VIDEO/ Partizani mposht Tiranën në derbi me golin e Skukës dhe shkëputet në krye të Superligës! Probleme me tifozët, përleshje mes futbollistëve

VIDEO/ Partizani mposht Tiranën në derbi me golin e Skukës dhe shkëputet në krye të Superligës! Probleme me tifozët, përleshje mes futbollistëve

Goli i Skukës

FT/ Tirana 0-1 Partizani (Skuka 4')

Partizani fitoi 0-1 me Tiranën për javën e 15-të të Superligës në "Air Albania". Një gol i Xhuliano Skukës në minutën e katërt rezultoi deçiziv, teksa fundi i sfidës solli edhe përplasje mes lojtarëve në fushë. Një flamur me ngjyrat e kuqe që lojtarët e Partizanit kërkuan të vendosnin në mesin e fushës bëri që përlëshja mes lojtarëve të vijonte me të shtyra. Në fushë nuk munguan as tifozët që më pas u ndalën nga siguria. Ndeshja zgjati për 111 minuta, kjo për shkak se dueli u ndërpre disa herë në episode të gjata, me tifozët nga të dyja anët hodhën në fushë mjete piroteknike dhe flakadanë të shumtë, gjë që solli edhe pamundësinë për të parë dhe vijuar lojën.

Ndeshja nisi mirë për Partizanin që në këtë duel ishte mysafirë. Një aksion i shpejtë nga e majta e sulmit për Partizanin dhe mbetja e topit në zonë bëri që Skuka të gjente golin e epërsisë me një veprim të bukur akrobatik dhe goditje fluturimthi. Kjo do mjaftonte që ana e kuqe e stadiumit të shpërthente në festë.

Pas golit të pësuar Tirana kampione në fuqi e Superligës mori në kontroll lojën dhe pati disa raste të mira shënimi por pa ia dalë të dërgonte topin në rrjetë. Pjesa e dytë u luajt vetëm një minutë e gjysmë, me tifozët që e bënë "tym" stadiumin, teksa arbitri Eldorjan Hamiti ndërpreu për 13 minuta sfidën duke kthyer edhe lojtarët në dhomat e zhveshjes. Me qetësimin e situatës dhe qartësimin e shikimit, ndeshja rinisi. Ishte Cara që në minutën e 68 goditi traun e portës, teksa sërish sulmuesi disa minuta më vonë u ndal nga Bekaj. Edhe me tetë minuta shtesë Tirana nuk ia doli të gjente golin, ndërsa Partizani merr tri pikë me vlerë. Pas 111 minutave lojë dhe 21 muajve pritje, Partizani ia del që në fund të marrë tri pikë pas një kohe të gjatë në derbi, duke "veshur" me të kuqe kryeqytetin. Dhuratë e bukur për "Demat" në festat e fundvitit, që kryesojnë me 29 pikë Superligën. Me 25 pikë Tirana qëndron në vendin e dytë.

Më herët këtë të mërkurë Kukësi fitoi 1-0 me Laçin falë golit të kapitenit Gjelbrim Taipi, teksa nesër zhvillohen edhe Erzeni - Bylis, Kastrioti - Egnatia dhe Vllaznia - Teuta. Këtë vit Partizani e mbyll në krye të Superligës, me elitën e Shqipërisë që do kthehet në 14 janar.

VIDEO:

Renditja:

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:55
Derbi foli për 'Demat', Orges Shehi: Ishim dobët në 10 minutat e para! Colella: Partizani meriton notën 6.5

Partizani fitoi 0-1 në derbi me Tiranën për javën e 15-të në Superligën e futbollit. Pas ndeshjes për Oversport folën edhe dy trajnerët. Orges Shehi i bardhebluve tha se ekipi i tij vuajti 10 minutat e para, atëherë kur pësoi edhe golin.

“Pavarësisht ndryshimeve, që i kemi edhe të kushtëzuara. U futëm në presion në fillim, ndeshja u vendos nga episodet dhe më pas rrjedha e lojës u bë edhe më e vështirë. Behiratche nuk ishte i gatshëm për këtë sfidë dhe luajtëm me Lulajn në të djathtë dhe Aleksin në mbrojtje. Goli erdhi për shkak të gabimit tonë dhe më pas presioni ndikoi.

Ne kemi nevojë për organikë të pasur. Deliu luajti shumë mirë, ndonëse jo në rolin e tij natyral. Kemi probleme në krahun e djathtë për shkak të mungesave. Ne u munduam që të luajmë shpejt dhe të ndryshojmë krahun e lojës, por gabuam shumë. Diferencën e bëri agresiviteti i sulmuesve të Partizanit, sulmuesit tanë duhet të ishin më agresivë. Ishin vetëm 10 minuta të këqija, pjesa tjetër ishte e mirë. Loja u ndërpre shpesh dhe kjo na penalizoi”, tha Shehi.

Ndërkohë foli edhe trajneri i Partizanit, Giovanni Colella. Italiani i jep notën 6.5 ekipit të tij, me Colellan që flet edhe për eksperiencën e fituar.

"I kënaqur me kontingjentin që keni, ku mund të përforcoheni në merkato? Nuk më duket ky momenti i duhur për të folur për këtë temë. Do ta diskutojmë me qetësi merkaton me drejtuesit. Kemi fituar eksperiencë. I menaxhuam më mirë emocionet krahasuar me derbin e kaluar dhe sipas meje kjo për lojtarët profesionistë është një rezultat i mirë. Por nuk kemi arritur akoma që të menaxhojmë situatën pasi kalojmë në avantazh. Por kemi arritur që të mbrojmë me intensitet të mirë dhe nuk pësuam gol, duke arritur që të marrim rezultat. Pjesa e dytë më e mirë e Partizanit? Nuk e di, rrezikuam pak dhe nuk pësuam gol. Duhet të menaxhojmë me më shumë qetësi situatat. Një notë për skuadrën? Mjaftueshëm, 6.5 është nota që i jap skuadrës", tha Colella.

