TIRANE- Pagat për arsimtarët nuk do të rriten, të paktën deri në vitin 2020-t. Në strategjinë e re për arsimin parauniversitar, qeveria ka bërë një hap pas, duke hequr parashikimin për rritjen e pagave, në çdo vit. Pagat e mësuesve tashmë do të rriten në bazë të disa kritereve të reja, ku kryesorja do të jetë performanca.

“Rezultatet e nxënësve përfaqësojnë treguesin kryesor të cilësisë dhe të performancës së sistemit arsimor, sidomos, kur kjo lidhet me synimin për pajisjen e nxënësve me njohuri dhe me kompetenca për përballimin e kërkesave të kohës. Performanca do të jetë kriter edhe për ndryshimin e pagës”, - thuhet në strategjinë për arsimin parauniversitar. Por në draftin e parë për strategjinë e arsimit parashikohej që pagat për të gjithë mësuesit të rriteshin nga 2 mijë deri në 8 mijë lekë të reja.