Kryeministri Edi Rama ishte ditën e sotme në Vlorë, ku mori pjesë edhe në mbledhjen e Asamblesë së PS në këtë degë.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama theksoi se aktualisht ‘dera’ e Bashkimit Europian është e hapur për Shqipërinë dhe duhet bërë ç'mos që të avancohet sa më shpejt në procesin e anëtarësimit.

Më tej Rama theksoi se shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të konfirmojnë mbështetjen për Partinë Socialiste, pasi sipas tij, kjo është e vetmja forcë politike që mund të përmbushë misionin e anëtarësimit të vendit në BE.

“Sot dera e BE-së është e hapur, sepse nëse nuk do të ishte e hapur, ne s’do t’i kishim hapur dot të gjithë kapitujt e anëtarësimit në 11 muaj. Natyrisht ne i kemi hapur të 11 kapitujt, pasi kemi qenë gati. Këtu shpërtheu një furtunë e madhe, ‘u bllokuan negociatat’, tani ata që thoshin ‘ne kurrë s’do futemi në BE’, tani thonë ‘ishim te dera e BE dhe nuk na futi Edi Rama’.

Ajo që nuk është normale, është që PS të humbasë fokusin nga gjërat që kanë rëndësi vërtetë. PS duhet të krijojë imunitet të plotë nga gjithë kjo mjegull dhe gjithë kjo baltë, që synon të mjegullojë sytë edhe të anëtarësisë tonë. Është shumë e rëndësishme që të mos kemi humbje kohe dhe luhatje. Në fund të janarit, Parlamenti votoi 27 ligje deri në mëngjes. Ishin 27 ligje që ishin pjesë e negociatave", tha mes të tjerash Rama.

Më tej kryeministri për të treguar sesa me ngut është procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, zbuloi një telefonatë që kishte kryer në Bruksel ku u kishte kërkuar zyrtarëve atje shtyrje të seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku u votuan 27 ligje që ishin pjesë e negociatave. Rama tha se Brukseli nuk pranoi shtyrje të seancës, ç'ka sipas kryeministrit tregonte edhe urgjencën e miratimit të ligjeve sa më parë.

"Pse koha në këtë proces është flori në kuptimin e vërtetë të fjalës, unë po ju them se nuk mund të isha dot në atë seancë, sipas datës së caktuar dhe kam marrë personalisht në telefon personalisht në Bruksel dhe ju thashë: ‘ju lutem duhet të jem edhe unë aty, sepse nuk ka kuptim’. Dhe ne i kemi ato votat me kandar farmacie, sepse ishin 7 ligje që donin 84 vota. Edhe u thashë ‘ka mundësi ta shtyjmë 3 ditë seancën’ dhe përgjigja ishte ‘jo’. Pra shtyhen afatet. Ky është intensiteti. Imagjino tani të na duheshin molotovarët për të bërë 84 vota. Përfytyrojeni çfarë fati do të kishte Shqipëria me procesin e integrimit”, vijoi më tej kryeministri Rama.


Lajmi kryesor:

Rama porosi operatorëve turistikë në Vlorë: Kujdes me çmimet, do i bëni gropën vetes! Projekti i Sazanit, kryeministri: Ka ndryshuar, jemi në negociata