Ora 22:25
VIDEO/ Derbi nuk ka mbarim, lojtarët e Tiranës dhe Partizanit përleshen për një flamur

Partizani fitoi 0-1 me Tiranën për javën e 15-të të Superligës në "Air Albania". Një gol i Xhuliano Skukës në minutën e katërt rezultoi deçiziv, teksa fundi i sfidës solli edhe përplasje mes lojtarëve në fushë. Një flamur me ngjyrat e kuqe që lojtarët e Partizanit kërkuan të vendosnin në mesin e fushës bëri që përlëshja mes lojtarëve të vijonte me të shtyra. Në fushë nuk munguan as tifozët që më pas u ndalën nga siguria.

Ora 22:05
VIDEO/ Problemet me flakadanët dhe ndërprerja e Tirana - Partizani, policia në tapetin e 'Air Albania'

 

Po luhen minutat e fundit në derbin Tirana - Partizani në "Air Albania". Të kuqtë kryesojnë me një gol të Skukës në minutën e katërt të ndeshjes, ndërsa ndeshja është ndërprerë disa herë për shkak të flakadanëve të tifozëve. Nisur nga situata, policia ka krijuar një korodon poshtë tifozëve, me blutë që janë në pistën e stadiumit.

Ora 21:15
VIDEO/ Arbitri ndërpret derbin Tirana - Partizani, ultrasit bardheblu fishekzjarre në drejtim të tifozëve! Re tymi në 'Air Albania'

 

47'/ Tirana 0-1 Partizani. Pjesa e dytë është luajtur vetëm në një minutë e gjysmë. Tifozët e Tiranës në sektorin ultras kanë lëshuar fishekzjarre në drejtim të tifozve në sektorin përballë të stadiumit. Arbitri Eldorjan Hamiti tërhoqi skuadrat në dhomat e zhveshjes dhe pas 4 minutash lojtarët dolën në fushë. Dy kapitenët, Ismajlgeci dhe Bitri shkuan te tifozët për të kërkuar që mos ketë më flakadanë. Asgjë nuk duket në stadium, re tymi nga tifozët. Pritet që pamja të qartësohet në fushë.

 
Ora 20:38
Derbi i kryeqytetit, tifozi i vogël për Report Tv: Janë 'Morra të kuq' ndaj jam me Tiranën

 

Sonte po luhet Derbi i kryeqytetit, ndërsa për Report Tv folën tifozët. Një i cili tëhoqi vëmendjen ishte edhe një vogëlush i cili tha se është me Tiranën pasi Partizani është ‘morr i kuq’

Për kë bëni tifo? Për Tironën. Pse e do kaq shumë Tiranën? Ngaqë do fitojë. Pse nuk je bërë me Partizanin? S’du se është morri i kuq. Sa do fitosh? 4 me O.

Një tjetër tifoz, mbështetës i Partizanit do të futet në tribunën e tifozëve të Tiranës, por për t’iu shmangur incidenteve, ai tha për gazetarin Ernest Koçi se nuk do të identifikohet si tifoz i ‘morrave të kuq’.

Fitore Tirona. Shpresojmë që sot ta fitojmë dhe të ecim sa më para.

Unë jam tifoz i Partizanit, jam kundër cunave. Ku do futesh? Te Tirana do futem po nuk do bëj zë.

Ora 20:14
VIDEO/ Vetëm 4 minuta lojë, Partizani i shënon Tiranës me Skukën

4'/ Tirana 0-1 Partizani. Në minutën e 4 Xhuliano Skuka ka zhbllokuar ndeshjen me një aksion dhe gol të bukur. "Demave" iu është dashur vetëm 4 minuta për golin e parë. Festë te të kuqtë.

Ora 20:06
VIDEO/ Shtyhet me disa minuta derbi Tirana - Partizani, shkak bëhen tifozët! Koreografi spektakolare në stadium

 

Ndeshja derbi mes Tiranës dhe Partizanit do duhet të niste në 20:00. Dueli është shtyrë me disa minuta kjo për shkak të hedhjes së sendeve në fushë nga tifozët. Flakadanë, kapsolla dhe shumë letra janë në tapetin e lojës, me arbitrin Eldorjan Hamiti që ka shtyrë disa minuta ndeshjen derisa fusha të pastrohet. Gjyqtari është kujdesur që të ndërrojë edhe anët e skuadrave për mënyrën sesi do nisë dueli. Koreografi spektakolare në stadium nga dy tifozeritë që janë 13 mijë në numër.

 

 
Ora 18:49
VIDEO/ Të ndarë dhe të shoqëruar nga policia, kryeqyteti 'pushtohet' nga tifozët e Tiranës dhe Partizanit

 

Tifozët e Tiranës dhe Partizanit kanë marshuar drejt "Air Albania" në kryeqytet, aty ku në 20:00 luhet derbi për javën e 15-të të Superligës. Nën shoqërinë e policisë për të shmangur përplasjet, dy tifozeritë kanë zgjedhur rrugë të ndryshme drejt impiantit. Afro 12 mijë tifozë priten sot në derbi, me stadiumin që garanton spektakël, të paktën në shkallët e tij.

 

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë