Kreu demokrat, Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kanë reaguar pas tensioneve te Gjykata e Tiranës, ku deputetët e PD dhe LSI u përplasën me policinë, duke thyer derën e gjykatës.

Gjatë përplasjes para gjykatës, ku pritet të jepet masa e sigurisë për 23 protestuesit e arrestuar pas protestës së dhunshme në Rrugën e Kombit, mbeti i gjakosur dhe nënkryetari i PD, Edmond Spaho. Lidhur me këtë, Basha e Kryemadhi fajsëojnë kryeministri Edi Rama, që sipas tyre, mbron kriminelët e mafian, duke paralajmëruar se beteja sapo ka filluar.

Basha shkruan në ‘Facebook’ se shqiptarët po shohin fytyrën e vërtetë të shtetit kriminal të Edi Ramës. Sipas tij, shqiptarët po kuptojnë se policia, prokuroria dhe drejtësia politike janë në duart e grupit kriminal që ka kapur të gjitha pushtetet në vend.

"Shqiptarët po shohin fytyrën e vërtetë të shtetit kriminal të Edi Ramës. Shqiptarët po kuptojnë se policia, prokuroria dhe drejtësia politike janë në duart e grupit kriminal që ka kapur të gjitha pushtetet në vend. Sot shqiptarët po shohin fytyrën e vërtetë të drejtësisë së Edi Ramës: kriminelët dhe mafia mbrohet, kurse populli trajtohet sikur të ishte kriminel"

Lulzim Basha, kryetar i PD

“Edi Rama, fajtori dhe frikacaku i madh, sot po nënshkruan fillimin e fundit të tij në pushtet. BETEJA SAPO KA FILLUAR!”

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:21
Basha thirrje socialistëve: Merrni situatën në dorë, ndalni aventurierin e çmendur

Pas tensioneve të krijuara sot te gjykata e Tiranës, ku deputetët e PD-LSI u përplasën me policinë, Lulzim Basha iu ka bërë thirrje të gjithë socialistëve të marrin në dorë situatën.

Duke sulmuar kryeministrin Edi Rama, kreu i PD iu ka kërkuar socialistëve ndalin aventurierin e çmendur që po e çon vendin drejt një spiraleje dhune për interesat e pasurisë dhe pushtetit të tij e të kriminelëve që e rrethojnë.

Basha ka publikuar në ‘Facebook’ një video nga përplasja te gjykata, duke dalë në krah të qytetarëve.

"Protesta e Kukesit nxori fytyten e vertete te nje regjimi kriminal qe qendron ne pushtet permes manipulimit dhe forces. Sot eshte e qarte se Edi Rama ka privatizuar shtetin dhe kontrollon te gjitha pushtetet policinë, prokurorine, gjykatat. Fasada ka rene. Propaganda ka rene.

Tani te gjithe shohin lakuriq nje regjim privat kriminal që nuk ka lidhje me demokracinë, me shtetin ligjor me vlerat europiane. Ka katër ditë që qeveria, policia, prokuroria dhe sot gjykata po dhunojnë dhe shkelin të drejtat e qytetarëve të pambrojtur vetëm pse ngritën zërin kundër qeverisë.

Sot po bëhet gjykimi i tyre sikur të ishin organziatë mafioze, me dyer të mbyllura dhe nën masa policore qe tregojne friken e Edi Rames nga populli. Sot deputetët e opozites janë ndaluar me dhunë të hyjnë në sallën e gjyqit, sikur të ishin kriminelë.

Akti i fundit i degradimit te çdo pushteti eshte kur kthehen kunder popullit te tyre. Sot të gjithë po kuptojnë që një regjim që mbështetet mbi drogën dhe krimin prodhin dhunë dhe perplasje. Sic e pa cdo shqiptar para pak ditesh, Edi Rama ka humbur cdo kontroll nën efektin e subtancave qe merr.

Prandaj ju bëj thirrje te gjithe shqiptareve dhe atyre deputetëve të ndershëm socialistë, që të marrin situatën në dorë dhe të mos lejojnë një aventurier te droguar që ka humbur kontrollin të krijojë përplasje me njerëzit dhe ta coje vendin drejt nje spiraleje dhune per interesat e pasurise dhe pushtetit te tij e te krimineleve qe e rrethojne"

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ora 09:58
Përplasja te gjykata, Kryemadhi paralajmëron Ramën: Beteja sapo ka filluar!

Pas kreut demokrat, Lulzim Basha, edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka fajësuar kryeministrin Edi Rama për përplasjen te Gjykata e Tiranës mes deputetëve të PD-LSI dhe policisë, ku pritet të jepet masa për protestuesit e arrestuar në Rrugën e Kombit.

Kryemadhi shkruan në ‘Facebook’ se Rama është fajtori dhe frikacaku i madh, që sot po nënshkruan fillimin e fundit të tij në pushtet. Ajo paralajmëron se beteja sapo ka filluar, dhe se opozita është në mbrojtje të qytetarëve.

"Edi Rama, fajtori dhe frikacaku i madh, sot po nënshkruan fillimin e fundit të tij në pushtet. Nuk është mjaftuar me dhunën sistematike ndaj kuksianëve, por sot në mënyrë flagrante ka dhunuar edhe deputetët që ndodhen pranë Gjykatës së Tiranës në mbështetje të protestuesve.

Asgjë nuk i ndal më shqiptarët për të drejtat e tyre! As blindat dhe policia e Edi Ramës dhe as falangat e tij të pushtetit. Ne do jemi aty në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtës së tyre. BETEJA SAPO KA FILLUAR!"

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI