/ATSH/-Kandidati i Aleancës Popullore për Punë e Dinjitet, Genc Deromemaj gjatë një takimi me gratë demokrate të këtij qyteti, u shpreh se pas 21 qershorit historitë e varfërisë e pamundësive të nënave vlonjate do të kenë zgjidhje.

Ai garantoi se vëmendja e bashkisë së Vlorës, do të jetë tek nënat e gratë, për t'i dhënë atyre dinjitet e punë. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas për Vlorën, Nexhmie Xhuveli, i ftoi të gjitha gratë të jënë pjesë e fitores në 21 qershor, duke votuar për Genc Deromemaj.

Gjatë një takimi në Vlorë deputetja e Partisë Demokratike, Liljana Elmazi, u tha grave vlonjate, se ashtu si në fushatë, Genc Deromemaj gjatë drejtimit të bashksë së Vlorës do të jetë zëri i halleve të nënave vlonjate.

Ndërsa kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi, tha se ky takim i jashtëzakonshëm është dëshmi se në 21 qershor, Vlora do të jetë blu. Ajo garantoi në emër të kryetarit të PDSH-së, Lulzim Basha, se çdo projekt i Genc Deromemaj do të shkojë në parlament e do të kthehet në projekt të investuar në Vlorë.