Tirane- Komisioni i Sigurisë kaloi sot në parim marrëveshjen për emigrantët me Italinë. Deputetët e maxhorancës miratuan në parim marrëveshjen pas diskutimeve online pasi zhvillimi i mbledhjes në sallën e kryesisë së Kuvendit u pengua nga deputetët e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit.

Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço, i dha përgjigje pretendimeve të deputetëve të Sali Berishës e Gazmend Bardhit, duke garantuar se  marrëveshja me Italinë për emigrantët, nuk shkel Kushtetutën dhe asnjë nga konventat ndërkombëtare

Kjo marrëveshje respekton nenin 121, paragrafin 2 të Kushtetutës dhe ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Ne kemi marrëveshje të ngjashme të kësaj natyre, me Bashkimin Evropian për Frontex. Marrëveshje të ngjashme të BE me Turqinë për emigrantët nga Siria, apo Mbretëria e Bashkuar me Ruandën, tha  Nasip Naço,  Kryetar, Komisioni i Sigurisë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla tregoi se marrëveshja nuk sjell asnjë cënim për sigurinë.

"Në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk hyn dot askush që është i skeduar për veprimtari kriminale apo akte terroriste.  Që në momentin e parë që hyjnë në Shqipëri bëhet identifikimi i tyre. Nëse rezulton se është I skeduar nuk hyn në Shqipëri por kthehet mbrapsht menjëherë" tha Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Por, a ekziston mundësia që ndonjë prej emigrantëve që qëndrojë në Shqipëri për të punuar?

“Në të gjitha rastet personat largohen nga Shqipëria në momentin e marrjes së vendimit. Ata që pranohen shkojnë në Itali ata që u refuzohet kthehen në vendet e origjinës. Nuk ekziston asnjë mundësi që një nga 3 mijë të qëndrojë në Shqipëri. Nuk ka asnjë mundësi. Nuk ka, është e pamundur marrëveshja nuk e lejon. Të gjithë do të ikin nga Shqipëria sic do të vijnë” tha Balla.

Territori ku do të strehohen emigrantët me marrëveshjen me Italinë, pas përfundimit në fund të 5 viteve, do të shfrytëzohet nga Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile.

"Shtatë ha janë brenda një ish repartit bazës ajrore të Gjadrit  dhe kemi plane për të zhvilluar në të ardhmen disa aktivitete në funksion të forcave të armatosura, ministrisë së mbrojtjes dhe emergjencave civile"

Marrëveshja parashikon se në një moment numri i personave nuk mund të kalojë më shumë se 3 mijë. Koha e qëndrimit të tyre do të jetë në varësi të procedurës për leje qëndrimi në shtetin italian. Të gjitha shpenzimet paguhen nga Italia, ndërsa Shqipëria do të garantojë sigurinë në ambientet e jashtme të kampit, ku emigrantët nuk do të lejohen të dalin për asnjë moment.

Mbledhja u nis fizikisht në ambientet e kryesisë së Kuvendit por deputetët mbështetës të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës vijuan skenarin e kaosit.

Deputeti i Rithemelimit Flamur Noka u ul në vendin e Nasip Naços.

Nasip Naço: Fajin e kam unë. më jepni një krehër të krihem e i lajmë hesapet

Edmond Spaho: Fajin e keni dhe ju. Edhe këta që rrinë këtu e bëjnë shaka janë përgjegjës ku është kuvendi.  Po të ishim në opozita parimore nuk do të arrinim deri këtu. Kërkojini eprorëve të kthehemi  në normalitet. Krijoni komisionet hetimore parlamentare.
Vullnet Sina: Hajde flasim

Saimir Korreshi vijoi ti binte tavolinës.

“Është fatkeqësi e tyre dhe e jona që kemi këtë opozitë“ tha Nasip Naço për gazetarët duke njoftuar dhe zhvendosjen e mbledhjes në Zoom në orën 12:00. 

Ndërkohë sot Partia Demokratike dhe Rithemelimi depozituan dy padi në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen e emigrantëve. Ata akuzuan qeverinë se nuk ka pasur transparencë dhe kërkojnë nga GJK shqyrtimin nëse ky protokoll pajtohet me Kushtetutën e Shqipërisë. 

Opozita ka 100% të drejtë. Nuk besoj se Rama i do italianët më shumë se Prodi që e ka etiketuar si komike marrëveshjen. Nuk zgjidh problemet por është bërë për të zgjidhur agjendën personale të Ramës dhe Melonit” tha Ferdinant Xhaferraj në një prononcim për median në kryesinë e Kuvendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:32
'E bëmë që e bëmë, kishim bërë nja dy tre kampe se nuk bëhej qameti!' Batuta e Vullnet Sinës për marrëveshjen me emigrantët

 

Komisioni i Sigurisë miratoi në parim online marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Sipas marrëveshjes qendra ka kapacitet prej 3 mijë shtretërish. 

Deputeti socialist Vullnet Sinaj ishte pro dhe me batutë ngriti pyetjen: Pse 3 mijë e jo 6 mijë, 7 mijë

“E bëmë që e bëmë e kishim bërë nja dy tre kampe se nuk bëhej qameti. Kishim treguar veten taman” tha më tej.

“Nuk menaxhohet më shumë se kaq!’ u përgjigj Balla.

Gjithashtu ai përjashtoi edhe mundësinë që qoftë dhe një emigrant të qëndrojë në Shqipëri.

“Në të gjitha rastet personat largohen nga Shqipëria në momentin e marrjes së vendimit. Ata që pranohen shkojnë në Itali ata që u refuzohet kthehen në vendet e origjinës. Nuk ekziston asnjë mundësi që një nga 3 mijë të qëndrojë në Shqipëri. Nuk ka asnjë mundësi. Nuk ka, është e pamundur marrëveshja nuk e lejon. Të gjithë do të ikin nga Shqipëria sic do të vijnë”, tha Balla.

