Vetëm një grusht ithtarësh i janë bashkuar ‘Foltores’ së përjavshme të thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha para godinës së Kryeministrisë. Në pamjet me dron të siguruara nga Report TV vihet re një numër shumë i ulët të pranishmish në protestën e PD-së para Kryeministrisë, aq sa mund të numërohen me gishtat e dorës.
Protestave të thirrura nga Berisha para Kryeministrisë nuk po u bashkohen më as militantët e PD-së, pasi duket qartë një ‘firo’ e tyre nga tubimi në tubim. Shkak për numrin e ulët të pjesëmarrësve është edhe dhuna dhe hedhja e molotovëve në protestat e fundit kombëtare të thirrura nga Berisha, të cilat kanë krijuar te njerëzit pasiguri për jetën. Në protestën e fundit kombëtare të thirrur nga Berisha, militantët e tij sulmuan me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha (sot qendër kulturore), duke rrezikuar jetët e artistëve të huaj që ndodheshin brenda saj.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Berisha tha sot se kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca mbrojtën vjedhjet e Belinda Ballukut, në mënyrë që sipas tij të mbrojnë edhe korrupsionin që kanë bërë vetë. Duke e cilësuar qëndrimin e sotëm të PS-së për Ballukun si aktin më të rëndë në vitet e demokracisë, Berisha i bëri thirrje intelektualëve dhe gjithë shqiptarëve që të ngrihen dhe të protestojnë në 12 mars para Parlamentit.
“Sot, deputetët e partisë së krimit me në krye kreun e organizatës kriminale, Edi Rama, njoftuan atë, të cilën e priste dhe e dinte çdo shqiptar se ata do përdorin si mburojë Lubi Ballukun për vjedhjet që ka bërë Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të organizatës kriminale. Ky është akti më i rëndë, më sfidant, më poshtërues, më fyes për çdo qytetar shqiptar.
Në këtë kuadër unë kam një thirrje të veçantë, në radhë të parë për çdo intelektual shqiptar, të dalë nga guaska e konformizmit të tij. Të mos harrojë kurrë se ai investim i madh që kanë bërë shqiptarët për shkollimin e tij, që kanë bërë prindërit e tij për shkollimin e tij, ka qenë para së gjithash dhe mbi të gjithë që ai të jetë, pavarësisht nga profesioni, të jetë një avokat i pamposhtur i interesave të kombit të tij, i interesave të shoqërisë së tij, i interesave të publikut”, tha mes të tjerash Berisha.
Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë ditën e enjte në datën 12 mars në orën 10:00 para Parlamentit, për të kërkuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, e cila po hetohet nga SPAK për korrupsion.
Demokratët e kanë dorëzuar raportin e tyre më herët, pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut dhe bashkë me atë të socialistëve, me qëndrimin kundër heqjes së imunitetit, do të hidhen për votim seancën plenare, të enjten e 12 marsit. PD atë ditë ka paralajmëruar revoltë brenda dhe jashtë parlamentit me argumentin, se kryeministri Rama po mbron korrupsionin e ish-numrit 2 të qeverisë.
Komente












