Deputetët në test, zbardhen raportet
e mbrëmjeve tek Ruçi e Rama

Deputetët në test, zbardhen raportet<br />e mbrëmjeve tek Ruçi e Rama
Mbrëmjet e janarit e kanë gjetur selinë e Partisë Socialiste më dritat ndezur. Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, herë së bashku e herë në alternim me njëri-tjetrin, kanë thirrur për raportim shtabet e partisë sipas qarqeve.

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se në mbledhjet e qarqeve kanë marrë pjesë: të deleguarit e kryesisë sipas qarqeve, deputetët e zonave, kryebashkiakët, koordinatorët elektoralë, kryetarët e partive sipas bashkive, kryetarët e FRESSH-it, kryetaret e Forumit të Gruas dhe koordinatorët dixhitalë.

Në mbledhje kanë marrë pjesë dhe një pjesë e sekretarëve të PS-së, si: sekretari për marrëdhëniet me koalicionin, Musa Ulqini, ai i dixhitalizimit, Alfred Peza, sekretarja e koordinimit elektoral, Blerina Gjylameti dhe ajo e rinisë, Elisa Spiropali. Në emër të shtabeve sipas qarqeve kanë raportuar të deleguarit e kryesisë.

Ata kanë dhënë informacion të detajuar mbi listat e zgjedhësve, evidentimin e votuesve për herë të parë, hapjen e zyrave elektorale, intensifikimin e pritjes së qytetarëve, si dhe fuqizimit të strukturës dixhitale që merret me shpërndarjen e informacionit partiak në komunitet. Rama dhe Ruçi nuk i kanë kursyer kritikat për disa nga qarqet, duke evidentuar punën e dobët të strukturave në krahasim me ato të partive aleate të reja, kryesisht LSI-në. Drejtuesit e PS-së ju kanë kërkuar deputetëve të dëshmojnë përgjegjshmërinë e tyre, si një mënyrë që gjithsecili të përcaktojë fatin e tij në listat e 18 qershorit.

Lëvizjet
Ndërkohë, Rama ka bërë një rishpërndarje të disa deputetëve duke i lëvizur ata nga zonat ku janë zgjedhur në 2013 për në qarqe të tjera. U bënë disa muaj që Pjerin Ndreu, i zgjedhur në Tiranë, po ringre strukturat e PS-së në Pukë, duke forcuar mundësinë e kandidimit të tij në qarkun e Shkodrës. Në këtë qark kanë ikur dy socialistë, Tom Doshi e Mimoza Hafizi, teksa emri më i kuotuar për të kryesuar listën duket i deleguari i qarkut, Ditmir Bushati. Një tjetër deputet që është zhvendosur nga zona e vetë është deputeti i Dibrës, Ulsi Manja. Atij tashmë i është besuar një strukturë e PS-në në rrethinat e Tiranës ku ka komunitet dibranësh. Gjithashtu, ministrat Çuçi e Kumbaro janë investuar fuqishëm në Gjirokastër dhe Gjiknuri tashmë ka nisur punë intensive si i deleguar për qarkun e Vlorës. Këto pozicionime nuk janë përfundimtare, por projeksioni ngelet i tillë.

Hapja
Hapja e partisë ndaj elementëve të rinj, kryesisht intelektualëve, njerëzve me ndikim në komuniteti (si mësuesit, mjekët apo biznesmenët) është porosia kryesore që Edi Rama ju ka dhënë kryetarëve të degëve dhe koordinatorëve elektoralë. Këta do të jenë kali i betejës elektorale socialiste. Përmes këtyre njerëzve, që tentohen të mos jenë anëtarë partie, por më shumë njerëz që gëzojnë respekt në komunitet, si mësues, mjekë apo profesionistë të tjerë, synohet të përcillet mesazhi politik i PS-së për të marrë vota në qershor. Shtabi është porositur që të mos lërë jashtë asnjë figurë historike që në një moment të caktuar ka kontribuar në PS dhe është shkëputur për një arsye a për një tjetër. Kujdesi që në çdo qendër votimi të ketë të paktën 10 anëtarë PS-je me pjesëmarrje të domosdoshme të të rinjve dhe femrave po vijon paralelisht me anëtarësimet e reja. Akoma PS nuk ka arritur objektivin e 150 mijë anëtarëve sikundërse kishte vendosur Rama si objektiv. Përafërsisht, PS numëron aktualisht rreth 95 mijë anëtarë.

Digjitalizimi
Një risi e këtij organizimi elektoral është zgjedhja e sekretarit digjital për çdo degë. Ky person krijon grupe komunikimi duke përdorur aplikacionet e reja të teknologjisë, për tu shpërndarë mesazhin më lehtë të gjithë anëtarëve apo strukturave. Çdo strukturë, që nga grupi i 61 kryetarëve të degëve, sekretariati, kryesia e madhe, apo kryesie e bashkisë, janë të përfshirë në një grup në Viber apo në WhatsApp, dhe marrin menjëherë komunikim nga Edi Rama në rastin e 61 kryetarëve, kryesisë apo sekretariatit, apo nga kryetari i degës në rast të strukturave lokale. Kjo thjeshton komunikimin me të gjithë, është në hapin e kohës dhe rrit pjesëmarrjen e të gjithëve.

Listat
Tashmë është ka nisur puna me listat zgjedhore. Evidentohen votuesit potencialë të PS-së, të pakënaqurit me partitë e tjera, votuesit e lëkundur dhe zgjedhësit e rinj, me qëllim kontaktimin e tyre dhe bindjen për të votuar PS-në. Për secilën nga degët, zyrat qendrore të PS-së kanë printuar listat zgjedhore të rifreskuara e të grupuara sipas Zonave të Administrimit Zgjedhor. Çdo kryetar dege ka marrë dosjen e vetë me emrat e votuesve dhe të dhënat e tyre, me qëllim fillimin e evidentimit të votuesve shtëpi më shtëpi. Ky proces që në gjuhën partiake quhet “krehje e zonës” parashikon evidentimin e të gjithë votuesve potencialë të partisë, lidhjet e tyre familjare, kategorizimin sipas personave të strukturës së partisë që mund të garantojë kontaktimin me ta, evidentimin e votuesve të lëkundur dhe gjetjen e rrugëve të marrjes së votës së tyre.
 
Pjerin Ndreu
U bënë disa muaj që Pjerin Ndreu, i zgjedhur në Tiranë, po ringre strukturat e PS-së në Pukë, duke forcuar mundësinë e kandidimit të tij në qarkun e Shkodrës, pas largimit të Doshit e Hafizit.
 
Ulsi Manja
Një tjetër deputet që është zhvendosur nga zona e vetë është deputeti i Dibrës, Ulsi Manja. Atij tashmë i është besuar një strukturë e PS-në në rrethinat e Tiranës ku ka komunitet dibranësh.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Klubi evropian mbeti pa lojtarë dhe staf trajnerësh, tërhiqet nga Conference League

Klubi evropian mbeti pa lojtarë dhe staf trajnerësh, tërhiqet nga Conference League