Dervishi e Hoxha jo më prefektë
në Vlorë e Kukës ja emrat e rinj

Dervishi e Hoxha jo më prefektë<br />në Vlorë e Kukës ja emrat e rinj
TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka zëvendësuar prefektin e qarkut të Vlorës Besnik Dervishi dhe atë të qarkut të Kukësit Ram Hoxha. Në vend të tyre janë emëruar përkatësisht Etjona Hoxha në Vlorë dhe Safet Gjici në Kukës. Prefektja e qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha, është pedagoge në departamentin e Gjuhë-Letërsisë, në Universitetin e Vlorës ‘Ismail Qemali’. Gjithashtu, ajo është pjesë e Asamblesë Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste. Ndryshime ka pasur edhe në Kukës, ku, me vendim qeverie, është emëruar si prefekt i qarkut Sefet Gjici, president i ekipit të futbollit të Kukësit.

Më parë, këtë post e mbante Ram Hoxha, që ka qenë një ndër kandidatët e PS-së për deputet në këtë qark në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013, ku vetëm për pak vota mbeti jashtë dyerve të Kuvendit, duke e lënë qarkun e Kukësit me vetëm një deputet të majtë në Kuvendin e Shqipërisë.
Mësohet se zëvendësimi i prefektëve, si përfaqësues direkt të qeverisë në qarkun e Vlorës dhe të Kukësit, është bërë për një perfomancë më të mirë të punës në periudhën në vijim. Menjëherë pas bërjes publike të lirimit, në një deklaratë për mediat, ish-prefekti i qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi ka bërë të ditur se atij i është bërë një kërkesë nga kryeministri për një detyrë tjetër mjaft të rëndësishme.

Por ende nuk është bërë e ditur se çfarë detyre do të marrë. Ai ka falënderuar gjithë qytetarët e Vlorës që e kanë mbështetur në këto vite, si prefekt i Vlorës. “Pasi vendosa t’i përgjigjem pozitivisht ftesës se kryeministrit Edi Rama për të marrë një detyrë tjetër të rëndësishme, dëshiroj në radhë të parë të falënderoj të gjithë qytetarët e Vlorës për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë në ushtrimin e detyrës së Prefektit të Qarkut”, thotë ai për mediat. Njëherësh ka bërë të ditur se dëshironte të falënderonte kryeministrin e Shqipërisë për besimin e palëkundur qe ka treguar gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës nga ana e tij, besim të cilin ai dëshiron ta përmbushë edhe përmes detyrës së re që do t’i besohet.

“Në të njëjtën kohë, duke i uruar suksese Prefektes së re, dëshiroj të falënderoj dhe të gjithë bashkëpunëtorët, deputetet dhe autoritetet vendore të qarkut, grupet e interesit dhe mediat, të cilët më kanë ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të plotë dhe të sinqertë”, mbyll deklaratën e fundit si prefekt, Besnik Dervishi. Në muajin dhjetor Besnik Dervishi ka qenë objekt i një atentati me tritol. Në makinën e tij, të parkuar para kryeministrisë në dhjetor të vitit të kaluar, u gjet një sasi eksplozivi. Policia ka hetuar në pista të ndryshme, por ende, edhe pas 3 muajsh, nuk ka arritur të identifikojë autorët që vendosën lëndën eksplozive në automjetin e Dervishit.

Ndërkohë që Safet Gjici, prefekti i ri i Kukësit është presidenti i ekipit të futbollit të Kukësit, ekip që nën drejtimin e tij si president shënoi atë “odise magjike” në kupat e Evropës, ndërsa kishte ardhur nga kategoria e parë në superiore dhe tani e dy vite është në elitën e futbollit shqiptar, duke mos i lënë vendet e para dhe duke pretenduar sërish për të zënë vend në një nga eliminatorët në Evropë. Ndërsa pret të shënojë ndoshta të njejtin sukses dhe në mirëqeverisjen e prefekturës së Kukësit, si i emëruari direkt i qeverisë atje, teksa ka premtuar investime për atë zonë.

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Berishës nga arresti shtëpiak, Dash Sula për Report Tv: Pati impakt edhe fitorja e Trump! Pa të, PD do ishte varrosur

Lirimi i Berishës nga arresti shtëpiak, Dash Sula për Report Tv: Pati impakt edhe fitorja e Trump! Pa të, PD do ishte varrosur