Deputeti Murrizi: Lista ‘Basha ik’
e do PD për vila dhe dashnore

Deputeti Murrizi: Lista ‘Basha ik’<br />e do PD për vila dhe dashnore
Përshkallëzohen akuzat dhe kundërakuzat mes dy grupeve në Partinë Demokratike, të përfshirë në një betejë politike, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Deputeti i zgjedhur në Qarkun e Fierit, Myslim Murrizi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com u shpreh se thirrjet e disa deputetëve dhe ish-ministrave kundër Bashës, burojnë nga humbja e pushtetit.

Murrizi shprehu dyshimet të forta se, firmëtarët e peticionit kundër Bashës, pasi nuk u përfshinë në listë, kanë punuar nën rrogoz kundër Partisë Demokratike, ndërsa tani kërkojnë dorëheqjen e kryetarit. Gjithashtu, deputeti i zgjedhur demokrat paralajmëroi se do t’i kërkojë komisionit për zgjedhjet në PD, verifikimin e të gjithë kandidatëve për kreu e PD, për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit.

Ndërkaq, në një status në Facebook, Murrizi thotë se kundërshtarët që flasin sot për humbjen e zgjedhjeve, e duan Partinë Demokratike vetëm për tendera, vila, koncesione dhe dashnore. 
 
-Z. Murrizi, humbja e radhës e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2017, ka prodhuar një listë me funksionarë të PD, deputetë, ish-ministra etj., të cilët kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës si përgjegjësi i vetëm për humbjen. Cili është pozicioni juaj në këtë debat? A duhet të japë dorëheqjen Lulzim Basha? 
 
Ata janë si njëqindmijë anëtarët e tjerë të PD. Gabimi i Bashës është se nuk i hodhi në votim në Kuvendin Kombëtar në atë kohë, por i përfshiu të gjithë në Këshillin Kombëtar. Por t’i kishte votuar në Kuvend, asnjë nga këta nuk do të futeshin në Këshillin Kombëtar. Ata u zgjodhën në Këshillin Kombëtar për pozicionet që mbanin në komisionet parlamentare dhe si anëtarë Kryesie. Në momentin që nuk janë më deputetë, nuk janë më as në Këshillin Kombëtar dhe as në Kryesi. Janë thjeshtë anëtarë të PD.
 
-Gjithsesi, pavarësisht se çfarë përfaqësojnë, ata pretendojnë se lista e kandidatëve ishte një nga arsye e humbjes dhe se Basha e ka ndarë PD me kunatin etj... Ju si u përfshitë në listë? 
 
Firma e Bashës është në KQZ, siç ka qenë deri dje firma e Sali Berishës, kur paraqitej lista e kandidatëve. Por, nga 2009 e këtej, deputetët janë të emëruar. Unë kam qenë kundër këtij ligji të elektor. Me këtë ligj nuk ka deputetë të zgjedhur, por deputetë të emëruar.

Këta që flasin sot, këtu kanë qenë, kur përzunë jo pak njerëz në 2009 dhe në 2013. Sapo humbën zgjedhjet e 2013, nuk patën asnjë ndjejë përgjegjësie që të kërkonin ndjesë, siç bëri Berisha kur dha dorëheqjen. Por, nxituan rrëmbimthi për t’i zënë vendin Berishës. Kandiduan të ndjerin Olldashi përballë Bashës. Të gjithë këta që sot kërkojnë largimin e Bashës, ishin të rreshtuar, me të drejtën e tyre, me të ndjerin Olldashi.

Morën atë rezultat që morën. Ishin në Kuvend, ku për katër vite nuk i pamë një herë që të kërkonin dorëheqjen e Ramës, Tahirit apo Beqjajt. Kam parë në katër vite vetëm një herë Arben Imamin kur ka folur, ku iu afrua zjarri, pasi e çuan për ndjekje penale. Edhe një herë kam parë z. Bode kur i bllokuan llogaritë bankare. Herë tjetër nuk i kam parë të flasin. Dhe gjatë fushatës, në vend që të rreshtoheshin për të përballuar fushatën më të pistë në 27 vitet e fundit, më të pabarabartë (për shumë arsye, së pari për rreth 10 miliardë euro para droge në tre vite, presioni me lista në dorë nga të gjithë drejtorët herë për llogari të PS dhe herë për llogari të LSI, blerja e votave et.), këta nuk u rreshtuan në krah të demokratëve, por sapo u publikua lista, u mblodhën si delegatët e PPSH dhe kërkuan dorëheqjen e Bashës në fushatë. Nuk e di se pse ishte i gjithë ky nxitim.

