Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek (OMONIA), përmes një komunikate për shtyp, ka akuzuar deputetin socialist Ardit Bido, se ka përdorur gjuhë urrejtjeje ndaj ‘komunitetit etnik grek’ në Shqipëri, pas debateve për ‘Zvërnecin’.

Përmes komunikatës, OMONIA akuzon Ardit Bidon se ka përdorur një gjuhë të papërshtatshme në një emision televiziv, ndaj deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi (i cili ka origjinë minoritare greke).

“Tejkalon çdo precedent transmetimi i djeshëm që në tërësi ju disponua emisioni, pa vërejtje për neutralitet dhe përmbajtje ndaj standarteve, një deputeti të kampit të shumicës qeverisëse për të ushtruar dhunë retorike ndaj një kolegu të tij që i përket origjinës dhe identitetit Helenik. Debati nuk ju referua qëndrimit dhe pikëpamjeve dhe deputeti i targetuar nuk i përket spektrit të aktivistëve për të drejta të Minoritetit Etnik Grek”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e OMONIA-s.

Ndërkohë Bido, përmes një postimi në rrjetet sociale, është përgjigjur duke thënë se OMONIA ka marrë në mbrojtje Redi Muçin, pasi sipas tij, ata po përpiqen t’i imponojnë protestës për ‘Zvërnecin’ teza politike që nuk kanë asnjë lidhje me problemin real të banorëve.

Më tej Bido ka thënë se nuk kishte asnjë lidhje mes OMONIA-s dhe Lëvizjes Bashkë, që organizata e minoritetit grek të merrte në mbrojtje Redi Muçin.

Sipas Bidos, elementë të caktuar të politikës greke dhe asaj shqiptare po përpiqen të fusin ‘minoritetin grek’ në vendin ku pritet të ndërtohet resorti në Zvërnec të Vlorës.

“I hoqën maskat: OMONIA e Dules mbron Muçin e Lëvizjes Bashkë, se janë bashkë në vorioepirotizëm. OMONIA doli sot me një deklaratë për shtyp për të mbrojtur Redi Muçin dhe Lëvizjen Bashkë, ndërsa më sulmoi mua. Pyetja është e thjeshtë: ç’lidhje kanë OMONIA dhe Vangjel Dule me Redi Muçin dhe Lëvizjen Bashkë? Ç’lidhje ka një organizatë e minoritetit grek me një lëvizje marksiste dhe neokomuniste? E thashë qartë edhe mbrëmë në emision: nuk kam asgjë kundër minoritetit grek. Përkundrazi. Sarandiotët e dinë mirë marrëdhënien time me vëllezërit minoritarë. Sulmin e tyre e prisja, sepse prej ditësh po ua nxjerr zbuluar tezat. Problemi është se po përpiqen t’i imponojnë kësaj proteste teza politike që nuk kanë asnjë lidhje me problemin real të banorëve dhe po fshihen pas kauzave të tjera. Kjo është një protestë energjike dhe qytetare. Nuk duhet të devijohet nga askush për interesa dhe axhenda që nuk janë të sajat. Fakti që sot OMONIA doli në mbrojtje të Redi Muçit dhe të tezave që kam denoncuar prej ditësh flet më qartë se çdo fakt që mund të sillja unë. Vazhdoni bëni sikur nuk kuptoni, se këta do i nxjerrin maskat vetë dhe pastaj do shohim kush ka të drejtë. Sa keni këta në krah, e tezat e tyre në krye, më keni KUNDËR!”, është shprehur Bido.

Komunikata e plotë për shtyp e OMONIA-s:

Lënda: Acarim i përçimit publik të retorikës antihelene. Nevoja për kurban shpëtimi e orienton partinë e kampit qeverisës në sjellje qartazi abuzive dhe të dënueshme. Mjetet e Informimit Publik nuk respektojnë etikën dhe devijojnë në promovim të aktorëve të dhunës nacionaliste dhe raciste.

Me shqetësim të veçantë, indinjatë dhe zemërim jemi në ndjekje të aktivizimit të rradhës të propagandës dhe akteve që lidhen me kultivimin e antihelenizmit dhe urrejtjes fetare në fushën e politikës dhe ligjërimit publik. Duke ndjekur shembullin e Kryeministrit që i ndodhur në nevojë për të gjetur edhe një herë “gishtin e armikut të huaj” në gjithë ato sa janë duke u zhvilluar në zonën e Nartës dhe Zvërnecit në Gjirin e Vlorës, pa asnjë ngurrim tregoi “Grekët”, vijimin e ka ndërmarrë deputet i Partisë së tij. Fjala është për famëkeqin Ardit Bido që konfirmon se zgjedhja e tij për formacionin e PS nga ana e Kryetarit të saj z. Edi Rama ishte pikërisht që t’i ngarkohej ky rol kultivimi të gjuhës së urrejtjes dhe acarimi në dëm të Komunitetit autokton Grek. 

Vetëm se tregon zell të tepruar më të madh nga ai që do t’i pëlqente “kontraktorit”. Qartazi se i përket integralisht edhe spektrit të nacionalistëve dhe vepron nën kontrollin direkt të qendrave antihelene. Meqë ra fjala sjellim në vëmendje edhe denoncimin e kryetarit të Opozitës Kryesore se zoti deputet në  fjalë ka ofruar “shërbim” përmes fallsifikimeve Kryeministrit në përfitimin ilegal të  një pasurie të paluajtshme në Gjirin e Gjipesë në Dhërmi.

Bido gjatë gjithë këtyre ditëve, në sfondin e një situate të brendshme aspak normale, devijon jo për arsye të karakterit apo gjendje të veçantë shëndeti psikik të tij, në sulme të agravuara të rrezikshme me objektiv persona me origjinë Helenike që shquhen në role publike apo politike. Dhe nuk i kryen këto veprime vetëm në masmedia apo në llogari personale në rrjetet shoqërore – që edhe në këtë rast përbëjnë rrezik dhe kërcënim publik – por në forume zyrtare sikundër foltorja e Parlamentit apo seanca të Komisioneve Parlamentare.

Fakti se sulmet e agravuara nacionaliste dhe të personalizuara tolerohen dhe nuk dënohen pavarësisht apelimit të personaliteteve të prekura sipas parashikimeve të Rregullores së Parlamentit dhe kodet e imponuara të etikës – që të mos i referohemi legjislacionit adekuat për mbrojtje të Minoriteteve dhe asaj për mosdiskriminim – konfirmon koncesionin dhe rolin e ndyrë të ngarkuar nga lart.

E arsyeshme ndërkaq është pyetja lidhur me realitetin e linjës redaksionale dhe qëllimit të synuar të cilit i shërben Stacioni Televiziv EuroNeës Albania me referencë të veçantë tek emisioni ditor politik “Noë me Erla Mëhilli”. Është transformuar thelbësisht në platformë të promovimit të propagandave gjithëformëshe nga njëra anë të padëshiruar dhe nga ana tjetër jashtëligjore në dëm të Helenizmit, Minoritetit Etnik Grek në veçanti dhe pjesëtarëve të tij. Tejkalon çdo precedent transmetimi i djeshëm që në tërësi ju disponua emisioni, pa vërejtje për neutralitet dhe përmbajtje ndaj standarteve, një deputeti të kampit të shumicës qeverisëse për të ushtruar dhunë retorike ndaj një kolegu të tij që i përket origjinës dhe identitetit Helenik. Debati nuk ju referua qëndrimit dhe pikëpamjeve dhe deputeti i targetuar nuk i përket spektrit të aktivistëve për të drejta të Minoritetit Etnik Grek. Më ashiqare dhe e pajustifikuar bëhet sjellja raciste e z. Bido në rastin e retorikës së dhunës verbale ndaj drejtueses me origjinë Greke,  të një Enti Informativ të interesave Amerikane në seancë të Komisionit për Mjetet e Informimit Publik. 

Duke qënë se situata e brendshme politike në vend është fluide dhe çështje të kësaj natyre të kultivimit dhe klloçitjes së antihelenizmit dhe nxitjes në aktivitet të nacionalistëve ka gjasa të marr të tjera dimensione, denoncojmë sa më lart, duke paralajmëruar për pasojat e indiferencës të sa kanë përgjegjësi dhe detyrim politik dhe ligjor.  

Zyra e Shtypit dhe Komunikimit

BDMEG OMONOIA

Sarandë, 16 Qershor 2026