Derbi Dinamo-Partizani që luhet sot nga ora 19:00 në stadiumin Air Albania pritet të përcaktojë shumë për fatet e dy ekipeve. ‘Nëndetësja’ dhe ‘demat’ janë me pikë të barabarta dhe luftojnë për vendin e 4, që është edhe pozicioni i fundit të qëndron në ‘final-four’. Dy derbit e parë këtë sezon kanë folur për Dinamon që ka siguruar 2 fitore, ndërsa Partizani vjen në këtë përballje pas eliminimit me shumë polemika nga Kupa, që ishte edhe objektivi i sezonit.

“Nuk është ndeshje jashtëzakonimisht vendimtare sepse ka ndeshje përsëri. Ka edhe 9 sfida. E mira është se jemi në lojë. Çdo gjë varet nga duart dhe këmbët tona. Besoj do jetë një ndeshje shumë e mirë, e luftuar nga të dy ekipet sepse edhe Dinamo pas rezultateve negative e ka rregulluar duke fituar 3 ndeshjet e fundit,”-u shpreh trajneri i Partizanit Oltijon Kërnaja.

Po sot në orën 19:00 Egnatia pret në Rrogozhinë Teutën me shpresën për të fituar dhe për t’u afruar me 2 vendet e para, ndërsa befasi në javën e 27 të kampionatit ishte humbja 1-0 e Vllaznisë përballë Flamurtarit të vendit të fundit.

“Këto 3 pikë i meritonim. Po vjen fundi i kampionatit dhe ishin shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit,”-tha Andi Ribaj, trajner i përkohshëm i Flamurtarit.

“Humbëm një ndeshje që nuk duhej humbur. Nuk patëm përqëndrimin e duhur sepse një herë na erdhi në portë Flamurtari dhe na realizoi. Patëm shumë raste, por ishim shumë të lehtë para porte, se nuk patëm agresivitetin e duhur për të realizuar. E pësuam se ky është futbolli,”-deklaroi trajneri i Vllaznisë Edi Martini.

Pas ndeshjes vlonjatët njoftuan se Francesco Moriero, i cili mungonte prej 3 javësh, nuk do të jetë më trajneri i tyre, teksa kanë ndarë rrugët me marrëveshje, ndërsa fitorja i largo inga vendi i fundit që e mbanin prej disa javësh.

Kjo e ndikuar edhe nga humbja 0-1 që Tirana pësoi në kryeqytet kundër Elbasanit. Ndeshjen e tensionuar e vulosi Ze Gomes, ndërsa pas sfidës pati përleshje mes tifozërive në rrugët e kryeqytetit. Dueli tjetër i mbijetesës mes Bylisit dhe Vorës përfundoi 1-0 në favor të ballashiotëve. Ekipi i drejtuar nga Mirel Josa mban vendin e 7 me 27 pikë, 1 më shumë se Vora e vendit të 8 dhe 3 më shumë se Flamurtari i vendit të 9. Tabelën e klasifikimit e mbyll Tirana me 21 pikë.