Duhet t’u bënin thirrje miqve të tyre, ish-vartësve të tyre dhe klientëve të tyre, me të cilët kishin ndarë tenderat për tetë vite nëpër ministri, të votonin Partinë Demokratike. Por, rrinin vetëm kafe. Nuk dua ta besoj se, nën rrogoz ju kanë bërë thirrje atyre pak miqve që kanë pasur që të mos votojnë PD.
 
-Genc Ruli ka ftuar demokratët që të nxjerrin Bashën nga selia, ndërsa Arben Imami thotë se kryetari i shiti zgjedhjet. A i druheni një përshkallëzimi të situatës në ditët në vijim?
 
E vërteta e thirrjeve të tyre është njëfarë histerie kolektive, që buron nga humbja e pushtetit, pasi kanë menduar se do të jenë të përjetshëm në pushtet. Unë jam që në ’90 në PD. Kam dalë nga rreshti në 2005, për t’u liruar vendin këtyre të rinjve, një ndër ta edhe Majlinda Bregu.

Më ndërruan me një xhaketë të vjetër, një bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, me Blerim Çelën. Dhe këta që ishin kupola e PD, nuk reaguan, jo vetëm për mua, por për shumë demokratë të tjerë. Ne u zëvendësuam pa asnjë lloji motivi, sepse kështu u gjykua nga lidershipi i Partisë Demokratike në atë kohë.

Në 2009, vijoi riciklimi i emrave që kishin uzurpuar qarqet, sepse u bënë bajraktarë qarqesh, duke instaluar rreth vetes miq, servilë etj. Në 2009, në Fier erdhi Meslia Doda dhe jo unë. Erdhi sërish në 2013, pasi sërish këta kishin fuqi në përcaktimin e listave. Tani kur nuk u përfshinë më në lista, kur mbaroi periudha e bajraktarizmit të tyre nëpër qarqe, po i hidhen në fyt pjesës tjetër të demokratëve, gjë të cilën ne të tjerët nuk e bëmë as në 2005, as në 2009 dhe as në 2013.

Edhe Jemin Gjana, edhe Tritan Shehu, edhe Agron Musaraj dhe shumë të tjerë që kanë dhënë kontribut më shumë se sa ky grupi i delegatëve të PPSH, nuk iu kundërvuan PD. Po të shikosh historikun e Arben Imamit, i cili u emëruar shef kabineti i z. Berisha pa dorëzuar mandatin e deputetit të PS, nuk është deklarata e parë.

Imami ka bërë edhe një gjyq në Pashaliman, ku ka dënuar me pushkatim Sali Berishën, Tritan Shehun, Aleksandër Meksin, Gazideden dhe Safet Zhulalin. Është gjyqi i marsit i Pashalimanit me Daut Gumenin, Albert Shytin etj. I ka dënuar në mungesë me pushkatim.

Këta i kam ligji i dekriminalizimit pasi janë dënuar me pushkatim nga Arben Imami, por nuk u kapën dot asokohe! Nuk janë amnistuar. Ndaj, deklaratat e tij, janë reflektim i reminishencave të së kaluarës, ku bëri gjyqin etj. Edhe Genc Ruli ka bërë gjyqe, por vetëm me letra, gjatë kohës kur ishte këshilltar i qeverisë ‘Nano’, kur PD ishte në opozitë, ’97-2001-2004, tek Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Bashkëkohore, kur për tetë vite, me paratë e USADI, shkroi 1400 faqe raport kundër katër viteve të qeverisë së parë të Sali Berishës, në një kohë kur për dy vjet e gjysmë kishte qenë edhe vetë ministër.
 
-A është një farsë gara e shpallur për kreun e PD?
 
Unë do të pres për zyrtarizimin e kandidatëve të tjerë, përveç Eduard Selamit, për të cilin nuk besoj se është pjesë e këtij grupi, për të ndërmarrë një nismë.

Do t’i drejtohem komisionit që drejton zgjedhjet, që për çdo kandidat për kryetar partie, t’i nënshtrohet verifikimit të autoritetit për hapjen e dosjeve, për të parë të kaluarën e tyre nëse kanë apo nuk kanë lidhje me ish-Sigurimin e tyre.

Këtë do ta kërkoj me forcë edhe gjatë katër viteve në parlament, që për çdo anëtar të Këshillit Kombëtar të PD, të Kryesisë dhe të forumeve të tjera, t’i dërgohet një letër komisionit, për të verifikuar të kaluarën ë tyre. Sot ka ardhur kohë që, përderisa kemi një komision dhe kemi një ligj në fuqi, partia e cila u ngrit e para në dhjetor të ’90 kundër diktaturës, duhet të japë shembullin dhe të jetë model që, në radhët e saj, të mos ketë më njerëz me lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit.

(D.T/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë