Gazment Bardhi e sfidoi sërish këtë të diel SPAK-un duke i kërkuar të veprojë mbi arrestimin e Belinda Ballukut tashmë që pozita penale e saj është rënduar dhe të dërgojë në parlament kërkesën e dytë për heqjen e imunitetit të saj.

""Dita 3. 2 vila të fshehura dhe të sekuestruara. 3 akuza të reja për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, por akoma ASNJË kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut.. Pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar, por SPAK nuk vepron për rëndimin e masës së sigurisë dhe vazhdon t’i japë kohë Edi Ramës për manovra politike", shkruan Bardhi.

Bardhi shigjeton drejtpërdrejt kreun e SPAK duke akuzuar sërish Klodian Brahon për ndikim nga Rama përmes asaj që kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi e quan Aleanca e Valamar.“

"Pse nuk vepron SPAK? Çfarë tjetër duhet të ndodhë që drejtuesi i SPAK të mos shkelë mbi standardin e deklaruar prej vetë atij se, kur pozita penale rëndohet, rëndohet edhe masa e sigurisë? Çdo ditë që kalon pa kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut është në favor të “Aleancës së Valamarit” kundër sundimit të ligjit", përfundon Bardhi.

‘Aleanca e Valamarit’ është një akuzë e ngritur nga Bardhi për kreun e SPAK, Klodian Brahon, për të cilin është shprehur se ka si pikë kontakti me Ramën, Ervin Demon duke kryer takime të fshehta në një vilë në Gjirin e Lalzit.

Të mërkurën gjykata sekuestroi një tjetër vilë në Palasë, pas asaj në Dhërmi, “në pronësi faktike” të deputetes, por të fshehur nën emrin e Igli Tares. Sipas SPAK, vila është marrë në këmbim të të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese bashkë me një kompani tjetër, në tenderin prej afro 30 milion eurosh (me TVSH) për lotin 7 të Unazës së madhe të Tiranës.

Ballukut i është shtuar vepra penale e mosdeklarimit ose fshehjes së pasurisë. Ndërkohë vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”.

P.J/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56

    Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?