PRESHEVË - Me ftesë të kryetarit të Këshilli kombëtar shqiptar, Jonuz Musliu, në Luginën e Preshevës për vizitë dyditore po qëndron delegacioni i Republikës së Kosovës i përbërë nga deputetë nga Komisioni për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe sport i kryesuar nga deputeti Nait Hasani dhe ambasadori i akredituar në Beograd, Valdet Sadiku.
Në përbërje të delegacionit ishin edhe anëtarët e Komisionit, si: Teuta Haxhiu, Shpejtim Bulliqi, Shukrije Bytyqi dhe Ismail Kurteshi, njofton agjencia e lajmeve "Presheva Jonë"
Vizitën zyrtare e filluan në Këshillin kombëtar shqiptar, ku u pritën nga kryetari i Këshillit, anëtarë si dhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve nga komuna e Bujanocit dhe Preshevës.
Kryetari i Këshillit, Jonuz Musliu, deputetët e Kuvendit të Kosovës fillimisht i njoftoi me përbërjen dhe funksionimin e Këshillit, si dhe me punën që e bën ky këshill.
Më tej, delegacioni në fjalë u njoh me problemet e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht mungesën e teksteve shkollore në të gjitha nivelet e arsimit, shpejtimi i procesit të njohjes së diplomave universitare dhe angazhimin konkret lidhur me lejimin e përdorimit të teksteve shkollore nga Kosova dhe Shqipëria.
Deputeti Nait Hasani pas takimit me kreun e KSSH-së deklaroi për "Presheva Jonë" se "kjo është vizita e parë zyrtare në vendbanimet shqiptare në Luginë të Preshevës, prandaj shpreh përkushtimin tonë për zgjidhjen e këtyre problemeve në kuadër të punëve që bën Komisioni i arsimit dhe angazhimin e tërësishëm të institucioneve të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës".
Gjithashtu, theksoi bindjen e tij që kufijtë në fushën e arsimit dhe bashkëpunimit nuk do të ekzistojnë tani e tutje.
Pas vizitës në Këshill delegacioni vazhdoi takimet me deputetët, kryetarin e komunës së Preshevës, Bujanocit, me shqiptarët e Medvegjës, si dhe vizitoi disa shkolla në këto komuna.
Lugina e Preshevës, të cilën e quajnë edhe Kosova Lindore, është një rajon i banuar me shumicë shqiptare, në jug të Serbisë. /ATSH/