Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rritur me 0,1 pikë përqindjeje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2026, nga 3,4% që vlerësonte në qershor, në 3,5%. I njëjti ritëm rritjeje pritet edhe për vitin 2027. Sipas bankës, rishikimi lidhet me reformat dhe investimet që shoqërojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ekonomia shqiptare u rrit me 3,8% në vitin 2025 dhe me 3,7% në tremujorin e parë të këtij viti. Por rritja nuk është shpërndarë njësoj mes sektorëve. Administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi kanë qenë nxitësit kryesorë, ndërsa industria dhe bujqësia kanë vijuar të tkurren. BERZH e lidh dobësinë e këtyre dy sektorëve me forcimin e lekut, kërkesën e dobët në tregjet e huaja dhe rritjen e pagave, të cilat kanë shtuar presionin mbi konkurrueshmërinë.

Turizmi dhe paratë e dërguara nga emigrantët kanë ndihmuar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente në fillim të vitit. Megjithatë, deficiti i tregtisë së mallrave është zgjeruar, çka tregon se të ardhurat nga shërbimet dhe remitancat po kompensojnë vetëm pjesërisht dobësinë në shkëmbimet tregtare. Në tremujorin e parë, flukset neto të investimeve të huaja direkte u rritën me 11% në krahasim me një vit më parë, të përqendruara kryesisht te pasuritë e paluajtshme dhe ndërmjetësimi financiar.

Në të njëjtën kohë, presionet mbi çmimet janë forcuar. Inflacioni arriti në 3,4% në korrik, mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, i nxitur nga transporti, ushqimet dhe strehimi. Norma bazë e interesit ka mbetur e pandryshuar në 2,5% që prej mesit të vitit 2025. Kredia vijoi të rritet me ritme të forta në gjysmën e parë të vitit, ndërsa fitueshmëria e bankave u dobësua për shkak të kostove më të larta të financimit dhe provigjioneve.

Të ardhurat më të larta nga TVSH-ja sollën suficit buxhetor në gjysmën e parë të vitit, pas një deficiti prej 1,8% të PBB-së në vitin 2025. Borxhi publik zbriti në 49% të PBB-së në mesin e vitit.

Në raport, BERZH thotë se parashikimi për vitin 2026 është rritur me 0,1 pikë përqindjeje krahasuar me qershorin, për shkak të reformave dhe investimeve që lidhen me anëtarësimin në BE. Si rreziqet kryesore që mund ta ulin rritjen, banka rendit presionet mbi konkurrueshmërinë, rreziqet klimatike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë