Ndërkohë, ata që e kishin më pranë dhe që ia çmonin vlerën më shumë "yllit", siç e cilësojnë shpesh në artikull simbolin mitik të Benz-it, ish-gjermanolindorët, duket se e refuzonin prezencën e tij - të paktën publikisht - së bashku me "tovarish"-ët moskovitë, të cilët gjithsesi rendisnin në parkingun e Kremlinit, një shumëllojshmëri markash e tipesh të veturave perëndimore, sipas artikullit. Ishin pra pikërisht ata që siç thekson artikulli, "gjëmonin me batare" në luftën e pakompromis e të gjithanshme kundër kapitalizmit e simboleve të tij, të cilët në mënyrë paradoksale e adhuronin këtë simbol .
Marshalli hijerëndë jugosllav, Josip Broz Tito, ngjan të ketë qenë edhe inspiruesi kryesor nga "kampi i kuq", për të qarkulluar me të, i pasuar menjëherë nga fqinjët apo nga "shokët e idealeve" nga Europa deri në Azi. Por gjithsesi, në përshtatje me kushtet e cilësinë e rrugëve, duket se bëhej edhe porosia luksoze, duke bërë që të lëviznin rrotat e të diskutohej edhe çmimi i volitshëm, sidomos në rastin shqiptar, ku sipas artikullit, mungesa e devizës ishte një handikap - në dukje- krahasuar me homologët në vende të tjera komuniste.
Kështu, për Hoxhën, tipi i përshtatshëm ngjan të ishte "Mercedes 250 S", por për liderët e tjerë lindorë, preferoheshin tipa më robustë. Kishte dhe nga ata që e dinin se udhëtimi me të nuk mund të shkonte më larg se 100 km, pasi Mongolia e asaj kohe, për shembull, sipas artikullit, nuk mund të të ofronte më shumë. Një veçori tjetër të cilën na e vë në dukje artikulli në fjalë, ishte edhe fakti se: në kundërshtim me vende të tjera lindore, kinezët ashtusikurse edhe shqiptarët, i kanë zbukuruar parkingjet e përfaqësive të tyre jashtë vendit, me Mercedes-ë (mbizotërojnë tipat: 250 dhe 280).
* * *
Ata gjëmojnë me batare kundër kapitalizmit dhe luftojnë komfortin perëndimor. Megjithatë adhurojnë t´i ulin të ndenjurat e tyre në një simbol të kapitalizmit. Qoftë në Pekin, Phenian, Varshavë apo Ulan-Bator, duke ecur mbi bulevardet plot shkëlqim të Budapestit apo mbi sheshet e pistat e ngrata të Kinës - shoqëruar nga shoferi, do të gjendet gjithnjë duke qarkulluar automjeti mitik që mbart një udhëheqës partie apo kryetar shteti në vendet komuniste. Ata lëvizin ngadalë, duke shijuar mendueshëm nga ndenjësja e butë, "yllin" nga Shtutgarti. Udhëtari më i moçëm i Mercedes-it në tokën socialiste, duket se është shefi i shtetit jugosllav, Marshalli Josip Broz Tito.
Kur ai dëgjoi për herë të parë në mes të viteve ´60, se "Daimler-Benz" po punonte për të sjellë sërish në treg një tip të ri, vërtetë të madh, e la në park menjëherë "karrocën" e vet të preferuar deri më atë atëherë; një "Rolls-Royce", dhe - duke u regjistruar kësisoj si njëri ndër të parët klientë të mallit të ri - porositi menjëherë një "Pullman 600", si dhe një "Landaulet 600" të hapur. Çmimi: rreth 140 000 marka gjermane. Në komfortin që ofron "Daimler"-i, Marshalli plak mund të shijojë një bar, një telefon si dhe të ingranojë edhe një aparat rroje. Poshtë mbajtëseve të krahëve, gjithsesi gjendet edhe një kuti kozmetike. Shija e shtrenjtë e Titos nuk iu imponua vetëm shokëve të tij më të ngushtë dhe drejtorëve kryesorë të industrisë jugosllave, të cilët qysh prej asaj kohe, tashmë parapëlqejnë vetëm "Benz"-at ( nga tipat më të përdorur tashmë renditen: 250 dhe 280), por edhe homologëve të tij partiakë, nga vendet fqinje: Kur shefi i shtetit dhe kryetari i partisë rumune, Nikolae Çaushesku u takua me Titon në rezidencën e këtij të fundit në ishullin Brioni, të dy bashkëbiseduesit folën edhe mbi temën: makinat e shërbimit.
