Deputetë e ministra të majtë, me pranga 'të djathta'?!

Deputetë e ministra të majtë, me pranga 'të djathta'?!

SPAK

E kam dëgjuar nga mëhallalinjtë tiranas në Kryeqytet, vite më parë. Thonë se është kthyer në anekdotë humoreske dhe është përhapur gojë më gojë edhe në krahina të tjera shqiptare,: “Osmën Gazepi dhe Koco Kota shkuan një ditë në burgun e Burrelit. Ishte një nga burgjet e rinj të ndërtuar ashtu që as miza të mos hynte brenda. Ata ishin të interesuar që të bëhej sa më mirë.

-Sikur të na vinin të dyve në burg ?,-pyeti Osmëni Kocon.

C’thua, malukat, thyej gjuhën !

-E po burgu ashtu, si për ne do ndërtuar…

-I mencëm je zotrote.

-Do menduar zoti Kryeministër, si ta shkojmë pleqërinë. Ku i dihet kësaj dynjaje jallane…

-Gjuhëdjall ! T’u thaftë goja me gjithë mendjen !...

-Unë një fjalë lëshova, “mistrec”, dhe i mbeti në qafë tërë qytetit !,-u përgjigj Osmani.

-Druaj, se do na mbetet neve burgu,-tha Kocua si i pikëlluar…

                        E kujtuam pasditen e së shtunës, kur po flisnim për frytet e Reformës në Drejtësi. Një miku im, Profesor i nderuar në pension dhe që ka mbetur në apartamentin e “kohës së Enverit”, me kontribute jo të vogla në fushën e Arsimit dhe që unë e thërras me dashuri “o djali i Cotit të Beratit”(me origjinë përmetar), lexon rregullisht median e shkruar dhe kuvendon qetësisht e me plot argumente bindëse. Buzëqeshte me episodin e mësipërm dhe përpiqej të hynte në “valle” duke cituar shkrime e intervista konkrete, e aspak përrenjtë psikikë me pseudonime e baltovina në internet. Dhe citon shpesh me seriozitet një urtësi të mocme për Gazetarinë:” Mos harroni, lavdia dhe merita e disave është se shkruajnë mirë; e të tjerëve është se nuk shkruajnë fare”. Varu teneqenë atyre që gjithë jetën e shtynë si anonimë dhe nuk ngopeshin me letra anonime për jetët e të tjerëve !...”. Mirëpo, sebep i ndërrimit të bisedës u bë intervista e një deputeti ish ministër dinjitoz, që u pyet edhe për arrestimet e zyrtarëve të majtë, duke lëshuar definicionin se ky fakt i vërtetë “është një sinjal që Prokuroria po godet korrupsionin që si pas tij zhvillohet vetëm në pushtet”. Përgjithësisht, dakort deri këtu. Po pse, Shqipëriza jonë paska deputetë, ministra e zyrtarë të korruptuar, vetëm nga lëndinat majtiste ? Të jemi të sinqertë, kjo pyetje ka kohë që vërtitet hapur në opinionin publik edhe si një njëanshmëri zuzare e “namusqare”, militanteske e tinëzare. Njerëzia nuk është e verbër dhe as shurdhe ! Ajo shikon e irritohet përballë vilave në Gjirin e Lalëzit, në Lundër a Farkë, nëpër brigjet e deteve Adriatik e Jon, apartamentet luksoze në Kryeqytet e gjetkë etj. Gati të gjithë rrogëtarë e ish rrogëtarë në Shtetin e së “Drejtës”, katapultuar padrejtësisht në Polit(h)ikë, nëpër Parlamente dhe Qeveria të majta e të djathta, nëpër Drejtoria të Përgjithshme dikasteresh e institucionesh të varura e “të pavarura”, pa përmendur këtu merimangat familjare, fisnore e të krushqive, ato miqësore e me themele të dukshme financiare brenda interesave të fëlliqura dhe jashtë Ligjit që u përplaset në fytyrë kryesisht fukarenjve e njerëzve “pa shpatulla të ngrohta” ose të papunëve të thjeshtë në fshat e qytet ! Po pse, kulmi i korrupsionit dhe maja e ajsbergut të kësaj dukurie të shëmtuar, qenkërka te kryetari i Bashkisë së Bulqizës ?! Por rasti i tij me nëpunësit e tjerë, personalisht mendoj se nuk duhet të përdoret si ajo copa e kuqe nëpër duart e toreadorit përballë demave të hazdisur në abuzime e vjedhje. Përndryshe, politizimi i skajshëm të xnjerr zbuluar dhe aspak “fitore e madhe” e Prokurorisë apo e Gjyqësorit përballë Qeverisë së majtë!

                        Së pari, nga zotërinjtë e SPAK-ut e të BKH-së që paguhen çdo muaj majmërish në krahasim me cilindo në republikën tonë demokratike, nuk po jepet ende përgjigje para opinionit publik që gëlon e pret shpresëpashuar: Vetëm disa zyrtarë të majtë e bënë trokë Shqipërinë tonë hallemadhe ? Rrokullimat dhe vithimat ekonomike nuk mund të fshihen nga kujtesa popullore e historike, që nga “Ceku i Bardhë” e tepër mashtrues; rrafshimi i veprave industriale, bujqësore e blektorale dhe katandisja në skrap e fitime marramendëse në kohën e qeverisjes së djathtë; privatizimet ulëritëse nga individë kokë e këmbë të korruptuar e hajdutë me cizme, që i lanë punëtorinë dhe specialistët me gisht në gojë; ngritja e kështjellës hatabërëse të Piramidave mbi kurrizin e taksapaguesve-qytetarë fakirë e të ndershëm; pallatet e kullat vezulluese shumëkatëshe që shushatin e u bëjnë karshillëk të hapur atyre që nuk kanë vjedhur e nuk vjedhin asgjë shtetërore e publike etj. etj. Po cilit po i tunden e shkunden prangat ?! Të vazhdosh të heshtësh a të dorëzohesh përballë këtyre ujqërve të vjetër e të rinj që shpalosin flamurët “opozitarë”, vec të tjerave, do të thotë të ulësh në maksimum besimin e njerëzisë.

                        Së dyti, logjistikën e nevojëshme për magjistratët e Prokurorisë së Posaçme, nuk ua siguron dot opinioni i shëndoshë publik. Nëse “disa hetues nuk punojnë as me qejf”(sic u informuam javën që shkoi), përse nuk japin dorëheqjen ose ti largojnë nga detyrat jo të zakonëshme në Pallatin e Drejtësisë ? Po rrogat e majme, a i marrin me qejf cdo muaj ? Në kushtet e vendit tonë, për ata është investuar shumë nga brenda e jashtë Shqipërisë. Në një kohë kur me mijëra e mijëra pensionistë që kanë derdhur pa kursim djersë, mundim e sakrifica të mëdha nëpër mëmëdheun e dashur, mbijetojnë e mbyllin mezor muajin nëpër dyqanet e supermarketet ushqimore. Dhe as që bëhet fjalë për t’u veshur, për ilacet e pleqërisë apo për të rregulluar dhëmbët e dhëmballët e gojës ! Mirë ata që i ndihmojnë fëmijët, po qindra të tjerë që rrojnë të vetmuar në varfërinë, fatin e ndershmërinë e tyre të rrallë ?... Së fundi, kaq shumë të merakosur e të telikosur jeni vallë për “sekretin e hetimit”, sepse sipas drejtuesve të Prokurorisë së Posacme “në rast se njëri prej prokurorëve duhet të marrë në pyetje një person, kolegët e tjerë të zyrës duhet të dalin jashtë” ?! Nuk është as për të qeshur e as për të qarë. Ose më tej. Përse nuk guxojnë t’i përmendin me emra e mbiemra 8 ish gjyqtarë që “janë dërguar në Gjykatë” ? Apo kur na thuhet ne joanalfabetëve se “Janë rritur me 30 për qind çështjet lidhur me korrupsionin”! Statistika të tilla me rrënjë moniste e pluraliste nuk na gudulisin hiç. Shyqyr, që herë pas here, ca dosje bien nëpër duar “gazetarësh” (kupto: përgjues e tellallë të neveritshëm dhe shpërdorues të Ligjit) dhe rrjedhin çuditërisht nga mehmurët tuaj të pacipë e krejt të papërgjegjshëm ! Përse e mbani gojën kyçur dhe nuk na thoni asnjë me emër e mbiemër ? Njerëzit e korruptuar nuk janë vetëm shifra fjalimesh e raportesh për veprimtari zyrtare. Edhe pyetja në krye të shkrimit për deputetë e ministra të majtë me pranga “të djathta”, ka mbetur varur përballë opinionit publik dhe kërkon përgjigje. Teorizimet boshe dhe justifikimet me qoshe nuk i ha më njeri. Si i vlerësoni e i mbroni rrogat tuaja marramendëse në bordero e karta bankare ?...

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Njerëzia e percepton ndoshta ndryshe nga ju situatën e derisotme : Ai ha një ka dhe fshin buzët, ti ha një koqe fik e të hedhin byzylykë në duar!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • SPKU: 21/03/2023 20:02

    O kristooooo !!!!! Ku ti gjejë të Djathtët nuk më thua ?????

    Përgjigju
  • redi: 20/03/2023 18:38

    Prokurorett dhe gjykatesit ne amerike zgjidhen nga populli dhe kjo eshte me demokratikja,keshtu duhet vepruar dhe tek ne ,ndryshe nuk kemi per te pare drejtesine qe kerkojme per ata qe rropen dhe rrjepin Shwiperine .E dhathta erdhi ne pushtet si shorese dhe oati parrullen ta bejne Sgqiperine si gjith Europa dhe ne te vertete rriten standartet dhe me mire se europa per veten e tyre dhe pipullu mbeti fukara se oarat ha vodhen me teper te dhathtet se sa te majtet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)