Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim të qarkut Tiranë i kanë drejtuar një letër institucioneve për çështjen e e banorëve të “Astirit”, të cilët tashmë janë futur në ditën e 30 të protestës përkundrejt projektit “Unaza e Madhe”.
Letra i drejtohet ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, drejtorit të ARRSH-së Afrim Qendro, drejtorit të ALUIZNI-t Artan Lame, kryeregjistruesit Valdrin Pjetri dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Përmes saj, deputetët e LSI-së kërkojnë që të informohen plotësisht për projektin e zgjerimit “Unaza e Madhe”. Përmes 6 pyetjeve, ata kërkojnë të dijnë konkretisht se kush qëndron pas projektit, nëse janë zhvilluar ose jo konsulta publike, numrin total të pronave private që janë përllogaritur të shemben, numrin e pronave që janë të pajisura me certifikatë pronësie dhe për faktin nëse ka filluar procesi i shpronësimit për këto prona.
Në fund të letrës, deputetët e LSI-së shtrojnë pyetjen sesi janë trajtuar nga ALUIZNI ndërtesat që preken nga ndërtimi i projektit “Unaza e Madhe”.
"Na informoni mbi projektin. Kush e ka hartuar projektin përfundimtar të zgjerimit të segmentit rrugor në Zonën e Astirit dhe gjithë pjesën e Unazës së Madhe të Tiranës? A janë zhvilluar konsulta publike përpara miratimit të projektit përfundimtar nga institucionet shtetërore përgjegjëse?
Sa është numri i pronave private që janë përllogaritur të shemben për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti? Sa prej këtyre pronave janë të pajisura me certifikatë pronësie? A ka filluar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me certifikatë pronësie? Si janë trajtuar nga ALUIZNI ndërtesat që preken nga ndërtimi i kësaj vepre?" pyesin institucionet e sipërpërmendura deputetët socialistë.
Letra e deputetëve të LSI-së, dërguar institucioneve përgjegjëse për çështjen e banorëve të 'Astirit'
Komente

