TIRANE- Reagon efektivi i policisë së Korçës Kujtim Isai, i cili u denoncua publikisht nga shtetasja U.Gjata për ngacmim seksual. Në një lidhje telefonike, Shefi i Rendit dhe i Sigurisë Publike Kujtim Isai, ka mohuar faktin që ai ta ketë ngacmuar seksualisht vajzën e doganierit Urim Gjata, shtetasen U.Gjata. Sipas tij, ai as nuk e ka takuar këtë shtetase ditën kur ajo pretendon se është ngacmuar seksualisht nga ai përpara komisariatit të policisë Pogradec. "Unë jam në moshën 59 vjeçare dhe është turp për mua të merem me një gjë të tillë, siç pretendon familja Gjata. Kjo është një familje e degjeneruar dhe se babai i vajzës është një pijanec, që nuk bën gjë tjetër por kërkon të shkatërojë familjen time. Unë jam i martuar dhe se aktualisht jam gjysh"-shprehet efektivi i policisë së Korçës Kujtim Isai. I pyetur nëse ka pasur takim ditën kur U.Gjata pretendon se është ngacmuar seksualisht, Isai shprehet i prerë se nuk ka pasur asnjë takim me këtë shtetase. Më tej ai shton se babai i vajzës është një person që bën presione me fotografitë e kreministrit Sali Berisha që mban në shtëpi dhe në zyrën e punës. Ndërkohë që i pyetur lidhur me ndonjë konflikt të hershëm mes tij dhe babait të vajzës Urim Gjata, efektivi i policisë Kujtim Isai tregon se ai nuk di të ketë pasur ndonjë konflikt me këtë person.
Drejtori Metko
Ndërkohë që i kontaktuar nga gazeta Drejtori i Policisë së Qarkut Korçë z.Ylli Metko rreth kësaj çështje është shprehur se ai ka dijeni për një denoncim të tillë, por vetë ai personalisht nuk është marë me hetimin. Sipas tij në të tilla raste, tagrin e hetimeve e ka struktura e Kontrollit të Shërbimit të Brendshëm që është pjesë e ministrisë së Brendshme dhe jo Drejtoria e Policisë Qarkut Korçë. Drejtori Metko, ka shtuar se vendimet për hetimin ose jo të denoncimit, i mer vetëm SHKB, dhe në kushtet që ndodhet hetimi sot duhet vetëm që palët e konfliktuara të presion konkluzjonet përfundimtare.
Hetimet e SHKB
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, prej një jave ka nisur hetimet ndaj rastit të denoncuar në gazetën "Shqiptarja.com", ku vajza e një doganieri në Kapshticë akuzoi publikisht për ngacmim seksual shefin e rendit Kujtim Isai.Verifikimet kanë si qëllim nxjerjen e vërtetësisë së këtij denoncimi dhe përcaktimin e rolit të efektivit të Drejtorisë së Policisë së Korçës Kujtim Isai. Momentalisht hetimi është në fazën fillestare të tij dhe se shumë shpejt pritet të meret në pyetje, personi i akuzuar në këtë rast 59 vjeçari Kujtim Isai si dhe shtetasja U.Gjata që ka bërë denoncimin në komisariat. Kjo e fundit është marë njëherë në pyetje, në momentin kur ka depozituar denoncimin, ndërkohë që në rast se do jetë e nevojshme oficerët policisë gjyqësore të SHKB do kryejnë dhe ballafaqimin e palëve, për të parë si qëndron e vërteta rreth ngacmimit seksual. Burime pranë kësaj strukture thanë se deri në këto momente hetimi ndodhet vetëm në fazën e deklaratave të palëve, ku U.Gjata pretendon se është ngacmuar seksualisht nga efektivi i policisë Kujtim Isai, ndërsa ky i fundit edhe pse nuk është pyetur, pretendon se jo vetëm që nuk e ka ngacmuar por atë femër as e takuar asnjë moment atë ditë. Sipas ekspertëve të SHKB, në këtë rast mungojnë një sërë provash si dhe dëshmitarët për tia faktuar ngacmimin seksual efektivit të policisë Kujtim Isai. Por pavarësisht kësaj, hetimi rreth kësaj çështje do vijojë për të hedhur dritë mbi të vërtetën e këtij denoncimi.
(sg/shqiptarja.com)