peticionit të punonjësve, Avokati i Popullit iu ka kthyer përgjigje, se e ka shqyrtuar ankesën e tyre. Sipas korrespondencave, bëhet e ditur se ky institucion i ka kërkuar shpjegime Ministrisë së Mbrojtjes.
Kjo e fundit, me anë të një shkrese të datës 16.01.2013, i është përgjigjur se, “struktura e këtij institucioni do të ristrukturohet totalisht e shumë nga vendet e punës do të suprimohen”. Në këto kushte, Avokati i
Popullit u ka rekomanduar punonjësve gjykatën, si kompetentja për të zgjidhur konfl iktet.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/Shqiptarja.com)