I dërguari i Moskës në bisedimet e Miamit për Ukrainën, Kirill Dmitriev, i quajti bisedimet me të dërguarin presidencial të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, "konstruktive".
Ndërsa sipas këshilltarit presidencial rus, Yuri Ushakov, ideja e mbajtjes së një takimi trepalësh midis përfaqësuesve të Moskës, Uashingtonit dhe Kievit "nuk është diskutuar seriozisht deri më tani dhe nuk po shqyrtohet aktualisht".
Volodymyr Zelensky nga ana tjetër tha se Uashingtoni ka propozuar një takim midis Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë në Miami. "Siç e kuptoj unë, ata propozuan këtë format: Ukraina, Amerika, Rusia", u shpreh presidenti ukrainas, duke shtuar se evropianët mund të jenë të pranishëm dhe se do të ishte "logjike të mbahej një takim i përbashkët”.
Moska e sheh me qortim përfshirjen e europianëve. Sipas këshilltarit presidencial rus Yuri Ushakov, ndryshimet që Evropa dhe Kievi po përpiqen të përfshijnë në planin e paqes për Ukrainën nuk janë të favorshme për arritjen e paqes së qëndrueshme. "Jam më shumë se i sigurt se dispozitat që evropianët, së bashku me ukrainasit, kanë futur dhe po përpiqen të përfshijnë në document, e shkelin qartësisht atë dhe rrezikojnë mundësinë e arritjes së paqes afatgjatë."
Ndërkohë, Kirill Budanov, kreu i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Ukrainase (GUR), i cituar nga mediat e Kievit, deklaroi se Rusia është gati të sulmojë vendet baltike në vitin 2027 dhe t'i "pushtojë" ato.

Foto:Kirill Dmitriev
I dërguari i Moskës në bisedimet e Miamit për Ukrainën, Kirill Dmitriev, i cituar nga agjencia e lajmeve Tass deklaroi se "Shteti Paralel (Deep State) po përpiqet të provokojë Luftën e Tretë Botërore duke nxitur paranojën anti-ruse".
Ai e bëri këtë pohim duke komentuar një deklaratë të Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, e cila kishte mohuar raportimet e disa mediave në lidhje me planet ruse për të vendosur kontroll mbi të gjithë territorin e Ukrainës dhe pjesë të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.
Deklarata e saj ishte publikuar në rrjetin social X, dhe Dmitriev e kishte postuar dhe në llogarinë e tij, duke e komentuar atë si “të shkëlqyer jo vetëm për dokumentimin e origjinës së mashtrimit Obama/Biden, për Rusinë, por tani edhe për ekspozimin e makinës luftënxitëse të Shtetit Paralel që kërkon të nxisë Luftën e Tretë Botërore duke nxitur paranojën anti-ruse në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në", shkroi Dmitriev në X.

Foto: Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron
Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm për dialog me homologun e tij francez Emmanuel Macron, nëse ekziston “vullnet politik” për një gjë të tillë. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA.
“Nëse ekziston një vullnet i ndërsjellë politik, kjo mund të shihet vetëm pozitivisht”, tha zëdhënësi i presidencës ruse.
Macron, menjëherë pas përfundimit të samitit të Bashkimit Evropian, deklaroi se “është i gatshëm të bisedojë me Putinin”.
Në këtë kontekst, Peskov theksoi se “është e rëndësishme të kujtohet se çfarë tha presidenti i Rusisë” në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, ku ai u shpreh se “është i gatshëm të angazhohet në dialog me Macronin”.
Komente







