Partizani fitoi 0-1 në derbi me Tiranën për javën e 15-të në Superligën e futbollit. Pas ndeshjes për Oversport folën edhe dy trajnerët. Orges Shehi i bardhebluve tha se ekipi i tij vuajti 10 minutat e para, atëherë kur pësoi edhe golin.
“Pavarësisht ndryshimeve, që i kemi edhe të kushtëzuara. U futëm në presion në fillim, ndeshja u vendos nga episodet dhe më pas rrjedha e lojës u bë edhe më e vështirë. Behiratche nuk ishte i gatshëm për këtë sfidë dhe luajtëm me Lulajn në të djathtë dhe Aleksin në mbrojtje. Goli erdhi për shkak të gabimit tonë dhe më pas presioni ndikoi.
Ne kemi nevojë për organikë të pasur. Deliu luajti shumë mirë, ndonëse jo në rolin e tij natyral. Kemi probleme në krahun e djathtë për shkak të mungesave. Ne u munduam që të luajmë shpejt dhe të ndryshojmë krahun e lojës, por gabuam shumë. Diferencën e bëri agresiviteti i sulmuesve të Partizanit, sulmuesit tanë duhet të ishin më agresivë. Ishin vetëm 10 minuta të këqija, pjesa tjetër ishte e mirë. Loja u ndërpre shpesh dhe kjo na penalizoi”, tha Shehi.
Ndërkohë foli edhe trajneri i Partizanit, Giovanni Colella. Italiani i jep notën 6.5 ekipit të tij, me Colellan që flet edhe për eksperiencën e fituar.
"I kënaqur me kontingjentin që keni, ku mund të përforcoheni në merkato? Nuk më duket ky momenti i duhur për të folur për këtë temë. Do ta diskutojmë me qetësi merkaton me drejtuesit. Kemi fituar eksperiencë. I menaxhuam më mirë emocionet krahasuar me derbin e kaluar dhe sipas meje kjo për lojtarët profesionistë është një rezultat i mirë. Por nuk kemi arritur akoma që të menaxhojmë situatën pasi kalojmë në avantazh. Por kemi arritur që të mbrojmë me intensitet të mirë dhe nuk pësuam gol, duke arritur që të marrim rezultat. Pjesa e dytë më e mirë e Partizanit? Nuk e di, rrezikuam pak dhe nuk pësuam gol. Duhet të menaxhojmë me më shumë qetësi situatat. Një notë për skuadrën? Mjaftueshëm, 6.5 është nota që i jap skuadrës", tha Colella.
Lajmi kryesor: