TIRANË- Vendimmarrja e Sali Berishës për të bojkotuar seancat e fundit plenare, para se deputetët të shkojnë me pushime, është kundërshtuar ashpër nga disa prej ligjvënësve demokratë. Report Tv ka siguruar mesazhet mes deputetëve në një grup WhatsApp-i, ku Jorida Tabaku, Ina Zhupa dhe Bujar Leskaj kanë shprehur hapur pakënaqësinë për bojkotin duke e konsideruar një lëvizje të gabuar. Mesazhet mes tyre janë shkëmbyer mbrëmjen e së dielës, para bojkotit në seancën plenare të së hënës.
Tabaku i thotë grupit parlamentar se PD i di shumë mirë pasoja e bojkotit dhe mos marrja pjesë në seanca iu heq të vetmen platformë debati.
“Jorida Tabaku: Përshëndetje kolegë. Ne çdo rast unë mendoj që mospjesëmarrja na heq ne te vetmen platformë publike që ne kemi për debat! E kemi provuar shumë herë mosshkuarjen dhe i dimë pasojat! Ne duhet të përdorim cdo hapësirë që kemi për përballje! Nesër është një nga ditët ku raporton një sërë institucionesh dhe ka hapësirë për të gjitha temat që janë beteja të opozitës!”, shkruan Tabaku.
Ndërsa Leskaj, një tjetër zë që i ka dalë kundër Berishës edhe për bojkotin e territoriales si edhe dha dorëheqjen si drejtues politik i qarkut të Vlorës pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 2025-ës, shkruan se opozita duhet të jetë në sallë për t’iu dhënë zë edhe protestuesve.
"Per mendimin tim kjo eshte gabim. Sipas kesaj vendimarrjeje, Ne nuk do të flasim per KQZ (votimet e manipuluara ne diaspore -2025), ILD (mbrojtesja e korrupsionit ne gjyqesor ), AMF, BQ, INSTAT, si edhe per kryefjalën mbështetjen e protestës qytetare ?!? Cili eshte kuptimi, ideja, mesazhi ?. Gjithsesi klm", shkruan Leskaj.
Kritikën e tij e zgjeroi më tej në rrjetet sociale ku tha se bojkoti ishte një gabim politik dhe institucional.
“Do të mbështesnim në Kuvend protestën e madhe qytetare, që është në ditën e 45-të sot të saj. Si opozitarë në Kuvend kemi detyrimin të përfaqësojmë kërkesat dhe pakënaqësitë e qytetarëve në protestë. Kërkesat e tyre të drejta për abrogimin e katër ligjeve të qepura me dorë të sektit Rama janë edhe kërkesa tonat. Duhet kuptuar se çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe në Reformën territoriale kërkon domosdoshmërisht vulën dhe konfirmimin e Parlamentit Qytetar, që është në bulevardin e protestës dhe zgjedhjet e reja do të organizohen nga një qeveri teknike, e dalë nga kjo protestë. Qytetarët nuk i votojnë deputetët për të lënë bosh karriget në sallën e Parlamentit. Ata i zgjedhin për të ngritur shqetësimet e tyre, për të kundërshtuar ligje që i konsiderojnë të dëmshme dhe për të propozuar alternativa. Bojkoti nuk i zëvendëson këto detyrime", shkroi Leskaj.
Ndërsa Zhupa u kujtoi kolegëve se seanca plenare e 13 korrikut ishte e rëndësishme pasi do të diskutoheshin projektrezolutat për disa institucione të pavarura, si edhe çështjet e zgjedhësve.
"Në mbledhjen e kaluar të gjithë që diskutuam ishim kundër mos shkuarjes në seancë, po atë ditë vajti edhe vonë dhe s’kishte zgjidhje tjetër për atë seancë. Me idenë e ligjeve tona që nuk futen (si këto 13 vjet) nuk shkon se nesër s’ka ligje fare rendi i ditës. Është seancë për çështje të zgjedhësve dhe rezoluta për institucionet siç thotë Bujari me rëndësi për denoncime dhe qëndrime. Kështu i bie në shtator në seancë dhe s’di ca të mire na sjell si opozitë parlamentare!!! Edhe në dijeninë time janë edhe dy komisionet që ju mbaron afati, zgjedhore dhe territoriale që edhe nëse zgjaten dhe nëse mbyllen do jetë vendimmarrje e seancës plenare. Gjithsesi si ta gjykohet më e mira për opozitarizmin", thotë Zhupa.
