Nuk është sekret që Alex Soros, djali i miliarderit George Soros, është trashëgimtari i preferuar i “the GOAT”, siç e quan ai babain e tij 96-vjeçar. George Soros ka 5 fëmijë nga disa martesa dhe mbetet një nga figurat më kontroverse në SHBA e më gjerë. Ajo që dihet botërisht është se me personazhe të këtij niveli e kalibri nuk është e lehtë të ulesh në tavolinë, qofsh kryeministër apo president.

Edi Rama, me qasjen e tij prej bohemi (që tashme ndoshta nuk e ka më si dikur), thuhet se ia fitoi zemrën George Sorosit që në takimin e parë. Ai mbeti i surprizuar dhe, nga ai moment, miqësia e tyre vetëm sa u fuqizua e interesat u forcuan.

Të gjithë e dinë aftësinë e Ramës për të të bërë “të biesh në dashuri”, kur ka interes, kuptohet. Rasti me George Soros është i tillë. Aq sa Rama ishte i ftuar nderi edhe në dasmën e tij në vitin 2013, në Nju-Jork, nuk është dhe këtë e kuptojnë shumë ata që i njohin situatat dhe konjukturat globale.

Ka shumë për të thënë për ndikimin e Soros në Shqipëri përmes Fondacionit për Shoqërinë e Hapur (Open Society), por duhet kohë për një analizë të bazuar në fakte dhe të dhëna të sakta e të qarta. 

Por ajo që dihet dhe është zyrtare, familja Soros për momentin është ndër donatoret më të mëdha të Partisë Demokrate në SHBA, me qindra miliona dollarë. E të mos jemi naivë! Padyshim që ka interesa për të mbrojtur, të cilat fillimisht janë në Amerikë e më pas, ndoshta, në “periferi të perandorisë”, këtu në Shqipëri, që nga popullsia nuk kalon as sa një qytezë e Nju-Jorkut.

I ndoqa me vëmendje analizat për foton e Alex Soros me Edi Ramën në një kafene buzë Jonit. Çfarë nuk lexova e dëgjova: “Kanë parë listën e atyre që do të jenë drejtuesit e rinj të Shqiperisë. “Po kontrollon protestën kundër Trump. “Rama i kërkoi ndihmë se vjen ambasadori i ri amerikan” …e shumë e shumë të tjera.

Ndoshta dhe qëndrojnë, por duhet guxim të flasësh me kompetencë për një takim ku të pranishëm ishin vetëm 2 persona!

I shtyrë nga kureshtja profesionale dhe iniciativa e gazetarit, vendosa të gërmoj pak më shumë dhe ajo që mësova ishte se:  “Pas vizitës në Greqi dhe pushimeve atje, Alex Soros qëndroi për 48 orë në Shqipëri dhe nuk takoi njeri tjetër përveç Kryeministrit të Shqipërisë dhe zonjës së tij. Një takim miqësor mes miqsh.”

U habita, mos vallë më bëjnë sytë? Nga ato që lexova në media mendova se ishin ndarë ministritë, ishte mbyllur diskutimi për protestat e shumë dilema të tjera megalomane.

Nejse, për ta mbyllur se është vapë e madhe e nuk e di sa do ta lexoni deri në fund: Ismail Kadare, në librin e tij “Kronikë në gur”, shkruan se në qytetin e Gjirokastrës ra keq magjia, njerëzit filluan kishin kujdes me thonjtë, me hirin e druve etj. Kur ka gogol ka dhe gjueti, filloi për të zbuluar kush magjisteicë e bënte që po shkonin gjërat mbrapsht!

Dikush rinte rojë e dikush dilte me dyfeqe. Fabula është e qartë: duhet diçka mistike për të justifikuar dështimet apo problemet tona reale. Soros është alibia perfekte.

E di që do të më kritikojnë për “avokati”, sidomos ata që kanë fituar shumë me shoqatat e tyre apo kanë qenë bursistë të Open Society. Ndjesë, por… C’est la vie!