TIRANE- Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, në një intervistë për “A1 Report”, u shpreh kundër projektligjit që prashikon zgjerimin e personave që mbajnë armë.

Z. Dervishi, si e shikoni projektligjin e ri për mbajtjen e armëve?

Në Shqipëri për shkak të rrethanave të ndryshme, shqiptarët i mbajnë të mbërthyer armët me apo pa leje qofshin ato. Pa marrë përsipër të analizojmë të gjithë projektligjin që po diskutohet në komisionet parlamentare dhe më tej, duhet të shtoj disa mendime lidhur me këtë.

Sa mendoi se është debatuar ky ligj në Komisionin e Ligjeve?

Debatet politike, janë debate politike dhe forcat politike duhet të qëndrojnë në pozicionin e tyre. Unë duhet të shtoj se përveç ligjit të `97 është shfuqizuar dhe ai i `92, ku për këto ka patur dhe disa amendime të tjera të `94, `95 dhe 2009. Dy të parat kanë shtuar disa funksione për mbajtjen e armëve si për punonjësit e shërbimit pujor, biznesmenë etj. Në `95 janë shtuar dhe punonjës të doganave dhe inspektorët e përgjithshëm në Ministrinë e Financave që janë autorizuar të kenë armë me leje. Rrezikshmëria për të përdorur armët dhe për të krijuar problemet me armët është edhe nga kjo kategori. Ky ligj për mëse 21 vite mendoj se e ka plotësuar misionin e vet dhe për shkak të kushteve të reja që janë krijuar në Shqipëri, ekonomike, të integrimit në Europë etj. Ndoshta i ka ardhur koha që ligji të shikohet në përqasje me legjislacionin europian. Ajo që unë nuk kuptoj është se për çfarë duhet që përveç kategorive të shtohen edhe funksione të tjera në ligjin që po diskutohet? Deputetët kanë qenë te ligji i mëparshëm, nuk janë shtuar. Janë shtuar zëvendësministrat, biznesmenët me kapital mbi 50 milionë lekë. Gjithashtu janë një numër i madh shoferësh që përcakton neni 18 i këtij projektligji¸të cilët në rastet më të mira merren njerëz që u kanë shërbyer në fushata elektorale, ndonjëherë dhe të pafiltruar mirë për kushtet e mbajtjes së armëve.

Nëse ligji miratohet në Kuvend në zgjedhjet e 23 qershorit mund të kemi shoferë biznesmenësh, biznesmenë me armë?

Jo të gjithë, por disa do të kenë njerëz të armatosur. Duhet parë me kujdes kategoria e njerëzve dhe procedura e dhënies së armëve me leje. Në Shqipëri ka ekzistuar një traditë pas ngjarjes të `97, ku u grabitën sasira të konsiderueshme të armëve dhe të gjtha instucionet u përfshinë dhe u morën për një kohë të gjatë me grumbullimin e tyre. Problemi ishte që afro 80 % e armëve u grumbulluan, por një pjesë e tyre janë në duart e qytetarëve shqiptar. Rrezikshmëria për të përdorur armët është edhe nga kjo kategori.

Po ta kishit ju në dorë do ta kalonit këtë projektligj në këto momente që ndodhet vendi ynë?

Nëse më pyesni në planin personal, unë kam qënë në detyrë si drejtor i policisë në Tiranë dhe nuk e kam mbajtur armën time personale për asnjë ditë. Nuk më mbronte ajo armë. Ndershmëria në zbatimin e ligjit ishte ajo që mbronte. Shteti shqiptar duhet të gjejë forma të duhura të rigjenerojë faktorët e tillë në Shqipëri. Të ngrejë si duhet rolin e institucioneve për zbatimin e ligjit përfshirë këtu Prokurorinë e gjykatat, në mënyrë që të bëhet parandalimi i krimit. Problematika që ligji kërkon të zgjojë kërkon debat, bisedime edhe në nivel profesional me ekspertë. Nuk është gjithçka që të bazohesh te arma për të mbrojtur veten.

Për kriminalitetin në vend, çfarë duhet të bëjnë autoritet dhe si mundet të parandalojmë krimin?

Shifrat e prezantuara edhe në rrugë shtetërore, por edhe nga media krijojnë një ide, që është e vërtetë që progresivisht gjendja e kriminalitet është e një shqetësimi të madh shtetëror. Policia e Shtetit duhet të bëjë kontrollin e vendit në mënyrë që të marrë masat paraprake parandaluese, të zbulojë dhe të vendosë para drejtësisë autorët. Gërshetimi duhet të jetë i rëndësishëm mes Prokurorisë e gjykatës.

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)