Report Tv ka mësuar se kritika ka pasur jo vetëm nga radhët e demokratëve. Bojkoti është kundërshtuar edhe nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila gjithashtu i kërkon PD-së më shumë koordinim me grupet e tjera të opozitës për vendimmarrje të tilla.
Për këtë çështje reagoi sot edhe ish-deputeti Ervin Salianji. Sipas tij bojkoti bëhet për të fshehur pazarin e radhës me maxhorancën për Kodin Zgjedhor dhe Reformën Territoriale.
“Kundër bojkotit kanë qenë deputetët e grupit parlamentar, të cilët kanë kërkuar përballje politike me Edi Ramën në Kuvend. Megjithatë, Sali Berisha nuk i lejon të marrin pjesë, duke u fshehur pas justifikimit të frikës nga protestuesit dhe vezët, ndërsa në të vërtetë po mbron marrëveshjen e tij me Edi Ramën”, shkruan Salianji.
Grupi i PD nuk pati zyrtarisht asnjë reagim mbi kritikat, por disa orë pas publikimin të këtyre mesazheve, njoftoi se ka kallëzuar në SPAK Edi Ramën për disa vepra penale që lidhen me librin “ALBANIAN FILES”.




Deputeti i PD Bujar Leskaj ka reaguar publikisht kundër vendimit të Sali Berishës për të bojkotuar seancat plenare. Në seancën e djeshme, u diskutua puna vjetore e disa institucioneve, përfshirë e KQZ, ndërsa Leskaj shkruan se opozita nuk ishte në sallë për të denoncuar vjedhjet nga PS në zgjedhjet e 2025.
Ndër të tjera, Leskaj thotë se opozita duhet të jetë në Kuvend për tu bërë zëri i protestuesve dhe për të mbështetur kërkesat e tyre, nisur nga e para, dorëheqja e Edi Ramës.
“Bojkoti i djeshëm nga Partia Demokratike i seancës plenare të Kuvendit ishte një gabim politik dhe institucional. Ne duhej ta shfrytëzonim foltoren e Kuvendit për të përballur sektin Rama në qeverisje me argumenta, pyetje dhe kritika, por zgjodhëm mungesën, bojkotin.
Cili është kuptimi, ideja dhe mesazhi i këtij bojkoti? Më këtë vendimmarrje, humbëm mundësinë të denonconim fort disa raste:
Së pari, votën e manipuluar të Diasporës më 11 maj 2025. Në seancën e sotme do të diskutonim për Raportin Vjetor 2025 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të denonconim abuzimet dhe manipulimet e kryera me voten e mbi 240 mije përfaqësuesve nga Diapora në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025. Do të denonconim abuzimet dhe parregullsitë me administrimin e dërgesave postare. Rastet e vonesave të qëllimshme në shpërndarjen ose kthimin e zarfeve të votimit, shkaqet pse një pjesë e zgjedhësve në Diasporë nuk morën në kohë dokumentacionin për të votuar.
Do të denonconim abuzimet me verifikimin e identitetit të votuesit dhe zinxhirin defektoz të administrimit të fletës së votimit. Në sistemet e votimit me postë, transparenca e procedurës është vendimtare për të garantuar se vota është hedhur nga personi i autorizuar dhe se ajo ka mbërritur e paprekur, deri në administrimin zgjedhor. Patronazhistët e Ramës cënuan integritetin e zgjedhjeve, duke i grumbulluar ose ndërmjetësuar me zarfet e votimit dhe duke ndërhyrë në mënyrën e administrimit të tyre. SPAK duhet t’i hetojë me përparësi këto ndërhyrje, pasi kanë patur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, duke përbërë krim zgjedhor.
Do të vinim përpara përgjegjësisë KQZ, për mungesën e plotë të transparencës mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë. Procesi përfshinte regjistrimin elektronik dhe verifikimin e dokumentacionit. Kush i refuzonte dhe kush i pranonte aplikimet, sipas “rregjistrave” të patronazhistëve?
Do të kërkonim për të ardhmen përmirësimin e sistemit të gjurmimit të zarfeve postare në kohë reale; standardizimi i procedurave të verifikimit të identitetit; rritja e informimit të votuesve jashtë vendit; auditime të pavarura të procesit; si dhe një vlerësim i plotë nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë mbi funksionimin e votimit nga Diaspora.
Së dyti, do të denonconim punën e dobët dhe degradimin e institucioneve si AMF dhe INSTAT, institucione që duhej të mbronin qytetarin shqiptar nga pozitat pothuajse monopol të tregjeve financiare jobankare në Shqiperi (AMF) dhe duhej të përgatisnin tregues statistikorë të saktë e të besueshëm për vendim-marrjen financiare publike, qytetarët dhe studjuesit(INSTAT). Gje që s’e kanë bërë as gjatë vitit 2025.
Së treti, do të kritikonim dhe denonconim apatinë dhe mosveprimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucion tërësisht në mbrojtje të korrupsionit në Drejtësi.
Së katërti, duhej të denonconim gjendjen skandaloze financiare dhe korrupsionin e thellë në Radio Televizionin Shqiptar, institucion që mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Si dhe apatinë dhe skllavërimin nga sekti Rama të Autoritetit të Mediave Audiovizuale(AMA), institucion që nuk ka gojë të vihet kundër goditjeve të Ramës ndaj mediave të pavarura.
Së pesti, dhe më kryesorja, do të mbështesnim në Kuvend protestën e madhe qytetare, që është në ditën e 45-stë sot të saj. Si opozitarë në Kuvend kemi detyrimin të përfaqësojmë kërkesat dhe pakënaqësitë e qytetarëve në protestë protestë. Kërkesat e tyre të drejta për abrogimin e katër ligjeve të qepura me dorë të sektit Rama janë edhe kërkesa tonat. Mbështetja jone ndaj kërkesave të protestuesve mund dhe duhet të shërbejë për t'i kthyer ato në iniciativa parlamentare dhe propozime konkrete.
Me protestën e kemi domosdoshmëri të koordinohemi për kërkesën kryesore të saj, dorëheqjen e autokratit Rama. Si dhe për Kodin e Ri Zgjedhor, pasi tashmë nuk janë dy palë, mazhorancë-opozitë në këtë reformë themelore, por shtohet mendimi qytetar i protestës. Duhet të koordinohemi edhe për realizimin e qeverisë teknike, sipas përcaktimeve të protestës qytetare.
Duhet kuptuar se çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe në Reformën territoriale kërkon domosdoshmërisht vulën dhe konfirmimin e Parlamentit Qytetar, që është në bulevardin e protestës dhe zgjedhjet e reja do të organizohen nga një qeveri teknike, e dalë nga kjo protestë.
Koordinimi, edhe pse jo institucional, mes veprimit parlamentar të opozitës dhe angazhimit qytetar në protestë, duhet dhe do të rrisë presionin politik për transparencë, debat dhe llogaridhënie. Opozita ka në dispozicion instrumente si interpelancat, komisionet hetimore, amendamentet dhe debatin parlamentar dhe sot duhet t’i përdorë sa më dendur ato, e jo të bojkotojë seanca plenare të Kuvendit.
xx
Historia politike shqiptare ka treguar se bojkotet parlamentare rrallëherë kanë prodhuar rezultatet që kanë synuar. Përkundrazi, ato kanë krijuar boshllëqe në përfaqësimin e qytetarëve dhe kanë dobësuar vetë rolin kushtetues të opozitës.
Qytetarët nuk i votojnë deputetët për të lënë bosh karriget në sallën e Parlamentit. Ata i zgjedhin për të ngritur shqetësimet e tyre, për të kundërshtuar ligje që i konsiderojnë të dëmshme dhe për të propozuar alternativa. Bojkoti nuk i zëvendëson këto detyrime.
Koha sot është e Parlamentit Qytetar të protestës dhe e opozitës. Ajo po punon mbrapsht për sektin Rama, qeverinë , maxhorancen dhe Kuvendin si noter të rëndomtë të Ramës. Ne duhet të ecim me hapin e kohës. Dhe këtë nuk e bëjmë dot përmes bojkoteve”, shkruan Leskaj.
Komente











Kur flet edhe Ina Zhupa o pika pika u bë dhe ( Shega ), që të japi mëndje, rrini poshtë Çitjoneve të Sali Non Grada edhe kënaauni me pordhët e Mortjes !
PërgjigjuKto zonja dhe ky zoteria nqt ishin kuder vedimit te shkonin e te mernin prese ne seancen parlametare duke shkuar quhet qe dolen kunder por jo duke i shkruajtur njeri tjetrit
Përgjigju