E kështu që nga Bukureshti, Çaushesku dërgoi njerëzit e vet të bënin porosinë për mallin nga Shtutgarti. Ata porositën - sipas shembullit të dhënë nga Tito - një "Pullman" dhe një "Landaulet". Edhe vetë Enver Hoxha, shefi i Republikës së vogël Popullore të Shqipërisë, miqësore ndaj Kinës, nuk ka mundur t´a refuzojë dot e të tërhiqet nga përdorimi i simbolit krenar të kapitalizmit. E thënë troç: meqenëse Republika e vogël ballkanike vuan nga mungesa e devizës së gjelbër, diktatori shqiptar ka menduar se porositja e një "Mercedes 300" (çmimi: 22 100 deri në 28 600 marka) do të kishte qenë mëse e pranueshme. Në biseda me ekspertët e vet të "Benz"-it, Hoxha besohet të ketë thënë se, edhe kjo dëshirë ishte sërish e shtrenjtë. Arsyetimi: sepse përdorimi i 300-it, pajisur me të gjitha komoditetet dhe teknologjinë e lartë, nuk do ishte i përshtatshëm për rrugët e këqija të Shqipërisë. Kështu që "i forti i Tiranës" duhej të kënaqej me një "250 S". Mjeti shtetëror është i pajisur me goma të gjera 15 inch ( rreth 381 mm), amortizatorë të përforcuar si dhe me një mbrojtëse me pllaka metali kundër goditjeve të gurëve. Ashtusikurse shefi i tyre i partisë, edhe ambasadorët shqiptarë në mbarë botën lëvizin me produktin nga Shvabia ( përkth: Krahinë në Gjermaninë jugore, ku ndodhet edhe qyteti i Shtutgartit, ku ka selinë edhe Mercedes-Benz).
Në këtë rast, me posedimin dhe përdorimin e këtij mjeti, shqiptarët duan të demonstrojnë edhe në aspektin automobilistik, miqësinë e tyre ndaj Kinës së Maos. Pasi në kundërshtim me vende të tjera lindore, kinezët ashtusikurse edhe shqiptarët, i kanë zbukuruar parkingjet e përfaqësive të tyre jashtë vendit, me Mercedes-ë ( mbizotërojnë tipat: 250 dhe 280). Funksionarët e lartë kinezë në vendlindje, kohët e fundit duket se nuk kanë qenë fort të kënaqur me paratë që kanë hedhur për të pasur në dorë "Yllin". Disa të privilegjuar ndër kinezët e rinj, vërdallosen nëpër provinca vetëm prej pak kohësh nëpër limuzina 600-e. Se sa 600-a qarkullojnë ndërkohë në Kinën e Maos, këtë nuk e dinë ta thonë saktësisht as vetë prodhuesit në Shtutgart, të cilët ua kanë shitur kinezëve këto makina, pasi këta të fundit, i kanë blerë këto automjete nëpërmjet personave të tretë si ndërmjetës.
Manaxherët e Benz-it vlerësojnë se numri i 600-ave të dërguar në Kinën e Maos, shkon deri në dhjetra. Një vlerësim më të saktë, prodhuesit në Shtutgart shpresojnë ta marrin nga një teknik i tyri, i cili për herë të parë, pas Luftës, do shkojë në Pekin vitin që vjen. Sidoqoftë, të dhëna të pasakta ekzistojnë mbi numrin e automjeteve qeveritare të prodhuara nga "Benz"-i për Vietnamin e Veriut dhe Korenë e Veriut. Të dy kombet e ndara më dysh, i kanë bërë ndërkohë prorositë e tyre nëpërmjet të tretëve. Por një tekniku të "Daimler"-it, koreanoveriorët u kishin rrëfyer një sekret: ata kishin njëmbëdhjetë 600-a. Më i përdorur ngjan të jetë për shokët komunistë aziatikë, tipi i Benz-ave më të vegjël. Kështu, në vitin 1971, funksionarët nga Pheniani ( Koreja e Veriut) porositën një partí prej 200 Mercedes-ësh të tipit 220, direkt nga uzinat në Shtutgart.
Edhe Mongolia, vendi agrar besnik i Moskës, i cili nuk numëron dot as 100 kilometra rrugë të asfaltuara, ka blerë në një radhë të vetme 30 Mercedes-ë të tipit "280 S" dhe pagesën e ka kryer në marka gjermane. Kundër përdorimit të simbolit kapitalist në fushën automobilistike me origjinë nga vendi i shvabëve, deri më tani janë dëshmuar të jenë vetëm sovjetikët dhe RDGJ-ja. Përjashtim bëjnë: në rrethinat e Moskës, ku ndodhen daçat (përkth: shtëpizat apo vilat e udhëheqjes në pyll) janë vënë re tek-tuk, edhe limuzina Mercedes.
Edhe në parkingun e madh të Kremlinit, ku shihen në fakt një përzierje ngjyrash të markave perëndimore - si për shembull "Rolls-Royce", "Citroen SM", "Cadillac" - prej vitesh gjendet edhe një "Daimler" aristokrat i tipit 600.
*Marrë nga "DER SPIEGEL", 18 Dhjetor 1972
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com, 20 janar 2013
(eç/shqiptarja.com)