Ora 13:41
Qendra e pritjes së emigrantëve, 7 ha janë brenda bazës ajrore të Gjadrit! Ministri Peleshi: Pas 5 vitesh infrastrukturën do e përdorim ne

 

Vetëm 7 ha të ish repartit të bazës ajrore të Gjadrit është vënë në dispozicion të ngritjes së strukturës së akomodimit dhe shërbimit për emigrantët, tha ministri I Mbrojtjes Niko Peleshi në mbledhjen online të komisionit e sigurisë

Pjesë e protokollit është dhe fakti që kjo infrastrukturë që do të ngrihet, pasi të mbarojë efekti i protokollit 5 vjeçar do i ngelet palës shqiptare.

"Është brenda një ish reparti dhe kemi plane për të zhvilluar në të ardhmen disa aktivitete në funksion të forcave të armatosura, ministrisë së mbrojtjes dhe emergjencave civile' u shpreh ministri Peleshi.

Ora 13:12
'36 mijë emigrantë në vit?' Ministri Balla sqaron të vërtetën: Jo të gjithë që kapen në Mesdhe vijnë në Shqipëri

 

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u diskutua online nga komisioni I sigurisë pas kaosit që shkaktuan deputetët e Bardhit dhe të Berishës duke mos lejuar mbajtjen e mbledhjes fizikisht

Ministri sqaroi dhe të vërtetën për shifrën 36 mijë emigrantë që përflitet se do të vijnë në vit në Shqipëri.

“Kapacitet është 3 mijë. Në këtë qendër janë 3 mijë shtretër. Kam dëgjuar shpesh herë që thuhet 12 muaj herë 3 mijë janë 36 mijë. Nuk është kështu. Mund të rezultojë që një person të qëndrojë dhe 2 apo 3 muaj pasi lidhet me procedurat. Ligji Italian përcakton një periudhë 28 ditore por mund të qëllojë që të marrë më shumë. Duhet të lirohet një vend që të vijë dikush tjetër. Nuk bëhet fjalë që vijnë 36 mijë. Por ka një kapacitet akomodues prej 3 mijë vetash.Nuk bëhet fjalë që mund të vijnë kushdo që kapet në Mesdhe. Në Itali sot akomodohen në qendrat e pritjes 80 mijë persona, vetëm 3 mijë do të akomodohen në Shqipëri. Kontributi i Shqipërisë është 3- 4%. Pra është vetëm shprehje solidariteti dhe marrje përgjegjësie nga ana jonë. Nuk ka rrezik që persona që kapen rastësisht në Mesdhe të vijnë në Shqipëri. Ka një procedurë që e  bën qeveria italiane, një pjesë e tyre mund të vijë në Shqipëri sipas protokollit. Totali është 3 mijë e nuk mund të shkojë as 3001” tha Taulant Balla.

Ora 12:58
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, A ka rrezik të sigurisë kombëtare? Ministri Balla garanton: Rrini të qetë! Qendra monitorohet 24 orë

 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla garantoi se me ardhjen e emigrantëve nuk ka asnjë rrezik të sigurisë kombëtare dhe se nuk mund të hyjnë as element të skeduar për krime apo akte terroriste.

Gjatë bisedës online Balla tha se në momentin e mbërritjes bëhet identifikimi I tyre dhe nëse rezulton I skeduar ai kthehet mbrasht. Gjithashtu shtoi se qendra monitorohet 24 orë nga pala shqiptare.

Pranvera Resulaj: Çfarë do të ndodhë kur kemi ngjarje penale jashtë territorit, sa i kemi kapacitetet për të menaxhuar situatën me forcat policore tona. A konsiderohet rrezik të sigurisë kombëtare?

Taulant Balla: Në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk hyn dot askush që është i skeduar për veprimtari kriminale apo akte terroriste. Për këtë është parashikuar që në momentin e parë të mbërritjes së Republikës së Shqipërisë bëhet identifikimi i tyre. Nëse rezulton se është I skeduar nuk hyn në Shqipëri por kthehet mbrapsht menjëherë. Nga ky moment pasi të bëhet regjistrimi e verifikimi i tyre bëhet transportimi nga pala italiane shoqëruar nga policia shqiptare deri në qendrën e pritjes. Qendra e pritjes është juridiksion i Republikës italiane dhe ka përgjegjësinë për rendin e sigurinë. Në raste të vecanta është caktuar në protokoll si ndodh kur kërkohet ndërhyrja jonë.

Nuk ka asnjë rrezik të asnjë lloj aktiviteti kriminal të secilit prej tyre jashtë territorit të qendrës sepse qendra është 24 orë e monitoruar nga forcat e policisë shqiptare. Shpenzimet për kostot e këtij operacioni do të mbulohen nga qeveria italiane pjesë e këtij protokolli. Duhet të jeni të qetë se nu ka asnjë rrezik për kryerjen e asnjë aktiviteti kriminal jashtë këtij territori.

Ora 12:45
Marrëveshja me Italinë për emigrantët diskutohet online, e mbrojnë ministrat Peleshi e Balla

 

Në komisionin e Sigurisë ka nisur diskutimi online i marrëveshjes me Italinë për emigrantët.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe ministri I Mbrojtjes, Niko Peleshi mbron marrëveshjen

“Marrëveshje është tepër e rëndësishme. I jep Shqipërisë një vlerë të shtuar si një vend që synon të jetë pjesë e BE-së në një kohë të afërt” tha Balla

Nga ana e tij ministri Mbrojtjes Niko Peleshi tha se me këtë marrëveshje “kemi zero kosto por shumë përfitime morale në raport me Italinë dhe BE-në”