Dervishi: Kampi i Beratit ishte
caktuar për veriorët/ Shifrat

Historiani Kastriot Dervishi ka postuar në faqen e tij në Facebook disa të dhëna për kampet e Internimit  në Berat dhe në Krujë.

Në vitin 1945 Dervishi thotë se  në vendin tonë  u hapën dy kampe me tela me gjemba. Ajo çfarë bie në sy në këto të dhëna është fakti se të internuarit e veriut dërgoheshin në Berat, ndërsa ata të jugut internoheshin në kampin e Krujës.

Kjo strategji e ndjekur prej regjimit komunist tingëllonte çuditshëm pasi të internuarit  dëboheshin sa më larg nga vendi i tyre i origjinës.

Në mars 1946 në kampin e Beratit ishin 1.275 të internuar, ndërsa në mesin e të internuarve  kryesonin të internuarit që vinin nga prefektura e qytetit të Kukësit, pasur me Shkodrën, Durrësin etj.

Statusi i Plotë i Kastriot Dervishit në Facebook:

 1945-1949/Kampi tela me gjemba i Beratit

Në mars 1945 në Shqipëri u hapën dy kampe tela me gjemba, në Berat dhe në Krujë. Në Berat u vendosën të internuarit nga veriu dhe në Krujës ata nga jugu i vendit. Internoheshin familjarët e këtyre personave:

-Të arratisurve brenda dhe jashtë vendit

-Të dënuarve dhe atyre që mund të burgoseshin (rasti i Shkodrës)

-Të dezertorëve

Nëpër seksionet e punëve të brendshme filluan të grumbulloheshin persona kontingjente për internim. Ata silleshin duke ecur në këmbë nga shtëpia e deri në pikën ku do qëndronin, duke bërë kështu dhjetëra kilometra. Pleq, gra, e fëmijë, të rreckosur, lodhur, uritur e dëshpëruar ishin pjesë e panoramës që mund të shihej në qytetet ku ata vendoseshin përkohësisht. Përpara se të mbërrinin në kampe ishin tmerrësisht të lodhur e sëmurë.

Kampi i Beratit që funksionoi në vitet 1945-1949 ishte përcaktuar për banorët nga veriu i vendit. Në fillim të internuarit u vendosën në shtëpi të braktisura, e më pas u përqendruan. Burrat punonin në fermën e Kuçovës, ndërsa gratë vilnin ullinj. Puna e tyre është shfrytëzuar edhe për zhvarrime.

Personat e parë të internuar në Berat janë nga Shkodra (pjesa dërrmuese e listës bashkëlidhur të datës 25.2.1945). Ata ishin arrestuar gjatë operacionit quajtur “bllokues” të zhvilluar më 29 janar deri më 2 shkurt 1945.

Në mars 1946 në kampin e Beratit ishin 1.275 të internuar, si vijon (sipas prefekturave):

-270 nga Shkodra

-331 nga Kukësi

-178 nga Dibra

-173 nga Elbasani

-234 nga Durrësi

-89 nga Tirana

Në shtator 1947 në kampin e Beratit ndodheshin 586 të internuar. Në vitin 1949 kampi nën drejtimin e të njëjtit komandant, u zhvendos në Tepelenë.

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Afron afati për ndalimin e rrjetit TikTok në SHBA

Afron afati për ndalimin e rrjetit TikTok në SHBA