Një ngjarje e pazakontë në spitalin rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër,ku në brendësi të godinës mund të të zënë sytë edhe ndonjë kafshë, përshembull një derr.
 
Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së të martës kur disa derra që enden dhe ushqehen me mbetjet spitalore të cilat gjenden lehtësisht jashtë ambienteve të spitalit, kanë hyrë në brendësi të tij ndonëse rojet janë aty 'për të përmbushur' detyrën e tyre.
 
​Kjo ngjarje e paprecedentë ka shkaktuar jo pak shqetësime tek pacientët e sidomos në repartin e pranimit dhe në atë të kirurgjisë.
 
Mjaft prej tyre kanë ndjerë erën kutërbuese të derrave dhe janë larguar menjëherë.

Njëri prej dëshmitarëve në vendngjarje që është punonjës në Prokurorinë e Gjirokastrës i cili kërkon te ngelet anonim, u shpreh i habitur me situatën që mbizotëroi në orët e mbasdites në spitalin e vetëm rajonal në jug të vendit.

"Ka qenë një situatë që as në ëndërr nuk e imagjinoja", u shpreh dëshmitari. Derrat qarkullonin të qetë në spital dhe disa pacientë nisën të largoheshin nën panik nga spitali-shprehet për Juguneës.net punonjësi i Organit të Akuzës në Gjirokastër.

Situata është normalizuar pas disa minutash me ndërhyrjen e pronarit të derrave i cili ka hyrë me nxitim në brendësi të spitalit për të tërhequr kopenë e dythundrakëve.

[gallery]23872[/gallery]
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com