Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum përmes një statusi në Facebook shprehet se i ka thënë kryeministrit shqiptar Edi Rama dje se kërkesa për hapjen e negociatave është e parakohshme. Sipas, Gunther Krichbaum reformat e ndërmarra nga Shqipëria nuk janë të mjaftueshme.

Dje kam takuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Bundestag. Personalisht i kam thënë atij se unë mendoj se hapja e negociatave të pranimit në BE është e parakohshme në këtë fazë. Reformat e nisura ende nuk janë të mjaftueshme

Gunther Krichbaum

Gjatë qëndrimit në Gjermani në vizitën dy ditore kryeministri shqiptar zhvilloi një takim me Merkel, ndërsa u zhvillua një seancë edhe në Komisionin parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, që drejtohet pikërisht nga Gunther Krichbaum.

Gunther Krichbaum është deputet i partisë së kancelares Angela Merkel, prej vitesh kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag.

Deklaratat e Gunther Krichbaum kundër Shqipërisë janë bërë shkak për disa përplasje mes Ramës dhe Bashës në Tiranë.  Pak ditë më parë Lulzim Basha akuzoi Edi Ramën se me paratë e krimit, drogës e korrupsionit po financon në media një fushatë akuzash dhe shpifjesh kundër Gunther Krichbaum.

Rama reagoi duke i kërkuar Bashës që të mos hedhë baltë mbi Shqipërinë deri në qershor kur pritet vendimi për negociatat.