Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të marrë 70 milionë euro kredi nga BERZH, për të financuar pasojat negative që ka shkaktuar pandemia COVID-19. Kjo hua nuk po merret për të përballuar krizën globale energjetike por për pasojat që pandemia shkaktoi në vitin e kaluar.
Kjo marrëveshje huaje është nënshkruar në 8 shtator dhe do të hyj në fuqi pas miratimit të projektligjit në Kuvend.
“Marrëveshja e huas dhe marrëveshja e garancisë, që janë nënshkruar me BERZH-n më 8.9.2021, kanë si qëllim sigurimin e fondeve në formën e kredisë me terma të favorshëm, për të mbështetur kompaninë për sigurimin e stabilitetit ekonomiko – financiar, në vlerë të përgjithshme deri në 70 000 000 euro”, thuhet në relacionin e projektligjit të depozituar në Kuvend.
Nëpërmjet kësaj kredie OSHEE do sigurojë likuiditetin e nevojshëm pas krizës së vitit të kaluar.
“Shoqëria OSHEE gjatë vitit 2020 është përballur jo vetëm me situatën e thatësirës së jashtëzakonshme, por kësaj situate iu shtua dhe situata e COVID-19, e cila pati efekte shtesë negative në financat e OSHEE Group, sh.a.-së, duke e përballur shoqërinë me një situatë të paimagjinueshme më parë. OSHEE Group, sh.a.-ja, ka marrë menjëherë masa të jashtëzakonshme për përballimin e situatës, duke pezulluar totalisht planin e investimeve për vitin 2020. Por këto masa zgjidhin situatën momentale të OSHEE-së për tejkalimin e situatës, por dhanë pasoja të rënda në stabilitetin teknik e financiar, si dhe arritjes së treguesve të saj, bazuar në planin e konsolidimit financiar të sektorit”, thuhet ndër të tjera në relacion.
Po ashtu 70 milionë euro do të përdoren edhe për përmirësimin e sektorit energjetik të Shqipërisë që shtrihet në drejtime të shumëfishta: strukturore, operacionale dhe financiare.
Kjo kredi po merret në kushtet kur e gjithë bota po kërcënohet nga kriza energjetike, ndërkohë që në Shqipëria është shpallur gjendja e emergjencës dhe janë pezulluar të gjitha investimet e OSHEE, OST dhe të KESH.