La Metën për Ramën, Braimllari për Report Tv: PL e shkuara, PS makineri votash! Opozita lista me njerëz besnikë, ka përjashtuar figurat dhe s’ka reflektim

Opozita dhe Partia e Lirisë mbeten e shkuara, prioritet është e ardhmja dhe fushata elektorale pas përfshirjes si kandidat në listat e hapura të Partisë Socialiste.

Për Endrit Braimllarin, e kaluara e tij tek Partia e Lirisë ka mbetur në të shkuarën dhe gjithashtu kryetari i saj Ilir Meta, që edhe pse e ka akuzuar, shprehet se koha do e zbardhë të vërtetën se ato nuk qëndrojnë.

I ftuar në “Studio Live” të Report Tv, kandidati i mazhorancës për Tiranën tha se PS nuk e diskuton mazhorancën e thjeshtë në këto zgjedhje, pasi kërkon një fitore të thellë për t’i dhënë shqiptarëve pasaportën europiane dhe anëtarësimin në BE.

Për opozitën ai u shpreh se është mbyllur në lista me kandidatë besnik apo të besuar të kryetarëve dhe emrat e tyre tregojnë qartë se opozita nuk lufton për rotacion dhe kauza, por që të ruajë pozicionet e saj aktuale.

“Ka kohë që nuk i dëgjoj më, nuk kam as interes, jam fokusuar te e ardhmja dhe qytetarët dhe të shkuarën e kam lënë me të shkuarën. Akuzat e Metës? E thashë se nuk merrem me të shkuarën. Por duke u përgjigjur, me përgjegjësinë maksimale nuk kam asnjë lidhje me akuzat e Metës. Të jemi të duruar dhe të presim se do jetë e qartë se kush është përfshirë dhe kush jo në ato çështje”, shprehet Brahimllari për moderatorin Arbër Hitaj.

Ai e cilësoi PS-në si një makineri elektorale dhe afrimi me mazhorancën erdhi pas sinjaleve që partia dha ndaj gjeneratës së re, teksa 60% e emrave në parlamentin e ardhshëm do jenë pikërisht të rinj.

“Tani ndihem mirë, kam nisur fushatë, ndihem edhe borxhli njëkohësisht për atë që ka kaluar. Objektivi është tejkalimi i rezultatit të zgjedhjeve të kaluara. PS ka vendosur objektiv ambicioz, pasi nëse duam të mbyllim negociatat dhe anëtarësimin në BE duhet pjesëmarrje dhe votim e mbështetje masive, përtej të majtës e të djathtës, për të siguruar edhe pasaportën europiane. Nuk është risi ta them tani se PS është makineri elektorale, e organizuar dhe disiplinuar, që punon çdo ditë, të angazhuar dhe në komunikim me qytetarët. PS është ambicioze dhe hyn në avantazh, sepse ka kombinuar listat për fitore të thellë në të gjitha qarqet. Përfshirja e gjeneratës së re dhe objektivit europian do sjellin rezultate. Por edhe figurat e vjetra të PS janë në terren për sigurim të votave”, vijon ai argumentin politik për fushatën dhe listat.

Kurse për opozitën ndau mendimin se ajo është mbyllur te listat e mbyllura, pa ambicie për rotacion dhe pa kauza, duke larguar edhe figurat emblematike të saj, që mund ta ndihmonin.

“Në anën tjetër opozita ka vendosur lista të konceptuara në atë mënyrë që të mbrojnë rolin e tyre në opozitë, por jo rotacion politik. Nëse do të donin rotacion do kishte figura publike që mbrojnë kauzën e opozitës dhe ata nuk janë përfshirë. Sinjalet nga PS për gjeneratën e re dhe përfshirjen e të rinjve ishin përcaktuese edhe për mua. PS është hapur për të gjithë, ka rritur bazën e përfshirjes, përtej të majtës dhe të djathtës. Kurse opozita është mbyllur në listën e mbyllur, emrat dhe jo kauzën. Kurse PS po çon edhe emra të rinj në Parlament, ku 60% do të jenë figura të reja, i lexon opinionet, reflekton dhe i përgjigjet qytetarëve”, thotë Brahimllari për Report Tv.

Për të, opozita nuk reflekton pas humbjeve të përsëritura dhe kjo krijon një situatë jo të përshtatshme në raport me qytetarin. Sipas tij, kryetarët i bëjnë listat me njerëz të besuar të tyre.

“Kam qenë pjesë e atij fronti, kam mbrojtur dhe dhënë mesazhet. Kur shikohet se humbet një herë, dy herë e më tej duhet reflektuar. Nuk e sjell mbyllja rotacionin, duhet të hapet, të reflektohet. Lista për deputetë nuk konceptohet mbi bazën e besimit që ke ndaj individit. Ose fut përfaqësues që nuk kanë vota”, nënvizon ish-përfaqësuesi i PL-së, që tashmë garon me mazhorancën në zgjedhjet e 11 majit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:03
Braimllari: Opozita kërkon të shkrijë SPAK! PS kërkon fitore të thellë për pasaportën europiane! Vota për partitë e reja e shkuar dëm, prisja shumë nga ato

 

Ish-anëtari i Partisë së Lirisë, Endrit Brahimllari, aktualisht i afruar te Partia Socialiste dhe kandidat i saj në Tiranë për listat e hapura në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, shprehet se partitë e reja nuk japin optimizëm te qytetarët me mënyrën elektorale se si kanë vepruar dhe për më tepër përzgjedhjen politike në lista.

Ai nuk preferoi të komentonte lëvizjet e Lulzim Bashës me video-postimet virtuale si trend elektoral i rrjeteve sociale.

Sinjalet që PS dha me gjeneratën e re dhe përfshirjen e saj, ishin të mjaftueshme për Brahimllarin që të braktiste pas kaq shumë vitesh opozitën që nuk reflektonte pas humbjeve dhe t’i bashkohej mazhorancës.

“Bashën nuk dua ta komentoj. Por Opozita kërkon ta shkrijë SPAK-un, kurse krahu tjetër e mbështet drejtësinë, madje njerëz të saj janë përballë drejtësisë. Rezultati është i parashikueshëm. PS nuk lufton për mazhorancën e thjeshtë, se e ka. Por artikulimi, programi dhe fushata është që të vijojë rruga europiane, pasaporta europiane, pra një fitore e thellë”, tha ai.

I pyetur për partitë e reja Brahimllari u shpreh: 

“Vota për partitë e reja është një votë e shkuar dëm. Prisja shumë nga ato, në mënyrën se si janë konceptuar listat. Nëse e bën me kushërinj e familjarë nuk është ajo që qytetarët presin. Edhe për mazhorancën kjo që bëjnë ata është diçka e mirë se tregojnë joseriozitet, janë konceptuar jo siç duhet. Listat, tërheqjet, dhënia e dorëheqjeve, ka paqartësi. Fatet e vendit kërkojnë durim, saktësi dhe qartësi”.

Por çfarë e shtyu Brahimllarin drejt PS-së dhe çfarë bisedoi me drejtuesit e strukturave pasi braktisi PL-në, negociatat dhe projektet politike.

“Sinjalet që PS dha ishin të mjaftueshme për mua. Oferta ndaj të rinjve, afrimi i tyre, përfshirja në lista janë të qarta, iu përgjigj qytetarëve. Partia po i hapet qytetarëve dhe po mirëpritet. Në takimet që bëra me strukturat e PS kërkova të mos paragjykohesha për të kaluarën, mu pengua detyra si opozitar dhe dua të ushtroj aftësitë dhe kontributin tim. Ndihem i vlerësuar në përfshirjen në këtë ekip, vij nga 19 vite në politikë. Ndihem i vlerësuar dhe tani është detyra ime që të jap maksimumin dhe për të vijuar karrierën. Fushatën time e kam fokusuar te gjenerata e re dhe rruga europiane e vendit, pasi Shqipëria ka nevojë për pasaportën e BE-së. Ndaj duhet tejkaluar çdo paragjykim dhe përkatësi, që pasaporta europiane të jetë për çdo shqiptar”, përfundoi ai.

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen mashtrime të mëdha në sistemin shëndetësor gjerman, si kompanitë fiktive manipulojnë qytetarët

Zbulohen mashtrime të mëdha në sistemin shëndetësor gjerman, si kompanitë fiktive manipulojnë qytetarët